Adem Demaçi, ikona e ndërgjegjes morale dhe politike

Ndërsa shumë të tjerë i këndonin ideologjisë së “vëllazërim-bashkimit” – një doktrinë shkombëtarizuese që promovonte marksizmin-leninizmin si përgjigjen e vetme ndaj çdo forme të nacionalizmit – Ademi po e vështronte me sy kritik pozitën e shqiptarëve. Komunistët jugosllavë i kishin asgjësuar në Kosovë dhe gjetkë të gjitha elitat politike jo-komuniste, duke krijuar një klimë përndjekjeje dhe terrori me metoda brutale staliniste.

Shkruan: Sylë UKSHINI, Prishtinë

Historia e jetës së Adem Demaçit – ngritja e tij si një shkrimtar i talentuar dhe qëndrimi heroik gjatë tre dekadave në burgjet jugosllave – nuk mund të kuptohet shkëputurazi nga historia e Kosovës nën regjime dhe qeveri të ndryshme serbe e jugosllave, të cilat shqiptarët, me pak dallime, i shihnin si qytetarë të huaj dhe i trajtonin me armiqësi. Po të kishte zgjedhur një jetë të rehatshme e oportuniste, duke iu përkushtuar vetëm letërsisë, Demaçi ndoshta do të ishte bërë një nga shkrimtarët më të njohur shqiptarë në Jugosllavi. Por, ai zgjodhi ta ndante fatin e Kosovës, duke u kthyer në një nga figurat më të njohura politike të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Ambicia e tij për bashkimin e kombit shqiptar në Ballkan ishte e pranishme qysh në rini. Ai ëndërronte një shtet të bashkuar shqiptar mes Kosovës dhe Shqipërisë. Me formimin e tij letrar dhe ndjenjën e madhe të sakrificës, Demaçi u dallua si një “rebel” i pamposhtur, i cili nuk u ligështua kurrë përballë sfidave. Disiplina dhe përkushtimi i tij i jashtëzakonshëm, të cilat i zbatoi edhe gjatë viteve të gjata të burgimit, e bënë atë një simbol të shpresës dhe të veprimit politik.

Megjithatë, Adem Demaçi nuk mund të kufizohet vetëm si i burgosur i ndërgjegjes apo si politikan. Ai ishte gjithashtu një humanist dhe një simbol frymëzimi për dekada të tëra. Veprimtaria dhe integriteti i tij i frymëzuan lëvizjet dhe grupet ilegale shqiptare kundër hegjemonizmit serb. Si një veprimtar origjinal dhe autoritet moral, ai e përfaqësonte shpirtin e qëndresës shqiptare.

Jorastësisht, në verën e vitit 1998, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e emëroi Përfaqësues Politik. Ai ishte personifikimi i sakrificës, simboli i mbijetesës në burgjet serbe dhe fitues i çmimit Saharov të Parlamentit Europian.

Popullariteti dhe ndikimi i madh i Adem Demaçit shpjegohen përmes autenticitetit dhe karakterit të tij të vërtetë, një staturë që shumica e figurave politike mund ta ëndërrojnë, por rrallëherë e arrijnë.

Mitologjitë kanë rëndësi

Adem Demaçi erdhi në jetë në vitin 1936, po atë vit kur lindi edhe Václav Havel, presidenti i ardhshëm çek dhe një nga disidentët më të njohur të Europës Lindore. Ashtu si Václav Havel-i, i cili thuhet se u pagëzua me emrin e Dukës së Premyslid-it, Shën Václav të shekullit X, edhe Zeqir dhe Nazife Demaçi e pagëzuan djalin e tyre me emrin Adem. Emri Adem (nga hebr. אָדָם Adam, që do të thotë “tokë”, “dhé” ose “njeri”) është një përshtatje islame e emrit biblik Adam, i cili lidhet me fillesat e njerëzimit. Kjo lidhje simbolike ia jep emrit kuptimin e “të parit”.

Fillimet e karrierës letrare dhe politike

Edhe pse vinte nga një familje që nuk i përkiste shtresës së lartë shoqërore, Adem Demaçi pati fatin të ndjekë shkollën më të mirë të kohës në Prishtinë dhe, në fillim të viteve të ’50-ta, të vazhdojë studimet për letërsi botërore në Universitetin e Beogradit. Për një fëmijë shqiptar të asaj kohe, kjo ishte një arritje e jashtëzakonshme. Ky moment shënoi një kthesë të rëndësishme në formimin e tij intelektual dhe politik, pasi ai i përjetoi nga afër dallimet e mëdha mes shqiptarëve dhe popujve të tjerë të Jugosllavisë. Ndërsa shumë të tjerë i këndonin ideologjisë së “vëllazërim-bashkimit” – një doktrinë shkombëtarizuese që promovonte marksizmin-leninizmin si përgjigjen e vetme ndaj çdo forme të nacionalizmit – Ademi po e vështronte me sy kritik pozitën e shqiptarëve. Komunistët jugosllavë i kishin asgjësuar në Kosovë dhe gjetkë të gjitha elitat politike jokomuniste, duke krijuar një klimë përndjekjeje dhe terrori me metoda brutale staliniste.

Pas Luftës së Dytë Botërore mijëra shqiptarë u dërguan në gulagët e Titos, ku u torturuan fizikisht dhe mendërisht, shpesh pa asnjë të drejtë ligjore për t’u mbrojtur në gjykatë. Në Kosovë, pas masakrës së Tivarit dhe terrorit komunist në Drenicë, përndjekjet vazhduan ndaj pjesëtarëve të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, një organizatë politike dhe ushtarake që kishte vepruar prej vitit 1944 deri në vitin 1951.

Përveç kësaj, në këtë periudhë shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera etnike po dëboheshin në Turqi, kurse pronat e tyre po u rrëmbeheshin për kolonët serbë. Ishte koha kur shqiptarëve u ishte ndaluar përdorimi i gjuhën shqipe në institucionet publike dhe private. Shqiptari asokohe ishte si hebreu nën regjimin nazist. Kjo periudhë, e cila nuk ndryshoi në thelb edhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur u riaktualizuan politikat e vjetra hegjemoniste ndaj shqiptarëve, do të linin ndikim në formimin e Demaçit. Ai mbetet një nga disidentët më të njohur shqiptar të regjimit komunist jugosllav. Amnesty International e njohu si të burgosurin e ndërgjegjes dhe në botë do të njihej edhe si Mandela i Kosovës për shkak të kaluarës së gjatë nëpër burgjet jugosllave, vite gjatë të cilave ai kurrë nuk do t’i mohonte idealet e tij nacionaliste për bashkim kombëtar. 28 vite në burgjet e ish-Jugosllavisë e bënë legjendë të mbijetesës së burgjeve serbe dhe një nga figurat më frymëzuese në lëvizjen kombëtare shqiptare në ish-Jugosllavi për formimin e republikës së Kosovës dhe të idesë për bashkimin e Kosovës me Shqipërisë. Sa më gjatë që qëndronte në burg, aq më mitike dhe me aq ndikim bëhej figura e tij në mesin e shqiptarëve të Kosovës, veçanërisht të rinisë studentore.

