Prej sot, doganierët në “Tabanocë”, “Qafë Thanë” dhe “Bllacë”, do të kenë kamera në uniforma!

Drejtoria e Doganave ka vënë në përdorim 30 kamera për trup, për punonjësit doganorë në vendkalimet kufitare “Tabanocë”, “Qafë Thanë” dhe “Bllacë“, me donacion nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, përcjell TV21. Kamerat do të mundësojnë regjistrimin e procedurave gjatë kryerjes së detyrave dhe pamjet mund të përdoren më vonë si dëshmi në procedura kundërvajtëse dhe penale.
Drejtori i Doganave, Boban Nikollovski, tha se sistemi synon të rrisë mbrojtjen e punonjësve, transparencën dhe luftën kundër korrupsionit.Zëvendësuesja e ambasadorit amerikan, Nicole Warns, theksoi se pajisjet do të ndihmojnë në parandalimin e aktiviteteve të paligjshme dhe në luftën kundër trafikut të drogës, trafikimit të qenieve njerëzore dhe krimit të organizuar. Ajo e cilësoi donacionin si pjesë të partneritetit mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut.



