ANB zbulon rrjet terrorist në Maqedoni, planifikonin atentat në Greqi

Shërbimi i Sigurisë Kombëtare (ANB) ka zbuluar një rrjet kriminal në Maqedoninë e Veriut, i cili dyshohet se po përgatiste një sulm terrorist ndaj një personi të caktuar në Greqi, nën udhëzimet e një shtetasi iranian të lidhur dyshohet me rrjetet informative të Iranit.
Këtë e bëri të ditur drejtori i ANB-së, Bojan Hristovski, duke zbardhur detaje nga një operacion që kishte zgjatur rreth nëntë deri në dhjetë muaj.
Sipas Hristovskit, rrjeti në Maqedoni ishte i lidhur me shtetasin iranian Edris Jahangiri Mavaneh, për të cilin, sipas informacioneve të ANB-së, ekzistojnë dyshime për bashkëpunim me shërbimet iraniane të sigurisë dhe inteligjencës, si dhe lidhje me personin e njohur si Nazhi Sharifi Zindashti.
Anëtarët e rrjetit, të cilët sipas ANB-së ishin pjesë e strukturave kriminale në vend, kishin marrë përsipër përgatitjet logjistike për realizimin e atentatit. Ata zhvillonin takime të fshehta në vende të treta, përfshirë edhe Iranin, në koordinim me personin që dyshohet se drejtonte operacionin.
Gjashtë persona janë përfshirë në këtë rast. Drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, bëri të ditur se katër personave u është caktuar masa e paraburgimit, njërit arrest shtëpiak, ndërsa personi i gjashtë ende nuk është në dispozicion të organeve të ndjekjes dhe po kërkohet.
I pyetur nëse ekziston rrezik për sulme terroriste në Maqedoninë e Veriut, Hristovski tha se institucionet nuk kanë informacione për përgatitjen e ndonjë sulmi në territorin e vendit apo për persona nga Maqedonia që mund të jenë objektiv i këtyre aktiviteteve.
ANB-ja njoftoi se, në bashkëpunim me institucionet vendore dhe shërbimet partnere ndërkombëtare, do të vazhdojë aktivitetet për zbulimin dhe parandalimin e kërcënimeve të mundshme terroriste.