Adem Demaçi, i cili në rininë të hershme tregoi një talent të rrallë krijues, duke u bë një krijues me perspektivë të madhe, sikur të mos futej politikë, mbase do të bëhej shkrimtari më i madh shqiptar, të paktën në Kosovë. Botimet e tij të para ishin si 17 vjeçar në gazetën kryesore shqiptare “Rilindja” dhe në revistat prestigjioze “Jeta e re” dhe “Zani i Rinisë”. Talenti i tij letrar u dëshmua edhe nga shpërblimi që Demaçi mori nga gazeta “Rilindja” për tregimin “Lustraxhiu”. Veprat e tij u zbuluan nga redaktori letrar i të përditshmes “Rilindja”, Gjon Shinista, një ish-prift jezuit e poet, i arratisur nga Shqipëria enveriste. Meqë Kosova akoma nuk kishte universitet në gjuhën shqipe, Demaçi vendosi t’i ndjekë studimet për letërsi botërore në Universitetin e Beogradit, ky njihet me letërsinë dhe veprat e autorëve të njohur botërorë, të cilat, sigurisht, do të bëhen inspirim për të në ndjekjen e ëndrrave të tij politike dhe kombëtare. Pasi Jugosllavia socialiste me 1953 nënshkroi marrëveshjen xhentëlmenë me Turqinë, pas së cilës serish fillon shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, në vitet 1955/56 pushteti jugosllav e nisi aksionin e ashtuquajtur për mbledhjen e armëve, i cili përdorej si pretekst për shtimin e represionit dhe brutalitetit të paparë mbi shqiptarëve e Kosovës dhe viseve të tjera. Derisa “partizanët shqiptarë të Kosovës, të udhëhequr nga gjysmëanalfabetët Fadil Hoxha dhe Mehmet Hoxha, të cilët “nuk ishin të dëshiruar për shumicën e popullsisë shqiptare”[1], qëndronin indiferentë dhe bëheshin si të painformuar, meqë ata i kishin akomoduar mirë në sistemin jugosllav, një djalosh 19-vjeçar, me shkrimet dhe veprimet e tij politike, e denoncoi zëshëm shpërnguljen masive nën dhunë të shqiptarëve në Turqi dhe kundër fushatës për gjoja mbledhjen e armëve në dimrin e vitit 1955/56, si dhe kundër burgosjes së shqiptarëve për motive politike dhe, në përgjithësi, kundër politikës hegjemoniste serbe kundër shqiptarëve. Edhe pse ai paralajmërohet nga policia serbe në Beograd për veprimet e tij opozitare, ai nuk ndalet.

Kalvari i gjatë nëpër burgjet jugosllave

Ky qëndrim i shkrimtarit të Demaçit u bë i bezdisshëm për autoritet komuniste kosovare dhe jugosllave, të cilat dëshironin që në start ta disiplinonin. Për këtë qëllim ai arrestohet në vitin 1958. Në gjykimin që filloi në fillim të vitit 1959 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ku Adem Demaçi akuzohej si “armik i rrënimit të pushtetit popullor dhe të bashkimit-vëllazërimit të Jugosllavisë” dhe dënohet me 5 vite burg, Demaçi në fjalën e tij të fundit dha një deklaratë profetike, e cila do të realizohej me saktësi 60 vite më vonë: “Nëse Serbia dhe Jugosllavia nuk tërhiqen nga okupimi i Kosovës dhe nuk lejojnë që Kosova të shkëputet nga Jugosllavia për t’u bashkuar me Shqipërinë, atëherë nuk do të ketë paqe në Ballkan, as në Serbi e as në Jugosllavi. Nëse Serbia vazhdon me këtë politikë, do të bëhet shkaktare e shkatërrimit të plotë të Jugosllavisë dhe, në fund, nuk do ta ketë Kosovën”.

Më 1958 Demaçi e botoi romanin “Gjarpinjtë e gjakut”, që ishte romani i parë shqip në Kosovë, në të cilin ai e trajton gjakmarrjen ndërmjet shqiptarëve dhe për këtë çmohet si kryevepra e tij. Fill pas daljes së librit nga botimi, Demaçi u burgos për herë të parë më 19 nëntor 1958. Ky roman për tri dekada u botua dhe u lexua ilegalisht në mënyrë permanente, edhe pse romani kishte të bënte me çështje politike drejtpërdrejt. “Gjarpintë e gjakut” u bë një vepër frymëzuese dhe himnizuese për shumë krijues të rinj shqiptarë, ndërsa vetë Demaçi nga ky moment filloi të bëhet simbol i atdhetarizmit shqiptar në Kosovë. Nga ky moment ndikimi i Demaçit do të bëhet gjithnjë e më i fuqishëm në skenën politike shqiptare opozitare, madje ky ndikim arrin përmasat mitike, madje bëhet edhe më i fuqishëm se po të ishte vetë në liri. Sa më gjatë që qëndronte në burg, aq më frymëzues bëhej për rininë shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës, për të cilët Adem Demaçi u bë mit, u bë legjendë e mbijetesës së kombit shqiptar përballë represionit jugosllav.

Mbas lirimit më 1961, Demaçi burgoset sërish me 1964, për shkak se gjithnjë e më hapur angazhohet për idenë e bashkimit kombëtar, respektivisht bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Në nëntor të vitit 1963, me një grup shokësh, e themelon organizatën ilegale Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH), e cila si synim primar kishte “të drejtën e vetëvendosjes, deri në shkëputje të plotë” të shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera të banuara me shumicë shqiptare.

Gjatë periudhës së dytë të burgut (1964-1974), të cilën e kalon nëpër burgjet më të rënda të ish-Jugosllavisë, si në Nish, Pozharevac, ai nuk heq dorë tani edhe nga opsioni i një lufte të armatosur. Në kuadër të programit të LRBSH-së, ai e artikuloi më qartë konceptin e tij politik, duke pohuar qartësisht se shembujt e luftës për çlirimin e Kosovës do të ishin të vendeve të botës së dytë dhe të tretë, që u çliruan nga kolonializmi. “Ai nuk i pranon modelet komuniste sovjetike dhe kineze. Marksizmi i Demaçit ishte gjithnjë në mënyrë të shprehur antistalinist”[2], mendon studiuesi britanik James Pettifer, duke shtuar se ai “ishte ati politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë”[3].

Përkundër asaj se një pjesë e elitës kosovare me orientim të theksuar jugosllav, e njohur për qëndrim kujdestar kundër Shqipërisë, dëshironin ta portretizonin Demaçin si enverist, dëshmitarët e kohës, ata që e kanë njohur nga afër, e dëshmojnë të kundërtën. I pari është ai i të burgosurit të njohur Enver Tali, i cili kujton se si më 1966, në burgun e Nishit, Demaçi e kishte kritikuar politikën e Enver Hoxhës për shkak të mjerimit që e kishte shkaktuar regjimi i tij diktatorial. “Ia kemi pa sherrin edhe ne këndej në Kosovë.”, citohet të ketë thënë Demaçi.

