VLEN: Nga dominimi në rënie, BDI përballë realitetit të ri politik

Koalicioni VLEN ka reaguar me tone të forta ndaj BDI, duke e akuzuar për retorikë të konsumuar dhe shkëputje nga realiteti politik pas kalimit në opozitë.
Në reagimin e publikuar, VLEN shprehet se “BDI paska filluar përsëri me filmin e vjetër”, duke shtuar se kritikat ndaj tyre lidhen drejtpërdrejt me figurën e Izet Mexhiti. “BDI-së i dhemb Izet Mexhiti, sepse bashkë me popullin i çoi në opozitë”, thuhet në deklaratë.
Nga VLEN theksojnë se Mexhiti nuk është produkt i strukturave të brendshme të BDI-së, por “ka mandat nga shqiptarët, si kryetar komune dhe deputet – me votë, me terren, me njerëz”.
Në të njëjtën kohë, VLEN kritikon figura të larta të BDI-së, duke përmendur Bujar Osmanin, Blerim Bexhetin dhe Fatmir Besimin, për të cilët thuhet se “politikën e kanë kuptuar vetëm si ngjitje për karrige, tender dhe rehati personale”.
“Dallimi është i madh. Izeti ka qenë në mëhallë me qytetarin, ndërsa ata në zyra ekzekutivi dhe pazare pushteti”, theksohet më tej në reagim.
VLEN akuzon gjithashtu lidershipin e BDI-së për centralizim dhe kontroll të brendshëm, duke deklaruar se “një grusht njerëzish rreth Ali Ahmeti kanë privatizuar partinë”, ndërsa aktivistët, sipas tyre, përdoren “si mish për top, vetëm që vetë të kthehen në pushtet, në kolltuk, në tender dhe në rehati”.
Në vijim, koalicioni vë në pah kohëzgjatjen e funksioneve publike të disa drejtuesve të BDI-së: “Bujar Osmani mbi 3.700 ditë ministër, Blerim Bexheti mbi 5.500 ditë në poste dhe ende flasin për ‘mbrojtje të shqiptarëve’”. Sipas VLEN, “BDI-ja shqiptarin e ka parë vetëm si numër për votë, ndërsa postet si trashëgimi familjare”.
Sipas VLEN-it, “kjo demagogji nuk pi më ujë” dhe se “populli i ka lexuar”. Po ashtu, VLEN pretendon se kundërshtarët e tyre “ende ëndërrojnë kohën e Gruevskit”, duke shtuar se “Budapesti u duket si adresë shpëtimi”.
Në fund, VLEN i referohet rezultateve zgjedhore si argument politik: “përgjigjen për këtë mashtrim politik e morën jo më larg se në zgjedhjet lokale, ku VLEN i demoloi duke fituar 10 komuna”.



