Murtezani: BE të veprojë me vizion të qartë strategjik, zgjerimi është domosdoshmëri gjeopolitike

Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani në fjalimin e tij në Kuvend ka thënë se BE patjetër të veprojë me vizion të qartë strategjik e jo me pavendosmëri sa i përket çështjes së zgjerimit. Sipas tij, zgjerimi nuk është vetëm çështje burokratike – por domosdoshmëri gjeopolitike.
“Sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut kisha fjalën time në takimin e 23-të të Komitetit të Përzier Parlamentar BE-Maqedonia e Veriut. Ky komitet tani më për dy dekada është themeli i partneritetit mes vendit tonë dhe Bashkimit Evropian, dhe qartë na tregon: Integrimi nuk është vetëm politikë – është vizion i përbashkët, vlerë dhe detyrim”, ka thënë Murtezani.
Ai shtoi se vendi po punon aktivisht në përmbushjen e reformave të kërkuara nga BE-ja dhe përmendi edhe Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Shkup në mars.
“Maqedonia e Veriut nuk po pret, por në mënyrë aktive po ndërton vendin e saj në BE. Punojmë në kahje të sundimit të së drejtës, rezistencës ekonomike, bashkëpunimit rajonal dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë. Hapi tjetër i rëndësishëm – Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Shkup në mars. Do të vazhdojmë hapërojmë përpara, sepse Evropa nuk është qëllim i largët – por realitet që e krijojmë çdo ditë”, ka shtuar Murtezani.



