Mexhiti: Kënga shqipe jehoi në Teatrin Shqiptar në Shkup në prag të festave të Nëntorit

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka ndarë momente nga koncerti i organizuar në Teatrin Shqiptar në Shkup, ku artistët Miranda Hashani dhe Selami Kolonja interpretuan këngë shqipe në kuadër të aktiviteteve për festat e Nëntorit.
Përmes një postimi, Mexhiti ka vlerësuar rëndësinë e muzikës dhe kulturës në ruajtjen e identitetit kombëtar, duke kujtuar edhe 20-vjetorin e vendosjes së shtatores së Skënderbeut në Çair.
“Mbrëmë, Teatri Shqiptar në Shkup mori tingullin e Nëntorit. Në skenë, Miranda Hashani dhe Selami Kolonja sollën këngën shqipe, duke e kthyer mbrëmjen në një udhëtim përmes melodive, emocioneve dhe kulturës që na bashkon.
Në këto ditë kur Nëntori na rikthen te rrënjët, te historia dhe te simbolet që mbajnë gjallë identitetin tonë, muzika bëhet një mënyrë e bukur për ta festuar atë. E këtë Nëntor e shënojmë edhe në 20-vjetorin e vendosjes së shtatores së Skënderbeut në Çair. Në këtë frymë, mbrëmja e kaluar, me këngë e kulturë shqiptare, ishte një tjetër mënyrë për ta festuar historinë, identitetin dhe gjithçka që na bashkon”, ka shkruar Izet Mexhiti.



