Hedhje tjetër e papërshtatshme e mbeturinave në Shkup, Gjorgjievski paralajmëroi kamera për zbulimin e autorëve

Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se mbrëmë vonë është sanksionuar një person që kishte hedhur mbetje ndërtimore dhe mbetje voluminoze në lagjen Kisella Vodë të Shkupit. Mbeturinat ishin hedhur rreth kontejnerëve, duke krijuar një deponi të egër. Autori u kap në vendngjarje nga inspektorët e Qytetit të Shkupit dhe menjëherë u sanksionua, transmeton Portalb.mk.
“Derisa ekipet tona punojnë pandërprerë për një qytet më të pastër, individë të caktuar e shkatërrojnë punën e bërë dhe ndotin mjedisin ku jetojmë të gjithë. Për çdo veprim të tillë nuk ka tolerancë! Një papërgjegjshmëri e tillë nuk do të kalojë pa sanksion! E kam thënë qartë dhe qëndroj pas fjalës sime – tolerancë zero për këdo që i shndërron hapësirat publike në deponi dhe rrezikon shëndetin e qytetarëve”, shkroi Gjorgjievski në një postim në Facebook.
Kryetari i Shkupit njoftoi gjithashtu se është duke u zhvilluar procedurë për vendosjen e kamerave në hapësirat publike, me qëllim zbulimin dhe sanksionimin më të shpejtë të personave që i hedhin mbeturinat në mënyrë të papërshtatshme.
Dje, policia sanksionoi një 22-vjeçar për hedhje të papërshtatshme të mbetjeve voluminoze në Shuto Orizare të Shkupit, ndërsa para disa ditësh u gjobit gruaja e cila ishte filmuar duke hedhur mbeturina në lumin Lepenec në Shkup.



