Komisioni për marrëdhënie fetare i thotë Tetovës të mos selektojë simbolet fetare

Komisioni për marrëdhënie me bashkësitë fetare dhe grupet religjioze ka reaguar për kryqin 15 metra në Kodrën e Diellit. Në njoftimin e këtij komisioni shtetëror, i bëhet thirrje komunës së Tetovës që të mos ketë qasje selektive ndaj simboleve fetare.
“Komisioni bën thirrje për vigjilencë dhe përmbajtje nga qytetarët, si dhe urtësi në menaxhimin e institucioneve nga ata që kanë marrë mandat nga qytetarët për të ndërtuar një shoqëri harmonike multikulturore, e cila në vetvete nuk nënkupton ekskluzivitetin e çdo kulture, por bashkëjetesën e tyre dhe respektimin e diversitetit. Komisioni mbetet i përkushtuar ndaj përpjekjeve për të mbajtur marrëdhënie të mira ndërfetare, ndaj duke mbajtur parasysh ndjeshmërinë, i bën thirrje politikës dhe interesave të saj të lidhura që të mos ndërhyjnë në marrëdhëniet ndërpersonale. Lidhur me ndërtimin e objekteve profane apo fetare, si dhe vendosjen e pikave referuese të tyre në qendrën turistike Popova Shapka, kërkojmë qëndrim jo selektiv dhe parimor të Komunës së Tetovës”, thuhet në reagimin e Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare dhe Grupet Religjioze.
Ndryshe, dje të gjitha partitë politike të shqiptarëve dolën me reagime negative dhe akuza të ndërsjella se ka qenë marrëveshje e fshehtë me Gruevskin, me VMRO-DPMNE-në, me LSDM-në vendimi për ta vendosur kryqin 15 metra.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Biljal Kasami, sot në rolin e njërit prej liderëve të Lidhjes Evropiane për Ndryshim, i ka bërë thirrje Kishës Ortodokse Maqedonase që ta heqë kryqin.



