Mexhiti: Nëpunësit nuk janë vota të partive, synojmë punësim të përhershëm për të punësuarit me kontrata të përkohshme

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka deklaruar se synimi i partisë është të sigurojë stabilitet në punë për mijëra të punësuar në administratë me kontrata të përkohshme. Ai bëri të ditur se deputetët e VLEN-it kanë propozuar një projektligj që do t’u mundësonte punësim me afat të pacaktuar personave që i plotësojnë kushtet.

“Nëpunësit e administratës nuk janë vota në shërbim të partive politike! Vendi i punës nuk mund të jetë mjet shantazhi dhe kontrata nuk mund të përdoret për t’i mbajtur njerëzit peng të interesave partiake. Prandaj, fokusi ynë është i qartë, të krijojmë siguri në punë për mijëra të punësuar me kontratë të përkohshme.

Me projektligjin e propozuar nga deputetët e VLEN-it, hapim rrugën që të punësuarit që i plotësojnë kushtet të pajisen me vendime për marrëdhënie pune me afat të pacaktuar. Miratimi dhe zbatimi i tij do të zgjidhin një problem të trashëguar ndër vite dhe do të krijojnë siguri më të madhe për këta të punësuar”, deklaroi Mexhiti.

Ai theksoi se punësimi nuk duhet të kushtëzohet nga bindjet politike, duke u zotuar se VLEN-i do të angazhohet për miratimin dhe zbatimin e projektligjit.

“Vendi i punës nuk është privilegj partiak dhe paga nuk është shpërblim për bindje politike. Askush nuk duhet të jetojë me frikën se puna dhe të ardhurat e familjes së tij varen nga vullneti i një partie. Ashtu siç punuam për zgjidhjen e statusit të të punësuarve në shëndetësi, do të angazhohemi edhe për miratimin dhe zbatimin e përpiktë të këtij propozimi.

Politika e VLEN-it zgjidh probleme. Për punë të sigurt, nëpunës me dinjitet dhe qytetarë të lirë nga presioni partiak”, theksoi Izet Mexhiti.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button