Momenti i dytë ishte i Stara Gradishkës, gjatë kohës kur ai po e vuante burgun e tretë (1975-1990), kur Demaçi do t’i kontaktonte veç e veç të burgosurit e rinj që vinin nga Kosova gjatë viteve të ‘80-ta të shekullit 20-të, si Fehmi Lladrovci, Hafir Shala, Nuhi Ahmeti, Behxhet Shala e të tjerë. Nuhi Ahmeti, i burgosur politik që për një kohë ka qëndruar bashkë me Demaçin në burgun e Stara Gradishkës, tregon se në këtë kohë Demaçi jepte instruksione për të burgosurit shqiptarë se lëvizja kombëtare shqiptare në Kosovë duhet të zhvishet nga petku i saj ideologjik majtist, pasi një lëvizje e tillë nuk do të mund t’i shërbente kauzës së Kosovës dhe mund ta pengonte mbështetjen e botës perëndimore.

Ndërkaq, momenti i tretë është ai me regjisorin shqiptar Kujtim Çashko në vitin 1991, kur Demaçi e viziton për herë të parë Shqipërinë dhe zhvillon takime me drejtues të ndryshëm të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Sipas Çashkos, asokohe njerëzit e PDSH-së kishin shpresë dhe pritje se emri Demaçit mund t’u ndihmonte atyre në konsolidimin e radhëve. Por në momentin kur Demaçi viziton një shkollë të njohur në kryeqytetin shqiptar, ai zhgënjehet kur nxënësit pothuajse nuk dinin asgjë për Kosovën. Ai tronditet nga prapambetja e madhe e Shqipërisë dhe deklaron se nuk kishte mundur ta imagjinonte një prapambetje të tillë. “Ishte moment zhgënjyes për Demaçin, kur mësoi se nxënësit shqiptarë pothuajse nuk dinin asgjë për Kosovën.”, kujton Çashko, duke shtuar se nga ky moment simboli i rezistencës nga Kosova vendos të largohet dhe të mos përfshihet më tej në çështje politike.

Pas dënimit të tij me 15 vjet burg në vitin 1976, nga burgu i Prishtinës dërgohet në Burgun Qendror të Beogradit e, më pas, në Stara Gradishka të Kroacisë. Ngjarjet e rëndësishme politike në Kosovë, siç ishin demonstratat e marsit dhe prillit 1981, në të cilat studentët dhe punëtorët shqiptarë zëshëm kërkuan statusin e Republikës për Kosovën, e gjetën Demaçin në burgun kroat të Stara Gradishkës, prej ku ai do bënte përpjekje të ndiqte çfarë po ndodhte në atdheun e tij. Në këto demonstrata emri i Demaçit ishte motivues dhe tepër frymëzues për studentët shqiptarë. Andaj ata, pos që i demaskonin politikat diskriminuese jugosllave ndaj shqiptarëve, kërkonin edhe lirimin e të burgosurve politikë me në krye Adem Demaçin.

Pas demonstratave të vitit 1981, klima ndëretnike në Kosovë u përkeqësua me shpejtësi. Filloi diferencimi politik i kuadrove me orientim kombëtar. Elita politike shqiptare e Kosovës, në përpjekje për t’i ruajtur pozitat e saj politike dhe, bashkë më këtë, edhe privilegjet financiare, ishte rreshtuar përkrah qëndrimeve ekstreme të Beogradit, këto demonstrata studentore dhe kërkesën për republikë e cilësoi si nacionaliste dhe irredentiste. Ai konsideronte se ky oportunitet i elitës do ta minonte një ditë edhe pozitën e tyre, gjë që ndodhi vetëm 8 vite më vonë, në mars 1989, kur Millosheviqi e arrestoi Azem Vllasin si organizator i grevës së minatorëve të Trepçës. Megjithatë, Demaçi në një intervistë për gazetën “Borba” do të deklaronte se “Azemi është mbeturinë”, duke shtuar se Vllasi ishte përgjegjës për dënimin e njerëzve me urdhra politikë.

Rënia e Murit të Berlinit, një pikë kthese në historinë e Europës, shënoi fundin e Luftës së Ftohtë dhe dekompozimin e sistemit socialit në Europën Lindore dhe Juglindore. Në këtë kohë edhe në Jugosllavi filloi një valë e demokratizimit dhe, bashkë me të, edhe tendencat hegjemoniste serbe. Në këto rrethana të burgosurit e ndërgjegjes, sidomos ata që ishin jashtë terrorit të Serbisë, po liroheshin edhe para kohe. Kështu, në prill të vitit 1990 Demaçi kthehet në Prishtinë dhe lirimi i tij bëri bujë të madhe. Nga gjithë hapësira shqiptare dhe nga diaspora vinin njerëz të të gjitha moshave për ta takuar dhe për t’ia dhënë dorën Demaçit, i cili shikohej si hyjni dhe shpëtimtar. Në vend të entuziazmit që ishte liruar, Adem Demaçi deklaroi qartë se “ndodhej në burgun e quajtur Kosovë”, pasi ajo tashmë ishte pushtuar dhe asaj i ishte abroguar statusi autonom që e kishte sipas kushtetutës së vitit 1974”. Në një intervistë për gazetën “Veçarnjo List “ të Zagrebit, të datës 24.2.1990, me titull “Millosheviqi punon për ne”, Demaçi deklaronte se shqiptarët mund të ndjehen të barabartë vetëm në republikën e tyre.[4] Lidhur me këtë, ai ishte i bindur se uniteti i shqiptarëve dhe refuzimi masiv kolektiv ndaj Serbisë ishin dëshmi se ajo e kishte humbur luftën me shqiptarët. Për këtë arsye ai e befasoi shumicën e të burgosurve politikë kur deklaroi se nuk do të merrej me formimin e një partie politike. Përkundrazi, ai u sugjeroi atyre t’i bashkoheshin Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila, në atë kohë, ishte më shumë një lëvizje gjithëpopullore sesa një parti politike, duke kundërshtuar vijën politike të elitës komuniste kosovare. Në këtë periudhë ai u përkushtua në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke e konsideruar “këmishën” partiake tepër të ngushtë për të vepruar politikisht në rrethanat e okupimit serb.

Takimi me Bejkerin në Beograd

Në Kosovë kishte kohë që si zë autentik i shqiptarëve të Kosovës ishte legalizuar Alternativa, një grup i subjekteve politike dhe jopolitike, të cilat tashmë ishin opozitë e hapur e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë në Kosovë. Në fakt, më shumë se një politikë partiake, ky forum shërbente për artikulimin e kërkesave kombëtare përballë faktorit ndërkombëtar. Në mesin e shumë takimeve vlen të përmendet takimi i një delegacioni shqiptar nga Kosova në Beograd me Sekretarin e SHBA-s, James Bakeri, i cili, ngjashëm si u kishte thënë edhe liderëve të republikave tjera, edhe delegacionit kosovar në përbërje Ibrahim Rugova, Adem Demaçi e Vetopn Surroi, u kishte thënë se SHBA-ja është në favor të ruajtjes së tërësisë territoriale të Jugosllavisë. Në këtë bisedë, në stilin e tij të njohur dhe të drejtpërdrejtë, Demaçi kundërpërgjigjet. “Edhe ne jemi të interesuar që ta ruajnë Jugosllavinë, por duam të jemi të barabartë me të tjerët”[5]. Sidoqoftë, SHBA-ja vazhdoi të ndikojë në zhvillimet, por politika e saj para Dejtonit karakterizohej nga kontradikta të caktuara ndërmjet kuptimit më të mirë të situatës në teori dhe mungesës së qartësisë e të zgjidhjes në praktikë.

