Konkluzione nga ardhja e shefit të diplomacisë ruse në Shkup

Shkruan: Muhamed Jashari – Shkup

Prania e ministrit rus për Punë të Jashtme Sergej Lavrov në kuadër të Këshillit të 30-të Ministror të OSBE-së realizuar në Shkup me datë 30 nëntor dhe 1 dhjetor, korrespondoi në periudhën kur raportet e Federatës Ruse me vendet Perëndimore janë në pikën më të ulët të mundshme që nga kriza e Kubës së viteve të 60’ta. Në të vërtet, edhe raportet e Maqedonisë së Veriut dhe shumicës së vendeve ballkanike me Moskën zyrtare thuajse janë refleksion i kësaj trajektore.

Pavarësisht që aeroplani i delegacionit rus në krye me Lavrovin i cili duhej të ateron në Shkup, planifikohej të fluturonte mbi hapësirën bullgare, megjithatë linja e fluturimit e devijoi udhëtimin për të kaluar mbi hapësirën turke përkatësisht atë greke.

Ndërkaq, arsyetimi i palës bullgare mbi këtë vendim ishte për faktin që në bordin fluturues e pranishme ishte zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zaharova, dhe pasi që e njëjta ndodhet në listën e sanksioneve të UE-së nuk mund që të fluturon mbi Bullgari (TASS). Veprimi i këtillë i qeverisë bullgar hamendem nëse vërtetë është i lidhur me Zaharovën, pasi që në listën e sanksioneve ndodhet edhe shefi i diplomacisë ruse, mirëpo sidoqoftë, nuk ka dyshim që ky realitet nxjerr në sipërfaqe marrëdhëniet e ulëta ruso-bullgare!

Në botëkuptimin rus, OSBE-ja e periudhës post-sovjetike duhet shfrytëzuar si një mekanizëm pan-europian në të cilën arkitektura e sigurisë në Evropë doemos të diskutohet në suaza të kësaj organizate rajonale. Ministri Lavrov që në fillim të fjalimit, pohoi që tashmë,  “vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së kanë shkatërruar dimensionin ushtarako-politik të OSBE-së.” (Ministria e Punëve të Jashtme Ruse).

Shqetësimi i vërtetë rus është për faktin që diskutimi mbi çështjet e rëndësishme ushtarake dhe të sigurisë në kontinentin evropian zhvillohen në kuadër të NATO-s, dhe kësisoj Aleanca ushtarake në këtë pikë gëzon status më të lartë sesa OSBE-ja. Rusia post-sovjetike ishte e interesuar që për të ardhmen e sigurisë në Evropë, madje edhe në botë, të vendoset në një organizatë (siç është OSBE-ja ose OKB-ja) ku ajo, jo vetëm që do të mund ta bllokonte funksionimin e saj, por edhe duhej të ndërtohej në atë formë që do t’i ketë parasysh ambiciet ruse dhe në asnjë mënyrë strukturën NATO-centrike. (Jashari, 2022). Andaj, edhe përmendjen e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë dhe pavarësinë e saj, shefi i diplomacisë ruse e sheh në suaza të këtij botëkuptimi politik.

Në fjalimin drejtuar homologëve dhe delegacioneve të ndryshme Sergej Lavrov nuk la pa theksuar “Traktatin për Siguri Evropiane” e cila ishte iniciativë ruse e ndërmarr  në vitin 2009 që në kohën kur Dmitrij Medvedev qëndroi në krye të shtetit. Ndonëse atëbotë vendet perëndimorë e injoruan këtë propozim, dihet mirëfilli që synimi kryesor i këtij traktatit (i cili nuk u ratifikua kurrë) ishte që Rusia të përforcojë pozicionin e saj në skenën evropiane dhe nga ana tjetër të zvogëloj rolin e NATO-s dhe ShBA-së. Interesante është që shtetet evropiane politika e jashtme ruse nëpërmjet gjuhës së Lavrovit, i përmend në kontekst pezhorativ si, “…satelitët e saj… (ShBA-së: shën. i ynë). Sergej Lavrov kësisoj ul pozitën e UE-së në kuadër ta partneritetit transatlantik me idenë që, edhepse si një entitet i cili promovon autonominë strategjike, edhe më tej UE-ja nuk konsiderohet e pavarur!

