Kasami dhe Kurti ndjekin shfaqjen “Përtej hekurave” në Shkup, diskutojnë edhe për bashkëpunimin politik

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ka bërë të ditur se mbrëmë ka pritur në një vizitë Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin kanë ndjekur së bashku shfaqjen “Përtej hekurave” në Teatrin Shqiptar në Shkup.
“Sonte na nderoi me vizitën e tij kryeministri i Kosovës, miku im Albin Kurti, me të cilin e ndoqëm bashkë shfaqjen ‘Përtej hekurave’ në Teatrin Shqiptar në Shkup,” ka deklaruar Kasami.
Ai vlerësoi lart interpretimin artistik të trupës teatrore, duke theksuar rëndësinë e veprës që trajton një periudhë të ndjeshme politike. “Me mjeshtri të rrallë, aktorët e teatrit tonë sollën në jetë një prej veprave më të rëndësishme politike në historinë tonë bashkëkohore, shkëmbimin e letrave mes Ismail Kadare dhe Ukshin Hoti,” u shpreh ai.
Kasami bëri të ditur se takimi me Kurtin ka shërbyer edhe për diskutime politike, në prag të një ngjarjeje të rëndësishme. “Përveç që shijuam këtë kryevepër arti, me kryeministrin Kurti folëm edhe për Kongresin e Bashkimit të VLEN-it më 9 maj,” tha ai.
Në fund, ai theksoi pritshmëritë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet palëve. “Na presin shumë punë të mira dhe bashkëpunim frytdhënës mes dy partive tona dhe dy qeverive, në të mirën e popullit tonë në dy anët e kufirit,” përfundoi Kasami.



