Deri të mërkurën ose të enjten do të dihet nëse Lavrovi do të vijë në Shkup për Takimin e Ministrave të OSBE-së

Po shqyrtohen aplikimet dhe në ditët në vijim, pres diku deri të mërkurën – enjten, të kemi vendim përfundimtar, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në pyetjen nëse në Këshillin e ardhshëm të Ministrave të OSBE-së në Shkup do të marrë pjesë edhe shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov.
Ende nuk është definuar se kush do ta udhëheqë delegacionin e Rusisë në takimin e OSBE-së, duke pasur parasysh hapësirën e mbyllur ajrore te ne dhe në vendet fqinje për përfaqësuesit e lartë të MPJ-së ruse.
Në Takimin e 30-të Ministror të OSBE-së, i cili do të mbahet nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor në sallën e sporteve “Boris Trajkovski”, do të marrin pjesë 76 delegacione nga vendet anëtare dhe partnerë të OSBE-së dhe priten 1.000 mysafirë në delegacione.
Osmani sot, pas promovimit të pullës postare me rastin e kësaj ngjarje të madhe, deklaroi se është i kënaqur nga dinamika e organizimit të takimit, përgatitjet janë nga fundi dhe se mbetet të përfundojnë disa hollësi në ditët në vijim.
“Për çdo ditë ka delegacione të reja të cilat e konfirmojnë praninë dhe jam i kënaqur nga ajo të cilën e kemi deri më tani. Pres numër të madh të ministrave të OSBE-së të jenë të pranishëm në Shkup sepse edhe ashtu do të jetë këshill historik i ministrave”, shtoi shefi i diplomacisë dhe kryesues me OSBE-në.