Në ditën e parë të samitit Lavrov fjalimin e tij e përfundoi duke çmuar lartë integrimin euroaziatik i cili sipas tij, “…bazohet në bashkëpunim të barabartë në një ekuilibër të drejtë interesash”. Megjithë faktin që nuk u tha, me shumë gjasë në këtë pikë Sergej Lavrov aludon në partneritetin e Rusisë me Kinën në kuadër të iniciativave rajonale siç mund të jenë Unioni Ekonomik Euraziatik ose iniciative kineze Brezi dhe Rruga. Bashkëpunim ky (ruso-kinez) i cili për ta, konsiderohet i nevojshëm për të pasur pozicione më të favorshme në aktualitetet gjeopolitike të shek. XXI.

Në përgjithësi fjalimi i ministrit Lavrov është retorikë në të cilën udhëheqësja ruse e përdor tash e ca vite, dhe mund të thuhet që kjo retorikë e ashpër ndaj Perëndimit dhe institucioneve perëndimore, zë fill është që nga fjalimi historik i presidentit Putin në Konferencën e Sigurisë në Munih mbajtur në vitin 2007.

Ajo çfarë të bën përshtypje në kuadër të pranisë së tij në Shkup, është paraqitja e tij para gazetarëve në ditën e dytë të samitit ku iu drejtuan një sërë pyetjesh nga më të ndryshmet.

Rëndom pyetja e parë i erdhi nga gazetarët lokalë, e cila kishte të bëj pikërisht mbi raportet ose fërkimet e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë mbi identitetin! Në këtë aspekt, pa dashur që të injoron asnjërën palë, ministri Lavrov përgjigjet që, “…problemet e vazhdueshme në Ballkan, rrënjët i kanë në veprimet e Perëndimit.​” Kësisoj vërehet prirja e Federatës ruse që të paraqitet si aktor i cili nuk përzihet në punët e pazgjidhura të ballkanasve.

Interesante paraqet fakti që, ai ndër popujt që kanë jetuar në Jugosllavi i përmend “malazezët, sllovenët, sllovakët, serbët dhe maqedonasit…”, por çuditërisht nuk i përmend shqiptarët dhe boshnjakët. Gjithashtu nuk përmenden as kroatët, mirëpo në gjykimin tim, ai ose pa dashje i ka lëshuar dhe në vend që të përmend kroatët tha sllovakët ose me qëllim nuk i përmendi!?

Mos shqiptimi i shprehjeve “shqiptarët” dhe “boshnjakët” jep të kuptohet që në botëkuptimin rus, statusi i tyre në Ballkan është më i ulët sesa i popujve tjerë, dhe aq më tepër ata, (shqiptarët dhe boshnjakët) edhe më tej gjasme diplomacia ruse i sheh nën dioptrinë beogradocentrike!

Atij, nuk i ik pa përmendur edhe vendosja e flamurit kombëtar shqiptar në zyrën e kryeparlamentarit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi. Sikurse lë të kuptohet që në sytë  politikës ruse, ky flamur është corpus alinei për institucionet e Maqedonisë së Veriut. Për të, kjo është “…problem dhe të gjithë e dinë atë”.!? Se ku e sheh atë problem Sergej Lavrov, vallë tek prania e shqiptarëve në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, apo tek prania e flamurit kombëtar shqiptar në zyrën e ndonjë eprori, autori i këtij teksti nuk e ka të njohur.

