QMK: Nuk ka zjarre aktive, të gjitha janë shuar ose vënë nën kontroll

Nga gjithsej 13 zjarre në hapësira të hapura gjatë 24 orëve të fundit, 12 janë shuar, ndërsa një është vënë nën kontroll, informojnë mëngjesin e sotëm nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).
Zjarri që është vënë nën kontroll ndodhet në territorin e Komunës së Berovës. Siç sqarohet në njoftim, bëhet fjalë për vatër zjarri në rajonin e malit Goten drejt maleve të Maleshevës, ku janë djegur pisha, ah, pyll i ulët, bredh, shkurre dhe vegjetacion i ulët.
Zjarret e shuar kanë qenë në territorin e komunave Araçinovë, Gazi Babë, Gjevgjeli, Kavadar, Karbinci, Makedonska Kamenicë, Radovish, Zhelinë, si dhe katër të tjera në rajonin e Prilepit.
Në konferencën për shtyp të djeshme, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, bëri apel për kujdes gjatë festave të Ilindenit që të mos shkaktohen zjarre.
– Apeloj tek të gjithë që gjatë festave të Ilindenit të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm, sepse për një çast mund të shpërthejë zjarr me pasoja katastrofike, theksoi Angellov.