Portreti

Shkruan: Driton DEMIRI
Kam gabuar pak. Me ndjesë. Thash paskam lënë një hendek midis qenies dhe realitetit. Më behu, dhe plasi ashtu siç duhet. Dhe nuk më shqetëson aspak, se asgjëkund tjetër nuk do rreh pena. Lexova diku (në pranverë),… –mbille një kopsht dhe jeto sipas mundësive tua-. Vërtet, më herët familjet mund të jetonin vetëm përmes tokës së mbjellë dhe një page, e nëse bëheshin dy, atëherë mund të ndërtoje(ngrije) një shtëpi, njëjtë si një kështjellë; a faturat e energjisë elektrike që ishin bisedë e rëndomtë mes njerëzve. Nëse, mund ta rikujtojmë kështu, pak atë kohë. Tanimë, si rrjedhim, me një pagë as mund të mbijetohet, kurse faturat janë një brengë saqë nuk kapërdihet. Gjithsesi, çfarëdo qoftë,- Kush jam unë?- Kështu fillon një roman(Nadja, 1928), i Andre Bretonit, shkrimtarit dhe poetit, bashkë-themelues të surrealizmit. Dhe kur shtojmë(parashtrojmë) pyetjen,… -Kush jemi ne? – Do të përpiqem të ngërthej diçka; – Të filloj me radhë. E, si për fillim po ia filloj nga fundi. Dhe “betohem” se kësaj radhe do të shkruaj pak më shkurt. Ndërkaq, jepuni bukë e cirk dhe ata kurrë s’do të revoltohen, shkruante e fliste Juvenali, poeti satirik, romak, në gjysmën e dytë të shekullit të parë, të erës së re. Njëra nga thëniet më të famshme, ku portretizon shoqërinë e shtrembëruar të atij konteksti kohor antik. I cili aq më shumë është i njohur për thënien trup i shëndoshë në mendje të shëndoshë, e cila si fjali ishte nxjerrë jashtë kontekstit, dhe në kontekst lidhej me një dëshirë, ose gjerësisht e thënë; duhet të lutemi për një mendje të shëndoshë në trup të shëndoshë. Meqenëse, jetojmë, si të shkretë, në një kohë jo të shëndoshë, me shoqëri, jo të shëndoshë, si nga mendja ashtu edhe nga trupi, ajo që mbetet është vetëm lutja për ta asgjësuar e për ta zhdukur një herë e përgjithmonë pas shtatë, tetë e nëntë kodrave e maleve, këtë anomali (gjendje jonormale). Ndryshku i gjithë kësaj katrahure duhet të pastrohet njëherë e përgjithmonë, … –Para shtatë vjet e tetë muaj e disa ditë, kam shkruar e publikuar një tekst, (artikull), në një portal mediatik, nga më të shkurtrit që kam shkruar ndonjëherë, në 17 shtatëmbëdhjetë rreshta, “Të rënë në moçal të gjallë”. Megjithëse, titulli i tekstit (artikullit) vetë nënkupton përmbajtjen,(dhe nuk është devijim nga tema) më jep një shtrëngim, për të mos mbetur asgjë pezull, për ta cituar në një trajtë rifreskimi e rrotullimi( si në një orbitë aerocentrike), pa asnjë shqetësim e hezitim, sepse nuk i kursej fjalët, për të shpjeguar edhe disa gjëra tjera në shtrirje. Si për vijim, po interpretoj, vetëm gjashtë rreshtat, pra, afërsisht një të tretën, si me thënë tekstin gjysmë integral, të një rrethane kohore, që nuk dallon kurrsesi nga zhvillimet e kohës së ditëve tona, kësisoj-: “Përditshmëria na lodh. Poshtërsira gjithandej. Këtu ka gjithçka përveç cilësisë e drejtësisë. Mbjellje urrejtjeje ndaj çdo gjëje. Thjesht, rrugën në të cilën na shtyjnë, ka kosto marramendëse. Për derisa jemi duke pritur ditë më të mira, po na merr uji, përmbytemi së gjalli. Energjia për tu përballur dalëngadalë po shteret, s’është më ajo. Çdo gjë që është dashur shërbyer, duke na e marrë dhe bukën e gojës, kanë shkatërruar,…për fat të keq qëllimisht,…për të sunduar. Sa më parë kuptojmë të bartim pasojat e vendimeve tona, aq më parë do të rimëkëmbemi, e të marrim veten”. Dhe krejt në fund, teksti përfundon, kësisoj,… “ jo, jo, s’është propagandë kjo,…përfundimisht jemi duke prekur fundin. Mbase të rënë në moçal të gjallë, gjithsesi… e siç i thuan…dhe jo vetëm kaq!” …Për të vijuar, aty ku e lash, mbase po bie muzgu e ikën