MPB me apel të rëndësishëm për prindërit: Njihni rrezikun nga grupi “764” – mbroni fëmijët!

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) u bën thirrje prindërve, kujdestarëve, mësuesve dhe opinionit të gjerë që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj fenomenit të njohur si “764” – një komunitet i dhunshëm online, anëtarët e të cilit shënjestrojnë fëmijët, të miturit dhe personat e tjerë në situata të cenueshme, me qëllim manipulimin, frikësimin dhe detyrimin e tyre për të kryer veprime të rrezikshme dhe të dhunshme.

“Për seriozitetin e këtij fenomeni paralajmërojnë edhe institucionet ndërkombëtare të sigurisë, përfshirë Byronë Federale të Hetimeve të SHBA-së (FBI), e cila e lidh grupin ‘764’ me komunitete më të gjera nihiliste të ekstremizmit të dhunshëm dhe grupe të ngjashme. Apeli ka karakter parandalues dhe synon informimin në kohë të opinionit për mënyrën e veprimit të këtyre grupeve, rreziqet me të cilat përballen fëmijët dhe mundësitë për mbrojtjen e tyre”, njofton MPB-ja.

Si funksionon grupi “764”?

Grupi “764” vepron përmes rrjeteve të ndryshme sociale, aplikacioneve të komunikimit dhe platformave të lojërave online. Për të vendosur kontakte me viktimat e mundshme, anëtarët e tij përdorin platforma si Discord, Telegram, Roblox, Instagram, TikTok, Snapchat, Reddit, X (ish-Twitter), Minecraft dhe Fortnite.

Zakonisht, ata krijojnë kontakte me fëmijët dhe të rinjtë duke u paraqitur si bashkëmoshatarë të tyre ose si persona të interesuar për të krijuar miqësi apo marrëdhënie emocionale.

Pasi fitojnë besimin e tyre, fillojnë manipulimet, kërcënimet dhe shantazhet, me qëllim që t’i detyrojnë të shpërndajnë fotografi dhe video intime, të vetëdëmtohen, të ushtrojnë dhunë ndaj personave të tjerë ose kafshëve, madje edhe të ndërmarrin veprime që mund të kenë pasoja kërcënuese për jetën.

Materialet që sigurojnë më pas i përdorin si mjet për frikësim, shantazh dhe kontroll të mëtejshëm ndaj viktimave.

Cilat shenja duhet të vërejnë prindërit?

MPB-ja u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që t’u kushtojnë vëmendje të veçantë ndryshimeve të mundshme në sjelljen e fëmijëve, si:

  • Ndryshime të papritura në sjellje, izolim, frikë, ankth ose nervozizëm;

  • Fshehtësi e shtuar gjatë përdorimit të telefonit celular ose kompjuterit;

  • Komunikim intensiv me persona të panjohur përmes rrjeteve sociale dhe platformave të lojërave online;

  • Pranimi i mesazheve kërcënuese, shantazheve ose kërkesave për dërgimin e fotografive dhe videove;

  • Lëndime, prerje, gërvishtje apo shenja të tjera të pashpjegueshme që mund të tregojnë vetëdëmtim;

  • Shprehje të dëshpërimit ose biseda për vdekjen dhe vetëvrasjen.

Këto ndryshime nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se fëmija është viktimë e një grupi të tillë. Megjithatë, nëse vërehen, është e rëndësishme të mos shpërfillen. Nevojitet një qasje e kujdesshme, bisedë e hapur me fëmijën dhe, nëse ekziston dyshimi për abuzim, reagim në kohë.

Si t’i mbrojmë fëmijët?

Prindërit duhet të bisedojnë rregullisht me fëmijët për aktivitetet e tyre në internet, të tregojnë interes për personat me të cilët komunikojnë dhe për përmbajtjet që ndjekin. Gjithashtu, duhet t’i informojnë për rreziqet e shpërndarjes së të dhënave personale, fjalëkalimeve, fotografive dhe videove intime me persona të panjohur.

Është veçanërisht e rëndësishme që fëmijët ta dinë se, nëse dikush i shantazhon, i frikëson ose i manipulon, duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë nga prindërit, kujdestarët, mësuesit ose institucionet kompetente.

Ata nuk duhet të ndihen fajtorë apo të kenë frikë të raportojnë rastin, pavarësisht rrethanave.

Raportoni çdo dyshim apo rast!

Nëse keni njohuri, informacione ose dyshime për aktivitete që lidhen me grupin “764” apo grupe të tjera të ngjashme të dhunshme online, raportojini ato pranë Sektorit për Kriminalitet Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në adresën elektronike:

cybercrime@moi.gov.mk

“Nëse dispononi informacione që mund të ndihmojnë në trajtimin e rastit, ruani mesazhet, emrat e përdoruesve, lidhjet dhe të dhënat e tjera relevante. Mos hyni në përballje me personat që bëjnë kërcënime dhe mos ndërmerrni hapa që mund të rrezikojnë më tej sigurinë e fëmijës. Mos shkarkoni dhe mos përcillni materiale eksplicite ku paraqiten të mitur”, theksojnë nga MPB-ja.

Mbrojtja e fëmijëve nga abuzimi online është përgjegjësi e përbashkët. Identifikimi në kohë i rrezikut, bisedat e hapura me fëmijët dhe raportimi i aktiviteteve të dyshimta mund të parandalojnë pasoja të rënda dhe të shpëtojnë jetë.

MPB-ja apelon: Tregoni kujdes, bisedoni me fëmijët dhe raportoni çdo aktivitet të dyshimtë!

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button