Agjenti i imigracionit në SHBA qëllon një burrë në New York

Një agjent i Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) ka qëlluar dhe plagosur një burrë brenda automjetit të tij, në lagjen Marble Hill në New York City, ndërsa në automjet ndodhej edhe një fëmijë 5-vjeçar, transmeton Anadolu.

Kryetari i Bashkisë së New Yorkut, Zohran Mamdani tha se raportimet e para tregonin se agjentët e kishin rrethuar burrin dhe fëmijën përpara se të qëllonin disa herë.

Sipas tij, besohet se fëmija nuk ka pësuar lëndime fizike.

“Ky është një incident i papranueshëm dhe jashtëzakonisht serioz”, tha Mamdani në një deklaratë, duke shtuar se planifikon të bisedojë me presidentin Donald Trump dhe t’i “kërkojë t’i japë fund të gjitha operacioneve të zbatimit të ligjit nga ICE në qytetin tonë”.

“Nuk do të qëndroj duarkryq teksa agjentët e ICE-së terrorizojnë komunitetet tona”, shtoi ai.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) nën mbikëqyrjen e të cilit funksionon ICE, tha se zyrtarët po zhvillonin një “operacion të synuar për zbatimin e ligjit” në lagjen Bronx, me qëllim arrestimin e një burri nga Republika Dominikane, i cili kishte një dënim të mëparshëm penal.

“Gjatë incidentit, një oficer i ICE-së hapi zjarr me armën e tij dhe shtetasi i huaj që ndodhej ilegalisht në vend, me precedentë penal, u plagos”, thuhet në deklaratën e DHS-së, ku shtohet se oficerët i dhanë ndihmën e parë menjëherë.

“Personi është gjallë dhe ndodhet në një spital lokal”, tha departamenti. Sipas DHS-së, të shtënat ndodhën rreth orës 16:00 me kohën lokale. Departamenti amerikan pretendon se burri kishte “lidhje” me një bandë kriminale dhe kishte dënime të mëparshme penale, por nuk e identifikoi atë dhe nuk paraqiti prova për të mbështetur këto pretendime.

Më parë, departamenti është përballur me kritika për përdorimin e forcës vdekjeprurëse nga agjentët federalë ndaj emigrantëve dhe për etiketimin e mëvonshëm të personave të shënjestruar si anëtarë të bandave kriminale.

Administrata e presidentit Trump i ka akuzuar vazhdimisht emigrantët dhe protestuesit se përdorin automjetet si armë, duke pretenduar se agjentët kanë hapur zjarr në përgjigje të “sulmeve me automjete”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button