dita,… se, nga ai ekstrem, i largët, gati dy mijë vjeçar, kur klepsidra është rrotulluar me mija e mija herë, në këtë ekstrem bukë ku ka, ku s’ka. Dikund, dhe, thuajse, fare nuk ka. Një shumicë shumë më e madhe njerëzish, hanë një vakt në ditë, dhe çështja që shtrohet, është, se çka hanë në atë vakt, një sasi tjetër pak më e vogël, ku hanë ku s’hanë, dhe, jetojnë , zhveshur e zbrazët, nga dita në ditë. E, sa për cirk, cep e n’ cep stërmbushur përplot. Tek, Një mijë e një netë, Sheherzada, natën e parë i tregoi mbretit përrallën me tregtarin dhe fantazmën, gjë që mbreti pa shumë interes. Dhe kështu, Sheherzada, gjithmonë e ndalonte përrallën para fundit, dhe vazhdonte të nesërmen, sepse po të përfundonte, e hante nata, si gjithë të tjerat. Kësi lloj përrallash, ne, dëgjojmë mbi 7300 netë. Gati, tetëfishti i një mijë e një netëve. Dhe, akoma përrallat së bashku me cirkun nuk kanë përfunduar. Përndryshe i ha nata. I sos. Ndërsa, derisa s’ka kush që revoltohet, cirku që vazhdon, paralajmëron fundin e shembjes së shoqërisë, jo më gjë tjetër. Asnjë njeri, nuk është patëmetë, të merremi vesh, por jehona e valleve me një popuri tallavaje e me folklorizëm të shtrembëruar kokë e këmbë, me, një hap para, dy prapa, një zë lartë dy poshtë, si kori i meshkujve, palaçove dhe mbretit cullak, një kohë, në pallate, kjo veç më përfaqëson shkatërrimin e moralit njerëzor. Për mburrje, bëjnë, hajni, shpinë për shpine, hanë dhe shumë mish e trileçe, si dhe blejnë dhe dhurojnë sende të shtrenjta njëri-tjetrit. Ngjashëm, si gjithfarëlloj monstrash të vërteta me hunda të gjata dhe stomakun si bure. Ndryshe, kjo, në mjekësi quhet neoplazmë, për ta zbërthyer portretin (diagnozën) aq sa di, rritje e pakontrolluar, jonormale, e qelizave ose indeve në trup, që shkakton tumor, i cili nëse nuk hetohet dhe trajtohet, aq më keq nëse neglizhohet, lëshon metastazë dhe organizmi vdes. Është një e vërtetë, e më habit ky fakt, kur shoh se si njerëzit, ankohen për gjithçmos, mirëpo, duke kukurisur, shumëherazi hanë sheqerka e karamele, qeshin, dëfrehen e dëgjojnë, bashkë me ata, muzikë amatore, me një zë që vin e një zë që shkon(ikën) në D-mol të ndrydhur me ndjenja ankthi. Dhe, më pastaj, i paguajnë shumë shtrenjtë ato qeshje, ato zgërdhindje, dëfrime e zbavitje të palavdishme e të pavlera. Në këtë kohë. Në një vijë të hollë, cirk i paparë (me ujqër dhe dele) si asnjëherë, ndonjëherë, ku, edhe ujku është i ngopur edhe delet janë në vend.
Ti dallojmë disa gjëra, proceset integruese nuk bëhen me njerëz të pacipë e të korruptuar. Këtu, përfundon konstatimi. Ose, me, hajna e grabitës. Gjithë kjo, është abc-ja e politikës (politikë bërjes) në esencë. Benjamin Franklini përpara 250 viteve, edukonte e (pasqyronte), se sinqeriteti është politika më e mirë. Gjersa, për truket dhe tradhtitë, shfaqte në mënyrë të dukshme, si rrufepritës; se janë praktikë e budallenjve që nuk kanë tru të mjaftueshëm për të qenë të ndershëm. Miliona e miliona para (euro) të shpenzuara, “pa mos llogaritur, pa mos bërë hesap, rrethanën se si, e, ku jemi; ‘favore, privilegje, përfitime’, për qejfe def, ndërsa shumë vendbanime rurale dhe periferi të qyteteve akoma nuk kanë ujë dhe rrugë”,(apo, kanë nga një spërkatje gropash, sa për sy e faqe, ku ta di). Kjo i bie, njëjtë, sikur një fukara (i varfër) që nuk ka kulm mbi kokë dhe tenton të bëjë dasmë të madhe. E shumë nxënës përsëri nuk dinë ku e si të mësojnë. Shumë më shumë të tjerë sipas PISA-as, mezi dinë të lexojnë, të shprehen e të shkruajnë, dhe s’dinë, një plus një sa bëjnë. Nuk e meritojmë këtë. Diçka e pështirë po ndodh. Është një hipokrizi nga të