Nigeri shtetëzon minierën e vetme të arit

Qeveria ushtarake e Nigerit ka njoftuar shtetëzimin e minierës së vetme industriale të arit në vend, duke akuzuar kompaninë australiane që e operonte për “shkelje serioze”, teksa junta kërkon kontroll më të madh mbi burimet natyrore.
Ky vendim vjen pasi qeveria aktuale, e cila mori pushtetin në vitin 2023, premtoi të përballet me problemet e shumta të sigurisë në Niger.
Kompania australiane McKinel Resources Limited mori kontrollin e minierës Société des mines du Liptako (SML), e vendosur në breg të lumit Niger, në vitin 2019, pasi bleu shumicën e aksioneve nga një firmë publike.
“Për shkak të shkeljeve serioze dhe me synim shpëtimin e kësaj kompanie me rëndësi strategjike, shteti i Nigerit ka marrë vendimin për të shtetëzuar SML,” thuhet në një urdhër të liderit të juntës, Gjeneral Abdourahamane Tiani, i lexuar të premten në televizionin shtetëror.
‘Përvetësim i plotë’
“Kjo masë është në përputhje me vizionin e presidentit të republikës, që synon përvetësimin e plotë të burimeve natyrore nga populli i Nigerit,” theksohet në deklaratë.
Sipas Iniciativës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse, në vitin 2023 prodhimi industrial i arit në këtë minierë arriti në 177 kilogramë, ndërsa prodhimi artizanal në të gjithë vendin ishte 2.2 tonë.
Qeveria e Nigerit tha se që nga marrja e kontrollit nga McKinel, miniera ka rënë në një “situatë ekonomike alarmante”, duke akuzuar kompaninë se nuk ka zbatuar një plan investimi prej 10 milionë dollarësh. Kjo, sipas autoriteteve, ka shkaktuar borxhe të mëdha, vonesa në pagesa, largime nga puna dhe ndalesa të prodhimit.
Në maj, një shpërthim bombe në perëndim të Nigerit vrau të paktën tetë punëtorë në minierën SML në rajonin Tillaberi.
Ushtria ka vendosur mbi 2,000 ushtarë për të luftuar grupet ekstreme në zonën përreth, që konsiderohet epiqendra e dhunës në vend. /TRT Global/