Gërvalla kërkon përgjegjësi nga BE-ja për këngën me pretendime nacionaliste serbe ndaj Kosovës

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE) përgjegjësi konkrete institucionale lidhur me interpretimin e një kënge me pretendime nacionaliste serbe ndaj territorit të Kosovës, gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit në Bruksel më 15 nëntor.
Ministrja Gërvalla, duke folur në Takimin e 8-të të Nënkomitetit BE-Kosovë për Drejtësi, Liri dhe Siguri, e cilësoi të papranueshme përfshirjen e kësaj kënge në një aktivitet të Komisionit Evropian.
Gërvalla tha se, përveç sqarimit të bërë nga komisionerja evropiane Marta Kos se kënga nuk pasqyron qëndrimin e Komisionit Evropian, nevojiten edhe hapa konkretë.
“Presim pasoja konkrete dhe institucionale: një shpjegim se si u përzgjodh dhe u miratua kjo këngë, përcaktimin e përgjegjësisë dhe masa që një rast i tillë të mos përsëritet”, tha Gërvalla.
Ajo theksoi se raste të tilla e dëmtojnë kredibilitetin e BE-së dhe besimin në paanshmërinë e tij, duke nënvizuar se pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë realitet që nuk mund të mohohen.
Në fjalimin e saj, Gërvalla foli edhe për reformat në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe forcimin e mekanizmave për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore.
Ajo tha se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj reformave dhe integrimit evropian, por kërkoi që edhe partnerët evropianë të tregojnë të njëjtin seriozitet dhe përgjegjësi në raport me vendin.



