Shasivari takon u.d Ambasadoren amerikane: Bashkëpunim për reformat në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar

Shasivari takon përfaqësuesen e Ambasadës amerikane: Bashkëpunim për reformat në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar
Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Jeton Shasivari, ka zhvilluar takim me Nicole Varnes, ushtruese e detyrës së shefes së Misionit në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku në fokus kanë qenë reformat në drejtësi dhe thellimi i bashkëpunimit dypalësh.
Përmes një njoftimi, Shasivari theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik me SHBA-në në forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Partneriteti strategjik me SHBA-në është mbështetje e rëndësishme për reformat tona, veçanërisht në forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, deklaroi Shasivari.
Gjatë takimit, sipas ministrit, vëmendje e veçantë iu kushtua reformës së legjislacionit penal, ekspertizës amerikane në këtë proces, digjitalizimit të drejtësisë dhe forcimit të kapaciteteve institucionale.
Shasivari gjithashtu shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së, duke veçuar projektin për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Drogat, i financuar nga Byroja INL e Departamentit Amerikan të Shtetit.
“Vazhdojmë bashkëpunimin për rezultate konkrete dhe një sistem drejtësie më funksional, të pavarur dhe efikas”, theksoi ministri i Drejtësisë.
Bashkëpunimi me SHBA-në synon të mbështesë proceset reformuese në drejtësi dhe forcimin e institucioneve në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar.