Në anën tjetër, kur vjen në shprehje riemërimi i Maqedonisë së Veriut pohon që është “…shpikje…”, dhe se sipas tij, “të gjithë e kuptojnë se për çfarë bëhej fjalë.” Në këtë përdorim fjalësh, në mënyrë të heshtur, entuziazmohen të gjitha ato grupime politike që ishin kundër ndryshimit të emrit dhe në rastin më ekstrem, sikur favorizohen ata që duan kthimin e emrit të vjetër. Si duket në këtë çështje, pavarësisht që Federata Ruse e njeh Maqedoninë me emrin e ri, është e neveritshme për diplomacinë e saj, që ky emërtim solli anëtarësimin e vendit në NATO.

Më tej ai thekson se, “kolegët tanë perëndimorë inkurajojnë disa grupe etnike në Ballkan, por zënë një pozicion agresiv, diktatorial në lidhje me të tjerët”. Nga ajo çfarë kemi parë e kuptuar mbi raportet ruso-ballkanase, Sergej Lavrov këtu i referohet statusit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe tërheqë paralele me statusin e rusëve etnikë në vendet baltike.

Kjo mund të vërehet nëse i kthehemi fjalimit të tij të vitit 2015 para Asamblesë Federale ruse i cili ndër tjerash iu drejtohet homologëve perëndimor me pyetjen, “pasi keni përkrahur Marrëveshjen e Ohrit… a mund ta bëni të njëjtën gjë për rusët, në Estoni dhe në Letoni”?!

Për shefin e diplomacisë ruse, perëndimorët, “…gjithmonë kanë dashur të vendosin një komb kundër një tjetri atje (në Ballkan: shën. i ynë), dhe ata ende po e bëjnë këtë me sukses”. Mirëpo, vazhdon më tej se, “kodi gjenetik nuk do t’i lejojë njerëzit e vendeve të Ballkanit askënd t’i ofendojë”. Konsideroj që nëpërmjet këtij narracioni Sergej Lavrov ngjall simpatinë e popujve, kryesisht ortodoksë për Rusinë duke aluduar në atë se të gjitha të ligat iu vijnë nga Perëndimi dhe institucionet perëndimore!

Në pyetjen sa i takon situatës ndërmjet Kosovës e Serbisë, duket se Lavrov është i ndikuar kryesisht nga politika zyrtare dhe propaganda serbe pasi që “fajtor” për mosarritjen e Marrëveshjes për Asociacionin janë UE-ja dhe qeveria e Kosovës. Për diplomacinë ruse, “UE-ja tashmë ka përgatitur një dokument të ri për Asociacionin e Komunave Serbe të Kosovës, i cili është rrënjësisht i ndryshëm nga ai që nënshkruan Beogradi dhe Prishtina 10 vjet më parë.”

Kurse mbi integrimin eventual të Serbisë në UE, pohon që, “ata (UE-ja: shën i ynë) nuk do të japin anëtarësimin në UE derisa Serbia ta njohë Kosovën ose të paktën të mbështesë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.” Në këtë aspekt, ai synon që të mbaj lart madje të nxit retorikën antiperëndimore të Serbisë në rrugëtimin drejt anëtarësimit në UE.

***

Pavarësisht retorikës antiperëndimore të përdorur nga Sergej Lavrov në samitin e OSBE-së në Shkup, për popujt dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, destinimi kyç është EU-izimi dhe NATO-ja. Prania e saj, (e NATO-s) në truallin ballkanik ishte vendimtare për të ndalur kasaphanat e fundshekullit XX. Por, nuk ka dyshim që moskryerja e reformave të duhura, korrupsioni, mosfunksionimi i shtetit ligjor, vonojnë integrimin në kampin perëndimor dhe mundësojnë penetrimin e aktorëve të ndryshëm shtetëror dhe jo shtetëror. Sigurisht që në kuadër të arrirave të reja, popujt dhe shtetet të zhvillojnë komunikime me vende të ndryshme, por në rastin tonë (shqiptarë) është e nevojshme që paraprakisht të njihet realiteti i tanishëm social dhe politik në këto vise.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button