VLEN i kundërpërgjigjet “nënkryetarit të pestë të BDI-së”: Pse BDI-ja nuk i rrëzoi iniciativat kundër Ligjit për gjuhët nga viti 2019 deri më 2024?

Partia VLEN i është kundërpërgjigjur nënkryetarit të BDI-së, Arjanit Hoxha, pas deklaratës së tij se gjuha shqipe është hequr nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), duke rikthyer në vëmendje disa çështje nga periudha e qeverisjes së BDI-së.
“Nënkryetari i pestë i BDI-së, para se të kërkojë llogari për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, bën mirë ta pyesë kryetarin e tij për disa çështje.
Së pari, për deklaratën e Gëzim Ostrenit, një nga figurat kryesore të 2001-shit, se Ali Ahmeti kishte pranuar që gjuha shqipe të mos përmendej me emër në Kushtetutë, por të mbetej me formulimin e turpshëm të 20 përqindëshit.
Së dyti, pse nuk i hodhën poshtë iniciativat para Gjykatës Kushtetuese nga viti 2019 deri në vitin 2024, kur, përmes Sali Muratit, atëherë kryetar i Gjykatës Kushtetuese e tani deputet i tyre, kishin fuqinë ta bënin këtë?
Po ashtu, le ta pyesë pse në vitin 2004, gjatë qeverisjes së BDI-së së Ali Ahmetit me LSDM-në e Cërvenkovskit, u pranua me deklaratë zyrtare në Këshillin e Evropës që termi “minoritet” të zbatohej edhe për shqiptarët.
Gjithë shqiptarët e dinë se pushteti i BDI-së ka qenë farsë e madhe. Mashtrim politik që keqpërdori sakrificën e një populli për t’i bërë milionerë disa funksionarë të përjetshëm, me dy banka në xhep”, thuhet në reagimin e partisë VLEN.