Meqë Jugosllavia shënoi fundin e saj tragjik dhe të përgjakshëm, gjë të cilën e konfirmoi edhe Komisioni i Badinterit, në prill të vitit 1992, Serbia dhe Mali i Zi bënë përpjekje për ta krijuar një shtet të ri jugosllav me pretendimin për t’u paraqitur si trashëgimtarë të RSFJ-së. Në këtë kontekst, shqiptarët e Kosovës zhvilluan një aktivitet të dendur politik, përmes të cilit synonin përjashtimin e Kosovës nga Jugosllavia e tretë dhe mosnjohjen e shtetit të ri jugosllav, megjithëse nuk u mor parasysh nga Komisioni i Badinterit. Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare (KKPPSH) dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut i shkruan një letër të gjatë, të firmosur nga Rugova dhe Demaçi, në të cilën përpiqeshin ta justifikonin historikisht pavarësinë e Kosovës.

Kallëzimi penal kundër Millosheviqit

Në periudhën 1991-1996 Demaçi e drejtoi Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (KMLDNJ), një institucion që luajti rol më të rëndësishëm se çdo parti politike në denoncimin e represionit serb mbi shqiptarët në Kosovë dhe për ndërgjegjësimin e opinionit publik për situatën nëpër të cilën po kalonte Kosova nën regjimin e Millosheviqit. Në cilësinë e kryetarit të KMLDNJ, me 10 qershor 1991, Demaçi e nënshkroi dhe e dorëzoi në Prokurorinë Publike të Jugosllavisë në Beograd një kallëzim penal, të hartuar nga avokatët e KMLDNJ-së. Ky kallëzim penal kundër Millosheviqit dhe shtatë zyrtarëve të Serbisë dhe të RSFJ-së përfshinte akuzën për gjenocid, për dënimet makabre për pjesëmarrësit e demonstratave, për largimin nga puna dhe për mbylljen e institucioneve shkollore, shëndetësore, kulturore, informative, ekonomike, politike e të tjera. Megjithatë, ky kallëzim penal nuk merret në konsideratë derisa një aktakuzë e tillë nuk ngrihet me maj të vitit 1999 edhe nga kryeprokurorja e Tribunalit për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, Loise Arbour.

Pikërisht një vit pas lirimit nga burgu, në dhjetor të vitit 1991, Demaçi e fitoi çmimin “Saharov” për Liri të Mendimit, çmim i themeluar nga Parlamenti Europian në dhjetor të vitit 1988 në nderim të disidentit rus Andrej Saharov dhe që përdoret për të laureuar individë dhe organizata që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Iniciativën e filluan dhe propozimin e dhanë njëzet e shtatë deputetë të Parlamentit Europian (nga i nënshkruari i parë – deputeti i Parlamentit Europian i të Gjelbërve nga Tiroli Jugor, Aleksandër Langer) dhe ngadalë pasuan gjithnjë e më shumë vota deri te Presidiumi i zgjeruar i Parlamentit Europian, i cili edhe e mori vendimin për ndarjen e këtij çmimi për Demaçin.

Në fjalimin e mbajtur me rastin e pranimit të çmimit, në ndërtesën e Parlamentit Europian në Strasburg, Demaçi deklaron: “Më vjen keq që nuk kam fatin t’ju them asnjë fjalë të gëzuar e të ëmbël nga hapësirat e asaj që ende i thonë Jugosllavi. Në Kosovë pushtuesit serbomëdhenj, hegjemonistë e militaristë, përmes dhunës më të egër, po i presin një nga një arteriet jetëdhënëse të popullit shqiptar duke rrënuar pa mëshirë e plotësisht sistemin informativ, arsimor, shëndetësor, kulturor, sistemin bankar-financiar, sistemin ekonomik, juridik dhe përfundimisht u gjet i rrënuar e i shkallmuar i tërë sistemi politik. E tërë Kosova është shndërruar në një megaburg ku shqiptarët nuk gëzojnë as sigurinë më të vogël fizike, as juridike.”

Sipas Nermin Vlora-Falaskit, çmimi “Saharov” iu dha jo vetëm për ta nderuar sakrificën e një njeriu, por edhe të mbarë popullit shqiptar, duke përfshirë dy milionë shqiptarë të Kosovës dhe një milion të tjerë në Maqedoni e Mal të Zi.[6]

Në këtë periudhë, Demaçi – në një peticion drejtuar Komisionit të të Drejtave të Njeriut të KB-së në Gjenevë – raportonte për masat legjislative të marra nga Beogradi në Kosovë dhe fliste për gjenocid. Por, kur në qershor të vitit 1992 policia serbe pengoi mbledhjen e parlamentit të zgjedhur dhe Rugova vazhdoi me rezistencën e tij paqësore ekskluzive, Demaçi filloi kritikat e para ndaj rrugës paqësore të Rugovës, duke e konsideruar si politikë të pasuksesshme. Për këtë qëllim, ai iu bashkua nismës së Iniciativës së Bashkuar Demokratike Jugosllave (UJDI) për organizmin e një marshi paqësor “Varrimi i dhunës”, përmes së cilës provohet të bëhej një rezistencë më ndryshe nga ajo që e ndiqte LDK-ja dhe Rugova. Po kësaj, Demaçi si gjithherë na paraqitet si një njeri tepër dinamik dhe i vendosur për ta kundërshtuar regjimin represiv të Millosheviqit. Në maj të vitit 1993, kryeredaktori i javores “Zëri” e nisi një grevë urie në Pallatin e Shtypit “Rilindja”, së cilës i bashkohen dhe shumë gazetarë të tjerë shqiptarë, për mbrojtjen e shtypit dhe të fjalës së lirë shqipe.

Në të njëjtën kohë, ai theksonte se Serbia i vazhdon përpjekjet për zgjerimin e ndikimit, duke përdorur dhunën si mjet kryesor politik. Shqiptarët e pranojnë dialogun dhe marrin parasysh interesat serbe, por refuzojnë nënshtrimin ndaj Serbisë.[7] Demaçi i përsëriste qëndrimet e kritikat e tij të njohura edhe ndaj rolit të faktorit ndërkombëtar në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe e kritikonte diskursin politik të partive shqiptare në Kosovë. Duke u përgjigjur në një intervistë për Radio Deutsche Welle rreth punës së partive politike në Kosovës, ai konstatoi se “rezultatet e punës së tyre pesëvjeçare janë me të vërtetë katastrofale. Nuk dua t’i numëroj të gjitha çka kemi pësuar dhe kemi mundur të bëjmë.[8] Ndërsa në pyetjen se çka mund të bëjë Shqipëria për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Demaçi deklaronte: “Tash për tash Shqipëria nuk mund të ndikojë, sepse edhe Shqipëria është nën ndikimin e faktorit të jashtëm, të cilët janë të interesuar që zgjidhjen e çështjes së Kosovës ta bëjnë ashtu siç mendojnë, sipas interesave të tyre, domethënë duke parë zgjidhjen tonë në suazat e Republikë së Serbisë, domethënë duke garantuar një autonomi, por asgjë më shumë.”[9]

