Arrestohen 12 shoferë brenda një nate, 10 prej tyre drejtonin automjetin pa patentë

Gjatë 24 orëve të fundit, zyrtarët policorë në të gjithë territorin e vendit kanë privuar nga liria 12 shoferë për drejtim të pandërgjegjshëm të automjeteve.
Sipas informacioneve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, 10 prej tyre drejtonin automjetin pa leje drejtimi. Katër janë kapur në Shkup, tre në Kumanovë, ndërsa nga një në Tetovë, Prilep dhe Koçan.
Përveç kësaj, dy shoferë, në rajonin e Ohrit dhe të Resnjës, janë arrestuar pasi drejtonin automjetin nën ndikimin e alkoolit.
Nga MPB njoftojnë se, pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj të gjithë personave do të parashtrohen kallëzimet përkatëse penale.
Njëkohësisht, Ministria apelon sërish te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut, të mos drejtojnë automjet pa patentë, gjatë kohës së ndalimit të drejtimit ose nën ndikimin e alkoolit, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë.



