MPB konstatoi 1.594 shkelje nga motoçiklistët dhe përdoruesit e trotinetëve elektrikë

Kështu duket përditshmëria e thuajse gati çdo ngasësi të motoçikletave e trotinetëve. Shumë prej tyre ngasin në drejtim të kundërt pa i menduar pasojat.
Kur tu kujtohet, kalojnë rrugën sikur të ishin këmbësorë.
Varësisht nevojave, kur t’u kujtohet shndërrohen në këmbësorë dhe ecin nëpër trotuare.
Madje ca prej tyre, kënaqen kur bëjnë manovrime në rrugë.
Këto sjellje nuk janë të pranueshme për qytetarët. Thonë se kështu rrezikojnë jetën e tyre dhe të tjerëve ndërsa u bëjnë thirrje prindërve që të mos lejojnë fëmijët e tyre të ngasin motoçikleta e trotinetë, së paku deri në moshën 18 vjeçare.
“Ngasin shpejtë për së tepërmi. Duhet tempo të ngasin jo ashtu. Po mbysin njerëz e fëmijë. Duhet të kihet kontroll dhe nuk duhet tu jepen fëmijëve motorë para moshës 18 vjeçe”, tha një qytetar.
“Vozisin shpejtë pa kontroll hiç, motorët e trotinetet, problem janë, shumë problem….Duhet, ata që janë më të vegjël se 18 vjeç, s’duhet të ngasin motorë. Patjetër duhet ti ndalojmë. Po trotinetë? Edhe trotinetet, bile ato janë edhe më të rrezikshëm”, u shpreh një qytetar tjetër.
E për të dënuar këto sjellje, Ministria e Punëve të Brendshme organizoi aksion me kontrolle të përforcuara veçanërisht për motoçikletat, biçikletat elektrike dhe trotinetët elektrikë.
Mirëdita. Të shohim letërnjoftimin, patent shoferin dhe librezën e motoçikletës.
Aksioni zgjati gjashtë ditë ndërsa fokusi u vendos në përdorimin e pajisjeve mbrojtëse, gjendjen teknike të mjeteve, lejen e qarkullimit dhe ngasjen e përgjegjshme. Gjithsej u shqiptuan 1594 gjoba, shumica prej tyre për mos mbajtje të helmetave.
“Shkeljet më të shpeshta që janë konstatuar te ngasësit e mopedëve, motoçikletave, triçikletave dhe katërçikletave janë: mos përdorim të helmetës mbrojtëse dhe atë 962 shkelje, ngasje nën ndikim të alkoolit – 145, ngasje pa leje qarkullimi 70 shkelje. Gjatë kontrolleve, janë konfiskuar 41 motoçikleta. Te ngasësit e trotinetëve më së shumti shkelje janë konstatuar për mos përdorim të korsive për biçikleta dhe atë 63 shkelje, ngasje me një dorë apo përdorim të telefonit 17 shkelje, ngasje e personave që nuk kanë mbushur 14 vjet – 14 shkelje”, thanë nga MPB.
– 962 shkelje për mos përdorim të helmetës
– 145 shkelje për ngasje nën ndikim të alkoolit
– Janë konfiskuar 41 motoçikleta
Javë më parë ministri i brendshëm Pançe Toshkovski paralajmëroi dënime rigoroze ndaj qytetarëve që sillen në mënyrë devijuese me motoçikleta në rrugë ndërsa sa i përket trotinetëve, u shpreh se mendimi i tij personal është të ndalohen tërësisht. MPB njofton se edhe më tej do të vazhdojë me kontrolle të përforcuara dhe apelon deri te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion të respektojnë rregullat.
Kështu të mbetesh. Urdhëroni. Le të vazhdojmë kështu. Ashtu është faleminderit shumë./Alsat.mk.