Në rrethanat kur mungonte interesimi i duhur ndërkombëtar për Kosovën, Demaçi doli me një nga nismat më të këqija politike, me idenë e një konfederate ballkanike “Ballkania”, për të cilën ai nuk arriti të gjente mirëkuptim as të njerëzve të tij më të afërt. Ishte një nismë ku duhej të bënin pjesë Serbia, Mali i Zi dhe Kosova, pothuajse si nisma e viteve e të fundit “Ballkani i hapur.” Kjo nismë i dha shkas për sulm edhe LDK-së, e cila kishte një prirje që opozitarizmin e Demaçit ta interpretonte si “qëllim të tij për rrëzimin e Ibrahim Rugovës nga posti”. Por, Demaçi nuk ndalet. Ai e akuzon Rugovën edhe për Marrëveshjenn për Arsim, të cilën ai e kishte nënshkruar me Millosheviqin, por vetëm si qytetar dhe jo si përfaqësues i popullit të Kosovës.

Demaçi, në vend të rehatisë dhe komoditetit personal, gjithmonë zgjodhi aksionin politik dhe luftën për kauzën kombëtare të Kosovës. Kur Kosova u anashkalua në Dejton (dhjetor 1995), Demaçi, si shumë bashkëmendimtarë dhe bashkëveprimtarë të tij, kishin mendimin se kjo është ora e kthesës së madhe, kur edhe shqiptarët e Kosovës, nëse dëshironin të arrinin atë që kishin mbërritur tashmë kroatët dhe sllovenët, duhet ta ndryshonin kursin politik, pasi rezistenca civile nën Ibrahim Rugovën nuk po jepte rezultatet e pritura dhe të projektuara nga elita politike.

Pas angazhimit fillestar në krye të Partisë Parlamentare të Kosovës (PPK) në vitin 1997, pika kulmore e angazhimit për kauzën kombëtare të Kosovës pa dyshim ishte me rreshtimin në krahun e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK):, e cila për herë të parë u shfaq në publik në funeralin e mësuesit Halit Geci, në Llaushë të Drenicës, më 28 nëntor 1997. Për shumë vëzhgues të Ballkanit ishte e qartë se kishte ndodhur një ngjarje e pritur prej shumë kohësh. Sipas James Pettifer-it, nënkryetari i LDK-së, Fehmi Agani, deklaroi: “Do të ishte gabim i madh qoftë ta injorojë ekzistencën e UÇK-së, qoftë ta shikojë shfaqjen e saj me eufori”[10]. Ky ishte një qortim ndaj politikës së dështuar të Rugovës, por gjithashtu një deklaratë që e reflektonte atë që shumica e kosovarëve e dinin: se lufta ishte e pashmangshme.[11] Një arritje tjetër e madhe e UÇK-së ishte se ajo e shmangu përfshirjen në ndonjë element të islamit[12] dhe, në këtë mënyrë, ia doli t’i amortizonte pretendimet e Beogradit se lufta në Kosovës kishte karakter fetar dhe jo kombëtar. Ky orientim nuk ishte i rastësishëm, por mbështetej në postulatet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila e relativizoi religjionin përballë kauzës kombëtare. Në këtë kontekst duhen parë edhe komunikimet dhe lidhjet e vazhdueshme të elitës politike kosovare me drejtuesit e Vatikanit në Romë, përfshirë një vizitë të Adem Demaçit gjatë verës së vitit 1994.[13] Përveç tjerash, në një intervistë për gazetën “Kosova sot”, Demaçi u bënte thirrje shqiptarëve për më shumë unitet në mbrojtjen e vendit përballë agresionit serb. Më tej ai shtonte se shqiptarët e kanë parë se nuk ka forcë tjetër çlirimtare, veç UÇK-së. “Është momenti që forcat të cilat nuk janë të gatshme të flijohen ashtu si e kërkon liria të tërhiqen, të shikohen në pasqyrë dhe të mos bëjnë përpjekje të kota që të imponohen dhe ta zënë vendin i cili nuk u takon në bazë të raportit të forcave.”[14], deklaronte ai.

Demaçi, përfaqësues politik i UÇK-së në Prishtinë

Në përgjigje të rrethanave të reja imponohej krijimi i institucioneve të reja kosovare në të cilat spektri politik i Kosovës do të përfaqësohej denjësisht. Për këtë qëllim, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në deklaratën politike numër 7 të datës 13 gusht 1998, ia dha besimin e plotë Adem Demaçit që të marrë rolin udhëheqës në këtë proces.[15] “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke qenë jashtë çdo ombrelle partiake kërkon nga Adem Demaçi të tërhiqet nga veprimtaria politike.”[16], thuhej mes të tjerash në këtë deklaratë të UÇK-së. Nga ky moment, po ashtu, ai do të deklarohej se ka hequr dorë edhe projekti vetjak politik për konfederatën “Ballkania”. “Projekti “Ballkania” ka qenë projekti im privat dhe ka pasur përkrahjen të partisë sime. Meqë UÇK-ja është shprehje e vullnetit të popullit, kurse ai është shprehur në referendumin e ‘91-shit, unë jam i detyruar të angazhohem për realizimin, plotësimin dhe sendërtimin e vendimeve të këtij referendumi.”[17], deklaroi Demaçi në intervistën e tij vetëm pak ditë pas pranimit të detyrës së re si përfaqësues politik i UÇK-së.

Emërimi i tij si Përfaqësues i Përgjithshëm Politik të UÇK-së në vitet 1998/1999 gjithsesi ndihmoi në ndërtimin e një imazhi pozitiv të UÇK-së brenda vendit dhe në botë. Demaçi i ftoi të gjithë qytetarët e Kosovës dhe ata në diasporë që t’i bashkohen radhëve të UÇK-së. Në të njëjtën kohë ai zotohej se do ta hapë zyrën e tij në Prishtinë, ai premtonte se do të punonte në kërkim të rrugëve paqësore, demokratike e politike.[18]

Me këtë, po ashtu, Demaçi mori përsipër ta krijojë Asamblenë Kombëtare, që do të përbëhej nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të dalë nga zgjedhjet e 22 marsit 1998, por që duhej të përfshinte edhe një numër të caktuar të përfaqësuesve të partive politike të cilat nuk kishin pranuar të merrnin pjesë në zgjedhje vetëm pak ditë pas masakrës mbi familjen Jashari. Demaçi, për veten e vet, nuk pranon asnjë post, pasi ai beson që këto poste u takojnë veç atyre burrave që në fronte po përballen me forcat ushtarako-policore serbo-jugosllave”. Lidhur me këtë çështje dhe mundësinë e formimit të një qeverie të koalicionit, Demaçi ishte kategorik se një gjë e tillë nuk mund të bëhej me Rugovën, duke nënvizuar se me fiksione nuk mund të zgjidhen problemet. “Ne nuk mund të hyjmë në qeveri koalicioni, pasi nuk kemi pranuar zgjedhjet e 22 marsit 1998 dhe rezultatet e tyre.”, deklaroi ai, duke theksuar se problemet nuk zgjidhen me iluzione. Ai i respektoi përpjekjet paqësore të Rugovës, por i konsideroi të pamjaftueshme për ta ndaluar represionin serb. Për të, injorimi i UÇK-së, si faktori kryesor dhe promovimi i një politike të pafrytshme, ishin të papranueshme. Për këtë arsye, ai refuzoi çdo projekt politik ku Rugova ishte i përfshirë, duke e quajtur bashkëpunimin të pamundur.[19]

