BE-ja insiston në përmbushjen e detyrimeve, Brukseli dhe Shkupi të njëzëshëm për integrimin evropian të Maqedonisë

Përfaqësuesit e institucioneve të Bashkimit Evropian mbeten të përkushtuar plotësisht për të mbështetur vendin në rrugën e tij evropiane, përmes zbatimit të reformave të nevojshme dhe përmbushjes së kritereve për anëtarësim, si dhe për implementimin e detyrimeve të marra. Sipas tyre, duhet të shfrytëzohet momenti aktual në procesin e zgjerimit, i cili mund të humbasë duke pasur parasysh sfidat e tjera me të cilat përballet Evropa, dhe integrimi evropian i vendit të mbetet në margjinat. Nga ana tjetër, përfaqësuesit politikë të Maqedonisë theksojnë përkushtimin për anëtarësimin e vendit në BE dhe angazhimin për konsensus rreth interesave shtetërore dhe përshpejtimin e reformave të nevojshme për anëtarësim në Union.
Ministri për çështje evropiane, Orhan Murtezani, dje, gjatë një takimi me homologun e tij polak, Adam Shlapka, në Varshavë, deklaroi se vendi mbetet i përkushtuar ndaj të ardhmes së tij evropiane.
Murtezani theksoi arritjet e deritanishme të Maqedonisë së Veriut në negociatat për anëtarësim në BE dhe nënvizoi rëndësinë e mbështetjes nga vendet anëtare për avancimin e mëtejshëm të procesit integrues. Ai theksoi se dialogu aktiv me vendet anëtare të BE-së është çelësi për zbatimin e suksesshëm të procesit të anëtarësimit.
Gjithashtu, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në një takim me bashkëkryetarin e Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Maqedonia e Veriut, eurodeputetin kroat Karlo Resler, konfirmoi vendosmërinë e palëkundur të Qeverisë për të arritur përparim në rrugën evropiane të vendit, si dhe për përmirësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mbi bazën e parimeve të respektit të ndërsjellë dhe besimit.
Mbi nevojën për konsensus për interesat strategjike të vendit, ndër të cilët një nga prioritetet kryesore është edhe integrimi evropian, disa herë është ndalur edhe kryeministri Hristijan Mickoski. Në intervistën e tij për Vitin e Ri për MIA, ai theksoi se është i gatshëm në çdo kohë të bisedojë me çdo aktor politik që ka çfarëdo ideje që çon drejt pajtimit kombëtar për interesat strategjike shtetërore.
Mickoski theksoi se është pozitiv fakti që ideja për një strategji të përbashkët, për të cilën ai vetë ka bërë thirrje, e më pas edhe partneri i koalicionit ZNAM përmes Platformës së propozuar, si dhe lideri i opozitës së LSDM-së, Venko Filipçe, me propozimin për një strategji mbi partiake, është gjithnjë e më e pranishme dhe po rrënjoset në opinionin publik. Ai shtoi se deri tani nuk ka komunikuar me Filipçen për këtë temë specifike, por se kanë takime të shpeshta dhe shkëmbejnë ndonjë fjalë.
Filipçe, i cili është gjithashtu kryetar i Këshillit Kombëtar të Kuvendit për Integrimet Evropiane, vlerëson se është e rëndësishme të ruhet konsensusi për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se të gjitha subjektet politike duhet të kontribuojnë në hapjen e klasterit të parë të negociatave për anëtarësim dhe kanë përgjegjësi të ndihmojnë në këto përpjekje.
– Besoj se përfaqësuesit e të gjithë subjekteve politike dhe ekonomike të pranishme sot do të japin kontributin e tyre në punën dhe mbështetjen ndaj Qeverisë për realizimin e këtij procesi, me qëllim që të përshpejtohet realisht procesi dhe që në këtë përbërje të Kuvendit dhe gjatë këtij mandati të hapet klasteri i parë, tha Filipçe në seancën e djeshme të përbashkët të Këshillit Kombëtar të Kuvendit për Integrime Evropiane dhe Komisionit për Çështje Evropiane, ku në rend të ditës ishte Raporti i Komisionit Evropian për vendin për vitin 2024.
