Afrim Gashi: Mbetemi të përkushtuar për bashkëpunim më të ngushtë me Kosovën

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka uruar qytetarët e Kosovës për zhvillimin e zgjedhjeve në një atmosferë demokratike, ndërsa ka përgëzuar kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje për rezultatin e arritur.
“Në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, përgëzoj qytetarët e Republikës së Kosovës për zhvillimin e zgjedhjeve në një atmosferë demokratike dhe dinjitoze.
Uroj Kryeministrin z. Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje për rezultatin e arritur, i cili përfaqëson besimin por edhe përgjegjësinë për përmbushjen e pritshmërive të qytetarëve, mbrojtjen e interesave shtetërore dhe forcimin e pozitës së Kosovës në rrugën e saj euroatlantike.
Në këtë fazë të rëndësishme paszgjedhore, pres që të gjitha forcat politike të tregojnë përgjegjësi, maturi dhe kulturë demokratike, me qëllim formimin e organeve funksionale, në mënyrë që qytetarët të fitojnë stabilitet institucional dhe vazhdimësi në proceset zhvillimore të vendit.
Mbetemi të përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet vendeve tona, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në interes të stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit.”



