Afrim Gashi: 35-vjetori i pavarësisë dhe i Kushtetutës, përgjegjësi për të ardhmen e shtetit

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka ndarë mesazhin e tij me rastin e shënimit të 35-vjetorit të pavarësisë dhe miratimit të Kushtetutës së parë.
“Përmes një manifestimi solemn e shkencor të organizuar nga Kuvendi, Instituti i Historisë Kombëtare dhe Arkivi Shtetëror, shënuam 35-vjetorin e pavarësisë dhe të miratimit të Kushtetutës së parë.
Në fjalën time, vura në pah rëndësinë historike dhe shtetformuese të Referendumit të 8 shtatorit 1991 dhe të miratimit të Kushtetutës më 17 nëntor të po atij viti, si dy momente kyçe, përmes të cilave u institucionalizua vullneti i qytetarëve për një shtet të pavarur dhe sovran, të mbështetur në sundimin e ligjit, garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, pluralizmin politik dhe orientimin euroatlantik.
Theksova gjithashtu përgjegjësinë e institucioneve, veçanërisht të Kuvendit, në kultivimin e dialogut demokratik, ndërtimin e konsensusit për çështjet strategjike dhe zbatimin e parimeve kushtetuese, duke nënvizuar se përparimi i shtetit kërkon guxim, përgjegjësi, vizion dhe institucione funksionale, me qytetarin në qendër.
Bëra thirrje që këtë 35-vjetor ta shohim si një zotim të ri për demokraci më të fuqishme, institucione më të përgjegjshme, drejtësi më të besueshme dhe bashkëjetesë më të qëndrueshme”, ka shkruar Gashi.



