TVOJA MAKEDONIJA VERSUS MOJA MAKEDONIJA = NASHA  MAKEDONIJA

Shkruan: Isamet Bakiu

Në këtë shkrim jam përpjekur që ta bëj një kundrim nga lart, me një – do ta quaja dron – të politikës shqiptare në, tani, Maqedoninë e Veriut (Moja Makedonija) ose Republikën e Maqedonisë (vetëm Tvoja Makedonija).

E para, si rrjedhojë e pajtimit dhe marrëveshjeve me fqinjët, kurse tjera – një dëshirë e madhe për ta pasur shtetin vetëm për vete, i lë shqiptarët duke garuar në një garë pa fondament, që i përngjan luftës së gjelave.

Marrëveshja e Ohrit ishte një kornizë për ta ndarë pushtetin mes shqiptarëve dhe maqedonasve, e cila u ballafaqua me decenie me politikën e përjashtimit dhe mungesës së koekzitencës, por edhe të koalicioneve të zgjeruara, ku shqiptarët përfaqësoheshin me individë, të cilët vinin nga organizimet politike më të larta të shqiptarëve në Maqedoninë Veriut. Është fakt se gjatë këtyre decenieve të një politike të re, siç është demokracia konsociale, shumë individë fituan pushtet, mirëmenexhauan ose keqmenaxhuan me mjete publike dhe disa u pasuruan, të tjerët më pak, kurse votuesi përfundoi në kurbet.
Por, politika nacionaliste është në proporcion të zhdrejtë me shtetin qytetar. Si në kohën e ish SFRJ-së, kur në shtetin socialist nacionalizmi ishte futur nën tepih, ashtu propozimi për shtetin qytetar nga një subjekt nacionalist, me një rrogancë egocentrike, është vetëm mashtrimi i radhës. Kjo do të na detyrojë neve si shqiptarë në alternativa të tjera makropolitike. Nëse ata duan të jenë krenarë, edhe ne nuk duam të humbim nga krenaria jonë. Fjalori politik i cili dëshiron ta paraqesë shqiptarin si hajdut dhe vjedhës së “TVOJA MAKEDONIJA” është poshtërues dhe arrogant. Ne vazhdojmë të kacafytemi si gjela mbi turmën e plehut dhe të kukurisim duke treguar muskuj.

Nëse shikojmë përreth në vendet fqinje ose pak më larg dhe i organizimet politike, atje shohim zgjidhe makropolitike, si republika dhe federata (Republika Srpska dhe Federata e BiH si dhe Republika e Kosovës), kantone (në Bosnje dhe Hercegovinë), autonomi (Vojvodina ose në të ardhmen edhe Sanxhaku), zgjidhja joterritoriale (shqiptarët e Maqedonisë)  dhe imponimi i Bashkësisë së Komunave në Veri të Kosovës si zgjidhje territoriale, e kuptojmë se vetëm ne shqiptarët e Maqedonisë kemi pranuar më pak se që na takon.

Ne e pranuam shtetin me pjesëmarrje në institucione, ne duam të dërgojmë mesazh se ne jemi për shtet të përbashkët dhe se mund të udhëheqim me institucione edhe më të larta të shtetit për (MOJA MAKEDONIJA). Ne hoqëm dorë nga bashkimi me Kosovë dhe Shqipërinë, që ka qenë një ëndërr shekullore e stërgjyshërve (bashkimi i vilajeteve), kjo për rrugën e eurointegrimeve, për hir të paqes dhe barazisë.

Koncepti shtetformues nuk njihet në shkencat politike, andaj mund të diskutojmë për vetëvendosje, për shtet të pavarur, republikë, autonomi, kanton, federatë apo konfederatë. Fuqizimi i individit me pushtet politik nuk do të thotë se shqiptarët e kanë shtetformësinë. Ata vetëm përfaqësohen. Për të qenë shtetformues duhet të jesh entitet (republikë, autonomi, kanton). Si njësi konstitutive e një federate dhe konfederate, mund të quhesh shtetformues. Shtetëformësia, që nga koha filleve të demokracisë, plasohej në opinion si vizion politik i partisë së vetme atëherë (PPD).
Ta kesh kryeministrin dhe kryetarin e parlamentit kjo nuk të bën shtetformues, por e fuqizon individin, partinë dhe rrethin e ngushtë të përfituesve.

Nëse i shikojmë të gjitha zgjidhjet makropolitike në rajon, e shohim se ne shqiptarët e Maqedonisë jemi kënaqur me zgjidhje joterritoriale. Ne nuk e kemi bërë entitetin tonë mbrojtës nga hegjemonitë e mundshme të popullit më të madh, si serbët në Bosnjë dhe Hercegovinë me një shtet në shtet.

Serbia insiston për Bashkësinë e Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive për të krijuar një entitet, sepse vetëm ashtu shpreson dhe beson për ta injoruar pushtetin e Republikës së Kosovës.
Në rastin e Maqedonisë, as Republika e Shqipërisë dhe as Republika e Kosovës nuk kërkojnë që ne të bëhemi entitet dhe kështu ta fitojmë krenarinë tonë për MOJA MAKEDONIJA.

Përderisa lufta e gjelave vazhdon dhe jehona e TVOJA MAKEDONIJA nuk dëgjohet nga kacafytjet dhe zhurma nga sharjeve, akuzave, brohërimat dhe duartrokitje, por edhe të shtënat e fushatave politike mes blloqeve shqiptare, një zë i urtë kërkon vetëvendosje të brendshme, kjo si zgjidhje makropolitike. Vetëvendosja tregon se një popull me një gjuhë të ndryshme dhe territor kompakt e ka arritur nivelin e kombit. Vetëm kombi mund të jetë i barabartë me kombin. Vetëm duke qenë entitet mund të jemi shtetformues. Kur partia nacionaliste thirret në shtet qytetar, ky është një alarm se ne do të majorizohemi. Prandaj, kjo do ta detyrojë faktorin politik drejt asaj që shumë moti është dashur ta realizojë – e ajo është vetëvendosja e brendshme (NASHA MAKEDONIJA, e përbërë prej dy entiteteve: atij shqiptar dhe atij maqedonas). Finesat do t’ua lë “dy rrufeve që shkojnë t’u djegë”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button