Akuzat për fajtorë potencial një thellim real i krizave

Shkruan: Iljasa Salihu
Prej kohësh, një shprehi e keqe në mendësinë tonë ka filluar t’i shtrijë këmbët krejt e zhveshur prej edukatës. Me të dëgjuar se është vrarë dikush, përpos dhimbjes që ndiejmë për të vrarin a për të vrarët, nxitimthi interesohemi se kush qenka kryerësi i këtij krimi, jo për ta gjykuar atë, por për të parë nëse kemi diçka të përbashkët me këtë a këta vrasës, edhe pse dihet që vrasësi është vetëm vrasës. Druajmë nëse vrasësi është shqiptarë, pastaj nëse është i besimit tonë fetar, ngaqë nënkuptueshëm dhe tërthorazi do të shihemi edhe ne si fajtorë, paçka se është fajësim krejtësisht i padrejtë dhe qëllimkeq. Mirëpo, së fundmi në vargun e këtij paradoksi është futur edhe përkatësia gjinore. Për fat të keq, këtu edhe shumë të ditur ka rënë prej provimit. Nëse një burrë vretë një grua, kjo mendësi thotë se ajo është vrarë vetëm pse ishte grua dhe nënkuptueshëm krejt burrave u bëhet me dije se jeni kriminelë potencial. Ata mund të jetojnë 40 vjet së bashku dhe nëse ndodhë vrasja e gruas, ende pa e marr parasysh asnjë hetim juridik dhe psikologjik, kjo shpurë do të thotë se është vrarë vetëm pse ishte grua. Nëse është kështu, pse atëherë vrasja nuk ndodhi fjala vjen para 20 vjetësh, ngaqë ajo edhe para 20 vjetësh ishte grua!
Paradoksi tjetër është fajësimi tërësisht i patriarkalizmit, pavarësisht nëse vrasësi prej kohësh kishte jetuar në vende të zhvilluara perëndimore dhe kishte afërsi me elitën politike dhe artistike. Bëhen kinse harrojnë se kokë e këmbë jetojmë në modernitet, aty-këtu edhe në post modernitet dhe ne ende ia lëmë fajin patriarkatit. S’do mend se gjendja e gruas nuk ishte për t’u lavdëruar në patriarkat, mirëpo nuk kishte përçudnime dhe përdhunime të ditëve të sotme. Në vend që përmes ngritjes së vetëdijes dhe drejtësisë të arrijmë në të duhurën, ne përmes barazisë me çdo kusht, po rrëshqasim në një pellg tjetër edhe më të rrezikshëm. Tmerr është të thuash se kjo apo ajo është vrarë vetëm për arsye që është grua, ngaqë pastaj del se ky apo ai ka vrarë vetëm për arsye se është burrë. Kësisoj, nuk do të duhej të na duheshin as prokuroria dhe as gjyqësia, ngaqë motivet për krime tashmë janë të qarta dhe të paracilësuara. Mes tjerash, kjo lloj fryme fton edhe në luftë mes gjinive! Kurrën e kurrës nuk mund ta mohojmë çdo gjë të kaluar, ngaqë çdo gjë nuk ishte keq, madje për sa i përket njerëzisë ishim shumë më mirë se sot, ku çdo kush që arrinë i pari imponon agjenda të veta, jo për të mirën e gruas a të burrit, por për interes të agjendave të tyre, të cilat tragjeditë po i shfrytëzojnë si luftë kundër gjinisë mashkullore dhe jo përpjekje për t’i arritur të drejtat njerëzore, njëherësh duke mos i shkrirë gjinitë në kazanin e paradoksit, ngaqë jemi ata apo ato që Zoti na ka krijuar me kushtet dhe mundësitë që përkojnë me natyrshmërinë e gjithsecilit.



