E ardhmja e Asllanit e paqartë, ylli shqiptar mund të transferohet në La Liga

E ardhmja e Kristjan Asllanit vazhdon të jetë ende e paqartë, teksa interesimi për mesfushorin shqiptar po rritet në prag të merkatos verore.
Real Betisi ka shprehur interes konkret për lojtarin, duke e vëzhguar nga afër situatën e tij te Interi, ku ai nuk ka arritur të bëhet titullar i rregullt.
Sipas Sky Sport, Betisi mund të ndërmarrë hapa më të vendosur në javët në vijim, me qëllim që të sigurojë shërbimet e 22-vjeçarit.
Asllani iu bashkua Interit me shumë pritshmëri, por deri tani ka pasur pak hapësira dhe e ardhmja e tij në Milano mbetet në dyshim.
Interi nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar, por një largim i mundshëm i Asllanit do të ndikonte drejtpërdrejt në balancat e mesfushës.
Betisi ka bërë një hetim paraprak, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që edhe klube të tjera t’i bashkohen garës për shërbimet e tij.
Largimi i tij mund të hapë vend për përforcime të reja në mesfushën zikaltër, sidomos nëse ndodh edhe largimi i Hakan Calhanoglu, duke sinjalizuar një rishikim të mundshëm të strategjisë së Interit.
Atalanta gjithashtu mbetet në garë për reprezentuesin shqiptar, megjithatë Interi gjatë javëve të ardhshme pritet të marrë vendimin për të ardhmen e Asllanit.