Udhëheqësit e kishës dënojnë situatën ‘moralisht të papranueshme’ në Gaza pas një vizite

Patriarku latin i Jerusalemit, Kardinali Pierbattista Pizzaballa, dhe Patriarku grek ortodoks i Jerusalemit, Theophilos III, e kanë përshkruar situatën në Gaza si “moralisht të papranueshme” pas kthimit nga një vizitë në këtë enklavë palestineze.
Pizzaballa, autoriteti më i lartë katolik në rajon, dhe Theophilos III vizituan Gazën të premten, pas një sulmi izraelit mbi Kishën e Familjes së Shenjtë në qytetin e Gazës, ku u vranë të paktën tre persona.
“Nihmat humanitare nuk janë thjesht të nevojshme; ato janë çështje jete a vdekje,” u tha Pizzaballa gazetarëve në Jeruzalem.
“Refuzimi i tyre nuk është një vonesë, por një dënim. Çdo orë pa ushqim, ujë, ilaçe dhe strehim shkakton dëme të thella. Ne e kemi parë me sytë tanë – burra që qëndrojnë me orë të tëra në diell duke shpresuar për një vakt të thjeshtë. Kjo është një poshtërim i padurueshëm kur e sheh me sytë e tu. Është moralisht e papranueshme dhe e pajustifikueshme.”
Kardinali deklaroi se “ka ardhur koha për t’i dhënë fund kësaj marrëzie dhe kësaj lufte”, duke u bërë thirrje të gjithë udhëheqësve ndërkombëtarë, veçanërisht presidentit të SHBA-së, “të jenë proaktivë dhe të marrin një rol të rëndësishëm për t’i dhënë fund kësaj shkatërrimi”.



