SHBA shpreh shqetësim për rrezikun e përshkallëzimit në Lindjen e Mesme

Shtëpia e Bardhë shprehu të mërkurën shqetësim për rritjen e rrezikut të një përshkallëzimi në Lindjen e Mesme, pasi vrasja e udhëheqësit të Hamasit Ismail Haniyeh në Iran, u pasua me kërcënime për hakmarrje kundër Izraelit.
Megjithatë duke folur me gazetarët në një konferencë shtypi, zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha se Uashingtoni nuk e sheh një konflikt të gjithanshëm në rajon si të pashmangshëm dhe se po punon për ta parandaluar një gjë të tillë.
Ai tha se SHBA ende beson se ekziston mundësia për të arritur një marrëveshje armëpushimi për t’u dhënë fund më shumë se nëntë muajve luftime mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës, pavarësisht shqetësimeve se këto përpjekje kanë marrë një goditje serioze.