Alternativa: Shkollat shqipe dita ditës po zbrazen

Nga partia Alternativa kanë reaguar duke thënë se krahas problemeve të zakonshme me të cilët ballafaqohet sistemi arsimor, siç janë mungesa e librave shkollor, mohimi i së drejtës së mësimit në gjuhën shqipe për nxënësit e Idrizovës dhe Velesit, edhe këtë vit po vazhdon zbrazja e shkollave nga nxënësit.
“Në rajonin e Pollogut vetëm për 3 muaj rreth 350 nxënës i kanë braktisur bankat shkollore dhe janë shpërngulur drejt shteteve europiane. Vetëm për tre muaj nga 10 shkolla fillore të Gostivarit, 60 nxënës kanë kërkuar fletëshpërngulje për t’u larguar nga vendi, ndërsa 40 nxënës të shkollave të mesme kanë marrë fletëshpërngulje për arsye të bashkimit familjar jashtë vendit. Përveç shkollave të Gostivarit, edhe shkollat e komunës së Tetovës përballën me rënie të numrit të nxënësve, po ashtu për shkak të bashkimit familjar në shtetet europiane. Kështu, në 12 shkolla fillore të Tetovës fletëshpërngulje kanë marrë 128 nxënës dhe nga pesë shkolla të mesme të kësaj komune 31 nxënës tashmë janë shpërngulur jashtë shtetit. Po ashtu, për vetëm tre muaj nga katër shkolla fillore në Tetovë 99 nxënës janë çregjistruar pikërisht për shkak të shpërnguljes jashtë vendit. Gjithashtu edhe në shkollat e komunës së Zhelinës shfaqet ky problem. Kështu, nga gjashtë shkollat qendrore dhe 11 shkolla periferike vetëm në këtë tremujor janë çregjistruar 47 nxënës, të cilët kryesisht kanë bërë bashkim familjar në Gjermani, Zvicër, Itali, Norvegji etj”, qëndron në reagimin e Alternativës.
Ata thonë se autori i këtij ekzodusi nuk është anonim, por është qeverisja 20 vjeçare e BDI-së.
“Për fat të keq, për vite të tëra Ministria e Arsimit vazhdon të udhëhiqet nga kuadro të kësaj partie, ndërsa fëmijët shqiptarë vazhdojnë t’i braktisin shkollat”, qëndron në reagimin e Alternativës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button