Nga kjo detyrë e re, ai zhvilloi takime, intervista dhe debate të shumta me përfaqësues dhe diplomatë amerikanë dhe europianë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje politike për statusin e ardhshëm të Kosovës. Në një intervistë për Frankfurter Rundschau, më 8 shtator 1998, Adem Demaçi theksoi se shqiptarët ishin të gatshëm të paguanin çdo çmim për lirinë dhe dinjitetin e tyre. Ai e refuzoi çdo mundësi për bisedime pa kushte paraprake, duke argumentuar se kjo do të ishte në avantazhin e Serbisë dhe në disavantazh të shqiptarëve. Demaçi shprehu mosbesim ndaj propozimit të Beogradit dhe theksoi se nuk mund të kishte bisedime pa i respektuar referendumet e vitit 1991 dhe kërkesat për pavarësi. Ai gjithashtu i kritikoi ndërkombëtarët për moskuptimin e natyrës së regjimit serb dhe kërkoi një ndërhyrje të fuqishme ndërkombëtare për të mundësuar kthimin e refugjatëve dhe për ta detyruar Serbinë ta ndalë dhunën.[20] Edhe në intervistën tjetër për gazetën gjermane “Die Tageszeitung” (janar 1999), Demaçi shprehet skeptik për mundësinë e një zgjidhjeje të shpejtë për Kosovën, duke theksuar se UÇK-ja është e vetëdijshme për epërsinë ushtarake serbe. Në këtë kontekst, në shtypin gjerman ai e kritikon regjimin serb për shkatërrimin e fshatrave dhe zhvendosjen e shqiptarëve, ndërsa thekson se UÇK-ja do të negocionte vetëm pas tërheqjes së forcave serbe. Ai e mbështet ndërhyrjen ndërkombëtare dhe ndihmën nga Shqipëria për ta arritur lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.[21]

Në këtë kontekst, përfaqësuesi politik i UÇK-së i kundërshtoi të gjitha draft-propozimet për një zgjidhje politike të krizës në Kosovë nga i dërguari i posaçëm amerikan, ambasadori Christopher Hill. Megjithatë, Hill-i nuk arriti ta bindë Demaçin se në Kosovë duhet të vendosen së pari institucionet dhe demokracia dhe pastaj të mendohej për liri. Demaçi u përgjigj duke theksuar se në dokument nuk përmendej asnjë fjalë se kush do ta garantonte të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje. Po ashtu, në Beograd, VIP News raportoi se UÇK-ja po armatosej me shpejtësi në Kosovë.”[22]

Por, në janar 1999, masakra e Reçakut shënoi një pikë kthese në luftën e Kosovës. Lajmet për mizoritë e forcave serbe tronditën botën, e rikthyen luftën në vëmendjen ndërkombëtare. Ky akt kriminal i Beogradit e mobilizoi faktorin ndërkombëtar dhe i përshpejtoi diskutimet për një ndërhyrje të mundshme nga NATO. Me 29 janar Grupi i Kontaktit mori vendim për organizimin e Konferencës së paqes për Kosovën në Rambouillet të Francës. Faktori ndërkombëtar ishte interesuar të gjente një kompromis mes palës shqiptare dhe asaj serbe. Kjo konferencë shihej si shans i fundit për një zgjidhje paqësore, duke u mbështetur në kërcënimin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s.[23] Sidoqoftë, Jugosllavia e mbetur e pranoi ministrin e Jashtëm britanik, Robin Cook, dhe “Parimet e panegocioueshme/elementet themelore të Grupit të Kontaktit për bisedime me palën kosovare. Në fakt, në shumë aspekte, parimet e panegociueshme ishin jashtëzakonisht të ngjashme me deklaratën 11-pikëshe për zgjidhjen, që e kishte bërë Beogradi në mënyrë të njëanshme, me 13 tetor 1998, në kontekst të Marrëveshjes Holbrooke. Në rast se pala kosovare e refuzonte marrëveshjen, presioni do të binte mbi Kosovën dhe NATO-ja nuk do të ishte në gjendje të përdorte forcën kundër caqeve ushtarake serbe. SHBA-ja, përkundër hezitimeve të palës serbe, ushtroi trysni që të formohej një delegacion i shqiptarëve që do të përfshinte drejtpërdrejt edhe UÇK-në. Një marrëveshje që do të kundërshtohej nga UÇK-ja konsiderohej shumë e rrezikshme.

Kundër parimeve të panegociueshme të Grupit të Kontaktit

Megjithëse LDK-ja, LBD-ja dhe përfaqësues të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së u pajtuan të merrnin pjesë në këtë konferencë, Adem Demaçi e refuzoi edhe planin edhe mundësinë e pjesëmarrjes në këtë konferencë. Ky ishte, pa dyshim, episodi më dramatik në prag dhe gjatë tërë rrjedhës së Konferencës së Rambujesë. Derisa Rugova e Qosja i thonë po këtij dokumenti në takim me ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Robin Cook, i cili edhe do të ishte një nga drejtuesit e Konferencës së Rambujesë (shkurt mars 1999), Demaçi refuzon ta pranojë dokumentin e Grupit të Kontaktit, pasi ky dokument nënvizonte çështjen e integritetit territorial të Jugosllavisë së mbetur, ndërkohë që për Kosovën ofronte vetëm një autonomi. Ai u deklarua se SHP i UÇK-së duhej ta refuzonte dokumentin dhe, rrjedhimisht, Konferencën e Rambujesë. Por, shkuarja e përfaqësuesve të UÇK-së në këtë konferencë ndërkombëtare e la të vetëm Demaçin përballë ndërkombëtarëve dhe publikut shqiptar. Madje, ai mbeti rezistues edhe pas fillimit të Konferencës së Rambujesë, kur kryetari i delegacionit të Kosovës në Rambuje, shkon papritur për ta takuar Demaçin në Lubjanë, i cili mbetet konsistent në qëndrimin e tij refuzues. Kjo kundërshti e tij nuk bëhej as për teket personale, as për një pozitë më të mirë politike, por thjesht ai kishte bindjen dhe shpresën se Kosova mund të merrte më shumë në këtë konferencë, se mund të kishte një plan më të mirë për Kosovën, meqë kishte nisur një luftë të armatosur. Në të vërtetë Rambujea krijonte një perspektivë të re për shqiptarët, respektivisht ishte fillimi i shkëputjes së Kosovës nga kontrolli i dhunshëm i Beogradit. Pavarësia imediate e Kosovës sigurisht do të ishte një solucion më i mirë se ky që propozohet, por konsensusi i superfuqive, kompromisi që ata e kanë arritur, është një realitet.[24]

Përplasja e Demaçit me Sekretaren Albright dhe Kadarenë

Në anën tjetër, Demaçi i vetëm e luftoi këtë realitet, edhe pse të tjerët, duke përfshirë dhe Kadarenë, një veprim të tillë e quanin të dëmshëm dhe me pasoja të rënda për Kosovën. Në këtë pikë ai do të përplasej keq, madje, edhe me Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila do ta qortonte rëndë atë për këtë qëndrim.

