BFI dënon deklaratat ofenduese ndaj Mulla Jakup Hasipit dhe shqiptarëve në RMV

Bashkësia Fetare Islame e RMV, me keqardhje, po përcjell deklaratat e pamatura, me përmbajtje përçarëse dhe antikombëtare, të bëra nga persona jokompetent për çështje fetare, të cilat ofendojnë personalitete të kalibrit të lartë fetar dhe kombëtar, në veçanti hoxhën e mirënjohur, tashmë të ndjerin Mulla Jakup Hasipi nga Sllupçani i Kumanovës si dhe ofendimi i rëndë ndaj shqiptarëve të Republikës së Maqedinisë së Veriut.

Edhe pse BFI-ja asnjëherë nuk është marrë me persona të tillë, të pakualifikuar për çështjen e besimi dhe të nivelit të ulët, sot ndjen obligim moral dhe institucional t’ia bëjë me dije opinionit se Mulla Jakup Hasipi ka qenë një myfti dhe hoxhë i kalibrit të lartë, prezantues i shkëlqyer i veprave madhore islame, simbol i dijes, i devotshmërisë dhe i sakrificës. Kur ka qenë nevoja dhe me tërë jetën dhe qenien e tij, ka kontribuar në çështje madhore kombëtare, duke kultivuar vlerat morale, shpirtërore dhe njerëzore.

Andaj, Bashkësia Fetare Islame nuk pajtohet me çdolloj deklarata të tilla të pabaza dhe të pamatura që dërgon drejt islamofobisë që synon të dëmtojë vlerat fetare, të prishë harmoninë ndërfetare mes besimeve të ndryshme në vendin tonë dhe të mbjellë përçarje në shoqëri.

Pjesëtarët e fesë islame në Maqedininë e Veriut kanë vetëdije të lartë për kombin, besimin, shoqërinë dhe atdheun e tyre. Këtë e kanë dëshmuar dhe vazhdojnë ta dëshmojnë në çdo sferë të jetës.

BFI me indinjatë të thellë konstaton se z. Asdren Shala, i ashtuquajtur opinionist, jo vetëm që ka ofenduar të ndjerin Mulla Jakup Hasipi, por ka fyer edhe popullin shqiptar të Maqedonisë së Veriut, duke harruar me qëllim kontributin e madh që ky popull ka dhënë për Kosovën në çdo situatë të vështirë – në veçanti gjatë kohës së largimit të dhunshëm të dëbuarve nga Kosova nga represioni i regjimit të egër të Millosheviqit, kur me qindra mijëra u pritën si vëllezër në shtëpitë e tyre, si dhe nga shteti ku ne jemi pjesë konstituuve dhe përbërëse e tij.

Bashkësia Fetare Islame këshillon që të tregohet maturi në qëndrimet publike ndaj besimeve dhe diversitetit fetar e kulturorë, me qëllim të mbrojtjes së vlerave madhore që populli ynë i ka kultivuar me shekuj.
Kujdes! Mos prekni në çështjet më vitale dhe më tē ndishme të kombit siç është diversiteti kulturorë dhe harmonia ndërfetare. Të mereni me çështjet më madhore të kombit dhe rrugës euroatlantike.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button