Në të njëjtën seancë, shefi i Delegacionit të BE-së në Shkup, ambasadori Mihalis Rokas, theksoi se duhet shfrytëzuar momenti i favorizimit nga Komisioni Evropian ndaj vendit për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkim.
– Dua t’ju inkurajoj që të shfrytëzoni momentin aktual të favorizimit për zgjerim. Ka një moment të vërtetë, një përkushtim të vërtetë. Nga ana jonë, jemi të përkushtuar dhe të gatshëm t’ju ndihmojmë në rrugën tuaj drejt Bashkimit Evropian, – tha Rokas.
Ai kujtoi gjithashtu se presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për punët e jashtme dhe politikën e sigurisë, Kaja Kallas, mbështesin perspektivën evropiane të vendit, duke theksuar se kjo mbështetje duhet të shfrytëzohet në mënyrën më të mirë të mundshme, “mbi të gjitha, për të mirën e qytetarëve që dëshirojnë të jenë pjesë e BE-së.”
Ndërkohë, ambasadori polak, Mariusz Brimora, në një intervistë theksoi se zgjerimi i Bashkimit me vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet një prioritet për Poloninë gjatë presidencës së saj të Këshillit të BE-së, duke njoftuar se vendi i tij do të angazhohet në përpjekjet për të tejkaluar ngërçin në të cilin ka ngecur procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Ai bëri të ditur se së shpejti përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Polonisë do të vizitojnë Sofjen, ku ndër të tjera do të diskutojnë me homologët e tyre për “situatën me Maqedoninë e Veriut.”
Sipas tij, ky ngërç është rezultat i një çështjeje dypalëshe që duhet ta zgjidhin “vendete përfshira,” ndërsa anëtarët e tjerë të BE-së mund të mbështesin vetëm përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje.
– Por, kjo varet nga ju, që të filloni bisedimet dhe të arrini një kompromis, – tha Brimora, duke theksuar se detyra kryesore e Qeverisë së Maqedonisë është të nisë dialogun dhe të arrijë një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur, e cila të jetë e pranueshme si për Shkupin ashtu edhe për Sofjen.
Por, paralelisht me mbështetjen për aspiratat eurointegruese të Maqedonisë së Veriut, përfaqësuesit e BE-së kujtojnë se përveç reformave, për të zhbllokuar rrugën e saj evropiane, vendi duhet të përmbushë obligimet e marra me Kuadrin Negociues, që lidhen me ndryshimet kushtetuese.
Komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, këtë javë në një debat me anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), theksoi se Maqedonia e Veriut duhet të tregojë vullnet për të ndryshuar Kushtetutën, në mënyrë që të arrijë përparim në procesin e anëtarësimit në BE.
– Shpresojmë që Maqedonia do të përmbushë detyrimin për ndryshimin e Kushtetutës dhe atëherë, jam e sigurt, se sapo të fillojmë të lëvizim me Maqedoninë e Veriut, gjithashtu, me mbështetjen e Bullgarisë, do të mund të vazhdojmë në atë rrugë, – deklaroi Kos në përgjigje të një pyetjeje nga eurodeputeti bullgar Andrej Kovaçev gjatë debatit.
Sa i përket idesë për “ndryshime kushtetuese me efekt të shtyrë”, ambasadori polak Brimora tha se disa aleatë të Qeverisë insistojnë se kjo është e mundur, por nga ana tjetër nuk ka asnjë indikacion që Brukseli ose Sofja do të ndryshonin pozicionin e tyre mbi këtë çështje.
– Nuk jam i sigurt se ky propozim mund të jetë efektiv… Gjithçka lidhet me parimin e vjetër latin në të drejtën ndërkombëtare – *pacta sunt servanda*, që do të thotë se marrëveshjet duhet të respektohen, – shtoi Brimora.