Në këto rrethana dramatike, kur ekzistonte edhe rreziku i dështimit të Konferencës në Rambuje, pasi rezistenca e Demaçit të ndikonte që edhe përfaqësuesit të dilnin kundër marrëveshjes, ndërhyri edhe Sekretarja e Shtetit e SHBA-së, Madeleine Albright, e cila i telefonoi Demaçit për ta bindur që ta mbështesë Thaçin për nënshkrimin e Marrëveshjes Rambujesë. Por, përkundër insistimit të Albright-it, Demaçi nuk iu bind Sekretares Amerikane, duke i thënë se nuk mund të pranonte asgjë pa më takuar personalisht dhe sugjeroi që Albright-i të shkonte Slloveni për bisedime me të. Pas kësaj kërkese, Sekretarja amerikane u kundërpërgjgj: “Shiko, palët kanë negociuar për dy javë. Afati po skadon pas disa orësh. Mund të takohemi në të ardhmen, por tani duhet t’ia përcjellësh Thaçit mbështetjen tënde për këtë marrëveshje. Dështimi yt do të të ndjekë kur shqiptarët e thjeshtë të jenë duke vdekur”. Ndaj një konstatimi të tillë të fortë, Demaçi reagoi duke thënë se: “Ne i vlerësojmë përpjekjet tuaja, por nuk mund të nxitohemi. Nëse është e nevojshme që të vdesin tridhjetë mijë shqiptarë, ashtu qoftë, por nuk mund t’i dorëzojmë armët tona në këmbim të premtimeve. Ne kurrë nuk do ta braktisim ëndrrën për liri”.

Albright-i kujton se propozimi i saj nuk i detyronte shqiptarët të hiqnin dorë nga ëndrra e tyre për pavarësi, por ajo konsideronte se pranimi i Marrëveshjes së Rambujesë ishte një mundësi e mirë për paqe. Pas deklarimit të Demaçit se ishte e pamundur që ta mbështeste Thaçin për pranimin e marrëveshjes, Sekretarja Albright kujton se e kishte mbyllur telefonin me neveri, duke shtuar se “kjo ishte një nga bisedat më tronditëse që kisha pasur ndonjëherë”[25].

Pavarësisht nga qëndrimi i Demaçit, ndërkohë pjesa tjetër e delegacionit shqiptar po bindej se marrëveshja ishte e favorshme dhe se ajo do të mbështetej nga shumica e kosovarëve. Për ditë të tëra Albright-i dhe ndërmjetësit e tjerë ndërkombëtarë e kishin diskutuar idenë që shqiptarët të mos e nënshkruanin menjëherë marrëveshjen, por vetëm të premtonin ta bënin këtë pas dy javësh, pasi t’ia shpjegonin përmbajtjen saj popullit të Kosovës.

Por, nga ana tjetër, as Demaçi nuk e fshehte krenarinë e tij përse e kishte kundërshtuar nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë dhe me të njëjtën kohë do t’i kundërpërgjigjej shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare, pas insistimit të këtij të fundit se marrëveshja duhej të pranohej. “Me sa duket, strategjia serbe është bazuar pikërisht në këtë kurth: t’i bëjë shqiptarët bashkëfajtorë, madje edhe fajtorë, dhe vetë të dalë e larë… Askush s’ka të drejtë të propozojë shkrumbin dhe vdekjen për popullin e vet. Ju jeni aty për lirinë, pra për jetën e Kosovës dhe për vdekjen e saj.”, shkruante Kadare në letrën e tij dërguar delegacionit shqiptar për Rambouillet. Ndërkaq, në një shkrim tjetër, i çliruar për të mos prekur sedrën e delegatëve në çaste aq të vështira, Kadareja shkruan për gazetën “Koha Ditore” një artikull të titulluar “Kapardisja shqiptare”, ku kritikonte ashpër kundërshtarët e nënshkrimit të marrëveshjes së Rambouilletit. “Lufta e popullit shqiptar të Kosovës për çlirim nuk është një aventurë primitive kaçakësh ballkanas për t’u kujtuar pastaj në ndonjë këngë fshati, por bën pjesë në emancipimin dhe kulturën e lirisë të krejt qytetërimit europian,” shkruante Kadareja. Në kundërpërgjigjen e tij, Demaçi e cilësoi Kadarenë shkrimtar të madh, por njeri të vogël, i cili këto qëndrime po i shpërfaqte vetëm për ta fituar çmimin Nobel. Në atë kohë, kundër Demaçit doli edhe Zyra e Presidentit të Shqipërisë, Rexhep Meidani, e cila shprehu mospajtim me qëndrimet e tij gjatë dhe pas bisedimeve në Rambujesë. Zyra e nënvizoi rëndësinë e qëndrimit të përbashkët të Kosovës, duke theksuar nevojën që të flitej me një zë të unifikuar. “Shpresojmë se ai (Demaçi) do të ndryshojë qëndrimin e tij dhe do t’i përmbahet qëndrimit të përbashkët të të gjithë faktorëve shqiptarë në Kosovë.”[26], kishte deklaruar zëdhënësi, Sotiraq Hroni.

Kundër marrëveshjes për qeverinë e përkohshme

Atmosfera e bisedimeve në kështjellën historike të Rambujesë duket se ndikoi pozitivisht te anëtarët e delegacionit shqiptar, duke lehtësuar mbylljen e pjesës së parë të konferencës përmes negociatave të brendshme. Pas vendimit të negociatorëve shqiptarë për ta pranuar marrëveshjen paqësore në parim, ata vazhduan diskutimet ndërmjet tyre në përpjekje për ta institucionalizuar jetën politike në Kosovë. Agjencia e lajmeve KosovaPress, më 23 shkurt 1999, raportoi se “delegacioni i Kosovës në Rambuje, pas konsultimeve mes grupimeve politike dhe ushtarake, kishte vendosur të formohej Qeveria e Përkohshme e Kosovës, e cila do të funksiononte deri në mbajtjen e zgjedhjeve të lira në Kosovë. Mandatari i kësaj qeverie, sipas marrëveshjes, do të ishte një përfaqësues i UÇK-së”. Sipas marrëveshjes, tri grupimet kryesore – UÇK, LDK dhe LBD – do të kishin përfaqësim të barabartë në këtë qeveri. Vendimi ishte nënshkruar nga Ibrahim Rugova (LDK), Hashim Thaçi (UÇK) dhe Rexhep Qosja (LBD).[27]

