Al-Azhar: Dëshmorët e rezistencës palestineze janë heronj, jo terroristë
Institucioni Al-Azhar në Egjipt tha se luftëtarët palestinezë të rezistencës që humbën jetën në sulmet izraelite janë heronj, jo terroristë, transmeton Anadolu.
Pasi Izraeli njoftoi se lideri i Hamasit, Yahya Sinwar humbi jetën në sulmin në Gaza, Al-Azhar publikoi një mesazh ngushëllimi nën titullin “Dëshmorët Heronj të Rezistencës Palestineze” pa përmendur qartë emrin e Sinwarit.
“Përkujtojmë me mëshirë bijtë heronj të rezistencës palestineze të cilët ranë dëshmorë pasi u ekspozuan ndaj sulmeve të sionistëve gjakatarë. Dëshmorët e rezistencës palestineze të cilët kishin shpirt të vërtetë rezistence, që u futën frikë dhe tmerr dhe që ngulitën frikë në zemrat e armiqve të tyre, janë muxhahidë që ishin të lidhur fort me atdheun e tyre edhe pse armiku u përpoq t’i portretizonte ata si terroristë përmes gënjeshtrave dhe mashtrimeve”, thuhet në mesazh.
“Palestinezët që humbën jetën në sulmet izraelite mbrojtën jo vetëm tokën e tyre, por në të njëjtën kohë mbrojtën edhe kauzën palestineze e cila është kauza e përbashkët e arabëve dhe muslimanëve”, theksohet në mesazhin ku më tej shtohet se “Allahu i Plotfuqishëm u dha atyre martirizimin duke i rezistuar armikut. Dëshmorët e rezistencës palestineze nuk janë terroristë, ata janë heronj”.
Në mesazhin e ngushëllimit thuhet: “Sionistët kryen masakra duke shkaktuar fatkeqësi në tokat tona arabe, ruajtën ekzistencën e tyre përmes shkatërrimit dhe pushtimit, uzurpuan tokat tona dhe shkatërruan popullin tonë. E gjithë kjo ndodhi para syve të shteteve vullneti dhe pushteti i të cilëve ishin të paralizuar dhe në heshtjen e vdekur të një komuniteti ndërkombëtar të paaftë për të ndërhyrë. Ndërsa ligji ndërkombëtar është bërë zbrazëti që nuk mban as vlerën e bojës në të cilën është shkruar”.
Në mesazhin që iu referua mediave izraelite që përpiqen të njollosin luftëtarët e rezistencës palestineze, theksohet si më poshtë:
“Derisa Al-Azhar përkujton dëshmorët e rezistencës palestineze, ne tërheqim vëmendjen për rëndësinë e ekspozimit të gënjeshtrave dhe shtrembërimeve të makinerisë mediatike sioniste. Kjo media në fjalë po përpiqet t’i prezantojë si terroriste simbolet e rezistencës, duke i shtrembëruar ato në mendjet e të rinjve tanë. Ndërkohë të mbrosh atdheun, të mbrosh tokën dhe kauzën e shenjtë dhe të jesh dëshmor në këtë kauzë është krenari e madhe dhe asnjë krenari nuk mund të krahasohet me të”.
Ushtria izraelite në një deklaratë njoftoi se Yahya Sinwar ka humbur jetën në një sulm të kryer në jug të Gazës.
Ndërsa Hamasi nuk ka dhënë ende deklaratë zyrtare lidhur me pretendimet se Sinwar ka humbur jetën.