gjithë. Njësh, pra (notë të dobët, notë proteste) kemi të gjithë. Mbase ata që janë përgjegjës janë maskarenj. Në një dukje a shikim tjetër, 5.5 miliardë euro thesar të projektuar, me gjysmë miliardë euro mungesë që në fillim në atë thesar (që do mbulohen me hua) dhe askush nuk e di, kush do i merr ato para. Para, këto, siç thuhet, se do të risin mirëqenien dhe perspektivën e ekonomisë. Janë arsyetime të pavërteta, të cilat mërzisin njerëzit, e që nuk zgjidhin asgjë. Së këndej, shtrirë në kohë, si vend i NATO-s me siguri të plotë,(siç u fol me elozhe, se do zhvillohemi shpejt e do lulëzojmë) mungesën e investimeve (të huaja) mund ta konsiderojmë, si pothuajse, tërësisht, falimentim. Gjithçka shkon ters, si një muzikë e melodi vuvuzele, që zgjat shumë, e cila, të lodh, e të bezdis. Me pak fjalë, si lufta gërnjare në Ukrainë, e për më tepër si ajo e përjetshme dhe e pamëshirshme (e) ndërhyrjes së qeverisë dhe ushtrisë Israilite, aktualisht, (ndaj) Filistinëve në Gaza. Një qeveri (qeverisje) e mirë do t’më pëlqejë vetëm atëherë kur të shoh arsyetime të vërteta. Si për shembull, më së paku, assesi të flas me gjuhë të pushtetit duke e shndërruar atë (qeverisjen) në subjekt privat, siç po bëhet, ku qasja dhe epërsia është e lejuar vetëm për ata që kanë atë atributim. E, nga ky lloj (në plotësi), nuk shoh asgjë që më mbush syrin. Madje, nëse më lejohet, nëse mund ta them me një sjellje ilustruese, më këputen e ftohen, këmbët, më bëhen akull, nga gjuri e poshtë, kur i sodis e i kundroj. Kur i pyes të sinqertët për të, (qeverinë e qeverisjen), tek e cila, më, gënjeshtra dhe mashtrimi, janë postulate të veprimit politik, ata më thuan hapur se ajo lëre se është e pa aftë dhe e përgjumur, por, është, edhe, me shumë sherr; kur pyes injorantët, e të ngratët, si me pahir, (edhe pse, si çdoherë, thuan se nuk iu intereson politika), admirojnë shumëçka, për motiv të çamçakëzëve që marrin herë-herë; ndërkaq kur pyes klientelën, ndonëse shumica e tyre, pa takt, ata përqafojnë gjithçka,…- dhe derisa, të trajtuar në kundërshtim me veten, e, si mban asgjë ngrohtë në këtë kohë, duken aq të gëzuar dhe të lumtur. Kryesisht, askush, asnjëri, kryekëput nuk ka një përgjigje të saktë. Nejse. Brenda kësaj kohe, me një egërsi të pa rrëfyer, u ka dalë nga mendja, se çmimi i fjalës ka shkuar lartë sa çmimi i mishit, djathit, dhallit, sheqerit dhe orizit. Harrojnë, cilësinë dhe nivelin e jetesës që po transformohet, me një jetesë shumë të shtrenjtë, pa para, në llogari e xhep. Ngritjen, rikthimin e TVSh-së së energjisë elektrike në 18 për qind, megjithëqë, dhe rritjen që do pasojë nga janari. Krahas me një kohë tjetër, harrojnë, mjaft shpenzime parash, përveç, shtatë thesareve, 30 miliardësh euro (të bëra pluhur, e shkuar fët), edhe atë prej 2.6 miliardë euro, për tre vite, që nga viti 2020, si kundër efekt ndaj krizës, të hapërdarë në mënyrë të padukshme e jo të sinqertë, e që i ka marrë uji e lumi. Si orientim, harrojnë, dhe tkurrjen e ekonomisë-së, e cila në të kundërtën, duhet të jetë çdoherë (e përherë në rritje), aq më shumë në përparësi në korrelacion me rritjen e pagave. E, si fakt, Benajmin Franklini sqaron e përcakton se, pa rritje dhe përparim të vazhdueshëm, fjalë të tilla si përmirësim, arritje e sukses nuk kanë asnjë kuptim. Harrojnë, sesi, pa zverdhje e skuqje, hyp se të vrava, zbrit se të vrava, për 500 produkte, tjera, le ti quajmë sekondare, si dhe për suplemente, e disa barna, befasisht, rrisin TVSh-në nga pesë në 10 për qind. Përderisa çmimet e produkteve bazë, të kufizuara me garancë, duken si një nuse e stolisur, fill e për pe, me një shkëlqim të rremë. Në