Gjykata e Lartë lë në burg kryebashkiakun e Tiranës

Gjykata e Lartë e Shqipërisë ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Në Gjykatën e Lartë është mbajtur sot seanca për çështjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, i cili ndodhet në paraburgim, ndërkohë Veliaj kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë.
Në një njoftim të publikuar në uebfaqen e Gjykatës së Lartë thuhet se kjo gjykatë ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në seancat e muajve të fundit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GjKKO) dhe Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GjPAKKO) kanë lënë në fuqi masën “arrest në burg”.
Arrestimi i kryebashkiakut Veliaj
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj, është arrestuar më 10 shkurt, i dyshuar sipas autoriteteve për korrupsion dhe pastrim parash dhe aktualisht ndodhet në paraburgim.
Ndërkohë, ndaj bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, është vendosur masa “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, e dyshuar për disa vepra penale.
Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2015, ndërkohë ka mbajtur post edhe në Qeverinë e Shqipërisë, si dhe ka qenë edhe deputet.