Ushtria izraelite vret dy palestinezë në një incident me armë zjarri në Bregun Perëndimor të pushtuar

Dy palestinezë u vranë nga të shtënat e ushtrisë izraelite të premten në mëngjes, raportoi gazeta izraelite Haaretz, transmeton Anadolu.
Palestinezët u vranë gjatë një shkëmbimi zjarri me forcat izraelite, pas pretendimeve se ata kishin hapur zjarr ndaj pushtuesve izraelitë në qytetin Hebron të Bregut Perëndimor, duke plagosur pesë persona.
Shërbimi izraelit i urgjencës mjekësore Magen David Adom bëri të ditur se dy nga të plagosurit janë në gjendje kritike.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentet kur ushtarët izraelitë qëllojnë ndaj palestinezëve.
Sipas Haaretz, ushtria izraelite ka rrethuar fshatrat palestineze pranë Hebronit.
Raporti vjen në një kohë kur sulmet e pushtuesve izraelitë dhe ushtrisë kundër palestinezëve dhe tokave të tyre në Bregun Perëndimor të pushtuar janë intensifikuar gjatë sezonit të vjeljes së ullinjve, i cili nisi në fillim të këtij muaji.
Sipas të dhënave palestineze, rreth 750 mijë pushtues izraelitë jetojnë në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor të pushtuar, në 194 vendbanime dhe rreth 400 pika të paligjshme.
Vendbanimet izraelite të ndërtuara në tokat e pushtuara palestineze konsiderohen të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.


