Irani prezanton mekanizëm të ri për tranzitin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit

Irani ka prezantuar një mekanizëm të ri që rregullon kalimin e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, në mes të përplasjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë rrugë ujore strategjike, raportoi të martën media shtetërore Press TV, transmeton Anadolu.
Sipas sistemit të ri, anijet që synojnë të kalojnë nëpër këtë rrugë detare marrin një email nga një adresë e lidhur me Autoritetin e Ngushticës së Gjirit Persik (PGSA), ku u komunikohen rregullat e kalimit.
Më pas, anijet duhet të respektojnë këtë kuadër rregullator përpara se të marrin lejen për tranzit, thuhet në lajm.
Ky hap vjen ndërsa Irani po forcon kontrollin mbi trafikun detar në ngushticë, një rrugë kyç globale e energjisë përmes së cilës kalon një pjesë e madhe e transporteve botërore të naftës.
Irani ka vendosur kontrolle më të rrepta mbi lundrimin në Ngushticën e Hormuzit që nga shpërthimi i luftës SHBA–Izrael më 28 shkurt, mes tensioneve në rritje dhe masave konkurruese për aksesin detar.
Deklaratat e fundit të zyrtarëve iranianë tregojnë se anijet duhet të ndjekin rrugë të caktuara dhe të marrin autorizim për të kaluar në këtë rrugë ujore, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë vendosur forca detare në rajon për të mbështetur transportin tregtar.



