Gashi: Drejtësia duhet të jetë profesionale, e pavarur, e përgjegjshme dhe mbi të gjitha njerëzore

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka theksuar rëndësinë e Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë si një institucion kyç për forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Në shënimin e 20-vjetorit të themelimit të Akademisë, Gashi tha se ajo përfaqëson një investim të drejtpërdrejtë në cilësinë e shtetit dhe profesionalizmin e institucioneve të drejtësisë.

Duke folur për raportin ndërmjet Kuvendit dhe Akademisë, ai theksoi se ligjvënia dhe ligjzbatimi janë funksione të ndryshme, por plotësuese, që burojnë nga i njëjti rend kushtetues dhe kanë të njëjtën përgjegjësi ndaj qytetarëve.

“Shteti i së drejtës nuk matet vetëm me atë që shkruhet në Kushtetutë dhe në ligje, por me atë që përjeton qytetari kur kërkon drejtësi”, u shpreh Gashi.

Ai nënvizoi se drejtësia duhet të jetë profesionale, e pavarur dhe e përgjegjshme, por mbi të gjitha njerëzore, e mbështetur në etikë dhe integritet.

Gashi vlerësoi kontributin e Akademisë gjatë dy dekadave dhe shprehu bindjen se ajo do të vazhdojë të luajë rol të rëndësishëm në formimin e gjykatësve dhe prokurorëve me standarde të larta profesionale dhe etike.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button