Katari: SHBA-ja dhe Irani po shqyrtojnë propozimet që synojnë arritjen e një marrëveshjeje

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani po shqyrtojnë propozime që synojnë të hapin rrugën për një marrëveshje, ndërsa vazhdojnë përpjekjet ndërmjetësuese për të kapërcyer dallimet midis dy palëve, deklaroi të martën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, transmeton Anadolu.

“Përpjekjet për të kapërcyer hendekun midis dy palëve në krizë, Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, janë ende në vazhdim”, tha Al-Ansari gjatë një konference për shtyp, e cila u transmetua nga televizioni “Al Jazeera” me seli në Doha.

Ai theksoi se Washingtoni dhe Teherani po shqyrtojnë propozime të paraqitura si pjesë e përpjekjeve për të krijuar kushtet e nevojshme për arritjen e një marrëveshjeje.

Zëdhënësi shtoi se pala iraniane dhe ajo amerikane vazhdojnë të shfaqin përkushtim ndaj procesit të negociatave.

Ai theksoi se Katari po punon ngushtë me partnerët e tij në rajon dhe me komunitetin ndërkombëtar për t’i dhënë fund krizës aktuale, duke shtuar se ekziston një “koordinim i nivelit shumë të lartë” midis liderëve rajonalë për të gjetur një zgjidhje dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm.

Doha po punon drejt një marrëveshjeje që mund të ndërtojë besim dhe të forcojë paqen në rajon, tha ai.

Sa i përket sigurisë detare, zëdhënësi theksoi se liria e lundrimit është “e panegociueshme”, duke shtuar se Katari refuzon çdo kërcënim kundër cisternave të Katarit apo anijeve të tjera.

Nga ana tjetër, Al-Ansari hodhi poshtë akuzat e palëve izraelite se Katari po ndërhyn në zgjedhjet e Izraelit, duke deklaruar se Doha nuk do të pranojë të shërbejë si “kokë turku”.

Këto deklarata vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme midis Iranit dhe SHBA-së, pas luftës së nisur nga Washingtoni dhe Izraeli kundër Teheranit më 28 shkurt.

Irani ka kërkuar në mënyrë të përsëritur dhënien fund të bllokadës detare amerikane dhe heqjen e sanksioneve ekonomike, si pjesë e përpjekjeve për të arritur një zgjidhje diplomatike.

Të martën, Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Qalibaf – i cili kryeson ekipin negociator të Teheranit – deklaroi se Irani i ka dhënë një përgjigje “të vendosur dhe racionale” ndaj Washingtonit, dhe se tani SHBA-ja duhet të vendosë nëse do të parandalojë një luftë tjetër.

Qalibaf gjithashtu paralajmëroi se çdo veprim i ri ushtarak nga ana e SHBA-së do të shkaktojë një përgjigje iraniane “të paparashikueshme”, e cila nuk do të ketë kufizime gjeografike.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button