Ky vendim u mor vetëm një ditë pas takimit mes komandantit të ri suprem të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, dhe përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së, Adem Demaçi. Në këtë takim, Demaçit i ishte dhënë mbështetja për ta marrë (mos)miratimin e çfarëdo vendimi politik në emër të UÇK-së.[28] Prandaj, në komunikatën e Zyrës së udhëheqësit politik të UÇK-së, lajmi për formimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës u vlerësua me tone të ashpra dhe negative, si një veprim që ishte në kundërshtim me përpjekjet e UÇK-së dhe udhëheqësit të saj politik. “Iniciativa për krijimin e ashtuquajturës Qeveri e Përkohshme të Kosovës nuk është gjë tjetër veçse një tentativë e dobët dhe private e atyre që dështuan në bisedimet e dështuara në Rambouillet, të cilët përdorin mjete të tilla për të qëndruar në skenën politike të Kosovës.”[29]

Në rrethana të goditjeve mediale dhe veçanërisht pas debatit të ashpër me drejtuesit e UÇK-së, më 2 mars 1999 Adem Demaçi e bën publike dorëheqjen e tij si Përfaqësues i Përgjithshëm i UÇK-së. “Unë po jap dorëheqje sepse nuk ka kuptim që t’u shërbejë atyre që mendojnë se e dinë politikën më mirë se unë. Do të isha njeriu më i lumtur sikur parashikimet e mia të dilnin të sakta.”, do të deklaronte Demaçi në konferencën e fundit para gazetarëve. Ndoshta ky ishte momenti i fundit i Demaçit në rrugëtimin e tij politik, pasi në periudhën e pasluftës i tërë angazhimi i tij do të jetë larg partive politike, por zëri i tij gjithmonë do të jetë i pranishëm në publikun shqiptar si një artikulues autentik i pikëpamjeve kritike dhe si një korrektor i pakompromistë i shumë proceseve politike. Edhe pse qëndroi larg procesit të bisedimeve të Vjenës për adresimin e statusit final të Kosovës (2006-2007), në fund ai e pranoi ftesën e kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, për të marrë pjesë si mysafir i Kuvendit në ditën dhe momentin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke qenë i bindur se ky ishte momenti për të mos qëndruar vetëm si spektator dhe kritik. Me këtë hap, simboli i rezistencës shqiptare dhe gandiane la pas mosmarrëveshjet që i kishte pasur në kohën e Konferencës së Rambujesë me Thaçin dhe drejtuesit e tjerë të UÇK-së.

Përfundim

Ai ishte i vetëdijshëm se pavarësia e Kosovës ishte një kompromis dhe një pragmatizëm i domosdoshëm në rrethanat e reja gjeopolitike, por, në të njëjtën kohë, ideja e bashkimit kombëtar mbetej për të si zgjidhja më e drejtë dhe ideale.

Paralelisht me këtë, duke dashur të jepte mesazhin se shqiptarët mund të ndërtojnë një shoqëri me vlera europiane edhe përkundër vuajtjeve të gjata nën regjime dhe qeveri të ndryshme serbe, ai u angazhua për bashkëjetesën mes komuniteteve të ndryshme në Kosovë. Për këtë qëllim, ai mori një mision të vështirë dhe aspak popullarizues në rrethanat e pasluftës, ku plagët e luftës mbeteshin ende të hapura: drejtoi Komitetin për Tolerancë dhe Bashkëjetesë në kuadër të KMDLNJ-së, përmes të cilit ndërtoi një komunikim intensiv me pjesëtarët e pakicave në Kosovë dhe njëkohësisht u përpoq ta emanciponte komunitetin shumicë në Kosovë, shqiptarët, se kjo është forma e duhur për demonstrimin e fuqisë shtetformuese të shqiptarëve. Pavarësisht ngritjeve dhe rënieve të tij, në rrugëtimin e tij të gjatë politik për kauzën kombëtare Adem Demaçi mbetet figura më unike kombëtare, simbol i mbijetesës, sakrificës dhe pavarësisë së Kosovës, i cili u shndërrua në udhëheqës dhe ndërgjegje morale dhe politike të rezistencës shqiptare në Kosovë gjatë gjysmës së dytë të shekullit 20.

 

z[1] Schwartz, Stephan, Kosova, prejardhja e nji lufte, rrokullia, Prishtinë, 2021, f. 91.

[2] Pettifer, James, Ushtria Çlirimtare e Kosovës: Nga një luftë e fshehtë në një kryengritje të Ballkanit 1948-2001. Onurfi, Tiranë, 2013, f. 68.a

[3] Pettifer, James, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, f. 65.

[4] Zëri i Kosovës, Viti IX i botimit, Nr. 3, mars 1990, f. 1,3,4 dhe 5.

[5] Gashi, Shkëzen, Adem Demaçi – biografi e paautorizuar, Botoi “Rrokullia,” Prishtinë, 2010, f. 89).

[6] Vlora-falaski, Nermin, “Adem Demaçi-Simbol i qëndresës gandiane,”

Bujku, 21.05. 1994

[7] “Serbia nuk ndalet pa u ndaluar,” Intervistë e Adem Demaçit për Televizionin Shqiptar,Bujku, 7. 05. 1994.

[8] Intervistë e Demaçit për Deutsche Welle: “Synimet t’i mbulojmë me vepra e sakrifica,” Bujku, 1.07. 1995.

[9] Intervistë e Demaçit për Deutsche Welle: “Synimet t’i mbulojmë me vepra e sakrifica,” Bujku, 1.07. 1995.

[10] Pettifer, James, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, f. 127.

[11] Po aty, f. 127.

[12] Po aty, f. 290.

[13] Sedaj, Engjëll, “Adem Demaçi në Vatikan”, Bujku, 1.06. 1994.

[14] “Është koha që të shkojnë ata që nuk duan të rrezikojnë,” Kosova sot, 1 e 2 janar 1999.

[15] Deklaratë politike numër 7 e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Koha ditore, 14. 08. 1998, f. 2.

[16] Deklaratë politike numër 7 e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Koha ditore, 14. 08. 1998, f. 2.

[17] Demaçi: “Politika e dr. Rugovës ka perënduar”!, Koha Ditore 15.8. 1998, f. 5.

[18] Bisedë me Adem Demaçin, përfaqësues politik i UÇK-së. Koha Ditore, 25. 8. 19998, f. 4.

[19] Demaçi: “Politika e dr. Rugovës ka perënduar”!, Koha Ditore 15.8. 1998, f. 5.

[20] Frakfurter Runschau, 8.9. 1998; Ukshini, Sylë, Lufta për Kosovën, f. 34-37.

[21] “Die UÇK macht keine Illusionen”, Die Tagezeitung, 2/3. 01. 1999.

[22] Pettifer, James, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, f. 210.

[23] Ukshini, Sylë, Kosova dhe Perëndimi. Rilindja, Prishtinl, 2001, f. 153- 234.

[24] Maliqi, Shkëlzen, Mbi fajin kolektiv serb, f. 335.

[25] Albriht, Madeleine, Madam Secretary, New York, 2003, f. 514.

[26] “Shqipëria kërkon një zë nga Kosova,” Koha ditore, 28.2.1999.

[27] “Kryetari i qeverisë nga UÇK-ja,” Koha Ditore, 25.2. 1999.

[28] “Asnjë vendim politik pa pëlqimin e Adem Demaçit,” Koha Ditore, 24.2. 1999.

[29] “Komunikatë e Zyrës së Udhëheqësit Politik të UÇK-së rreth lajmit për formimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës,” Koha Ditore, 25.2.199.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button