këtë kurs, i mjeri ai vend, ajo qeveri që po tenton të jetojë nga TVSh-ja. Edhe ato, 10 për qind, rritje pagash ua nxjerrin për hunde çdo të punësuari, rritje kjo, e pagave (nominale), një hiç, një asgjë, në raport me inflacionin. Ndërsa, në gjithë këtë lungë, njerëzve, do t’iu, zbehen fytyrat, ngrirë duart dhe grisur këpucët, në ecejake, për një, dy e tre, mijë denarë dhimbjeje (edhe atë jo për të gjithë), në pesë muajt e ardhshëm, para (mjete) këto ngjashëm, si vargjet e para të Migjenit tek poema e mjerimit, që nga çasti në çast, edhe ashtu, ua ka gllabëruar dhjetëfish inflacioni (dhe e gjithë kjo, thjesht e haptas, bëhet për joshje elektorale që do prijnë në maj të vitit 2024). Sikurse dihet, e shihet, nga Saturni, Urani e Neptuni, të gjitha këto kusure dhe ditë të zeza sistematike, i gjithë ky tërbim politik, i ngjanë asaj dehjes klasike për një ngazëllim me akomodim afatshkurtër teknik, apo siç shtrydh ajo shprehja e vjetër e “tollovisë së Beogradit”. Ndërkaq, në tërë këtë relativizëm, pagat e tyre të ngritura thuajse sa inflacioni në Venezuelë e Argjentinë, ose sa trefishi i temperaturave të larta në Zanzibar e Paramaribo, s’do ua lë pa përmendur edhe në gjumë e ëndërr, që bashkë me shpenzimet pa kujdes e verifikim (shpërdorim masiv të parasë publike) nxisin, po ashtu inflacion. Edhe pse thuhet, se paraja nuk mund ta blejë lumturinë, mirëpo varfëria nuk mund të blejë asgjë. Për këtë shkak, a për këtë arsye, paraja është gjithçka. Pra,(merremi vesh). S’ka përse t’i konsiderojnë, njerëzit, si të marrë e budallenj. Ju të tjerët, mos pëshpëritni e mos u fshihni. Kemi pëshpëritur dhe jemi fshehur shumë kohë më parë. Çdo minutë, orë, ditë, javë e muaj është i rëndësishëm. Keni mbështetjen e pashoq, nga një sypatrembur delikat, për ta shlyer këtë mëkat e vrerosje. Duhet thënë, gjithmonë ka pasur hajdut. Por hajna e grabitës nuk ka pasur, asnjëherë si sot. Ndërkohë, ftohtë si në Kiev e Moskë. Gjithçka në lak, e në të majtë. Gjithçka tas, keq, e qorrazi. Njëjtë, si sfilitja me inflacionin dhe TVSh-në; emigrimin, (eksodin e dëbimin), gjë reale e prekshme, që nuk ndalon, përgjatë kësaj kohe. Në fund të sheshit e fjalës, ku ka gomarë trimi dhe i mençuri ikin. Për të cilën si njësi tërësore, thuhet se, rrjedh nga një fjalë e urtë, jo dhe shumë e vjetër. Megjithëqë, disa e thonë se është një fjalë e një plaku me vegime, e që nuk jeton, më, prej disa kohësh, që ishte i urtë dhe i mprehtë nga mendja. Ç’ rëndësi ka. E, vetmja rëndësi është, nëse, është, kështu, siç mëson fjala, dhe nëse është… ndaj, të them, ose ri në Europë, ose, mos u end lart e poshtë, andej-këtej, sa për ahengje, dreka e darka! (Me keqardhje, nëse akoma jemi në gjendje për ahengje e të gëzohemi!). Dhe, çdo gjë, kur më kthehet përmbys në mendim, edhe ushqimi edhe ahengjet janë pjesë e jetës, e, pa to, nuk mundet, por mos hajdeni vetëm për to. (Më tej, pas kësaj, ju jeni e mbeteni vleftë, jeni, si me thënë, kapital i çmuar i trungut kombëtar). Se, ashtu, ju me ne, ne me ju, ju me ata, ata me të gjithë ne, duke ngrënë e duke pirë, e duke kërcyer; hedhur, dredhur e përdredhur sillemi, “aq mirë e zemërgjerë” në shikimin e parë, kinse, sa të dedikuar që jemi, si një familje e shtëpi që i mban gjërat në rregull, e në të dytin, sikur gjithkah, shkon së miri, e çdo gjë na shkon mbarë. Në tjetër brendi e trajtë, këtu ka kapluar një patologji, një sëmundje e rëndë, një mungesë zëri, një heshtje e gjatë, e pa përshkruar e shoqërisë. Nuk doja të zgjatem shumë, mbase u betova, zotova se do shkruaj shkurt. Me ndjesë. Por, për çdo anamnezë, aq më i rëndësishëm dhe i nevojshëm është portreti.



