Kostoja e padijes: a e njeh Perëndimi Islamin apo e shtrembëron atë?

Sot, islamofobia është një nga dukuritë sociale që haset shpesh në shumë vende të botës, veçanërisht në Perëndim.
Edhe pse termi nënkupton fjalë për fjalë “frikën nga Islami”, në thelb kjo dukuri nuk buron domosdoshmërisht nga vetë Islami, por shpesh nga mungesa e informacionit të saktë rreth tij.
Njeriu ka prirjen ta perceptojë të panjohurën si kërcënim. Ajo që nuk njohim shpesh na frikëson dhe frika, me kalimin e kohës, mund të shndërrohet në paragjykim.
Pikërisht mbi këtë mekanizëm psikologjik ndërtohet në një masë të madhe edhe islamofobia. Mendja njerëzore përdor shpesh përgjithësime për t’u dhënë kuptim ngjarjeve dhe dukurive komplekse.
Nëse një shoqëri e njeh një fe jo përmes burimeve të saj themelore, por vetëm përmes lajmeve negative në media, retorikës politike apo akteve terroriste, me kalimin e kohës mund të krijojë një imazh për atë fe që nuk përputhet me realitetin.
Të kthehemi te burimet themelore
Kur shohim burimet themelore të Islamit, gjejmë një kuptim fetar që vendos në qendër paqen, sigurinë dhe besimin, jo frikën. Vetë rrënja e fjalës “Islam” lidhet me kuptime si paqe, mirëqenie dhe dorëzim ndaj Zotit.
Kurani nxit që marrëdhëniet me njerëzit e besimeve dhe komuniteteve të ndryshme të ndërtohen mbi drejtësinë, ndërsa jeta e Profetit Muhamed përmban shembuj të shumtë të mëshirës, faljes dhe bashkëjetesës.
Megjithatë, për shumë njerëz në Perëndim, njohja e Islamit nuk vjen nga leximi i Kuranit apo nga marrëdhëniet e drejtpërdrejta me myslimanët. Ajo formohet më shpesh nga narrativat e ndërtuara në ekranet televizive, përmbajtjet në rrjetet sociale dhe titujt sensacionalë të lajmeve.
Sidomos pas sulmeve terroriste të viteve të fundit, pretendimet e disa organizatave radikale se veprojnë në emër të Islamit janë paraqitur shpesh sikur të përfaqësonin besimin e qindra milionë myslimanëve.
Në disa raste, titujt dhe mënyra e raportimit të mediave të mëdha ndërkombëtare, kanë ndihmuar në krijimin e një narrative ku aktet terroriste lidhen drejtpërdrejt me Islamin, në vend që përgjegjësia të kufizohet te organizatat radikale që i kanë kryer ato.
Pikërisht këtu nis problemi. Njerëzit formojnë opinionet e tyre jo mbi atë që mëson realisht Islami, por mbi atë që bëjnë individë apo organizata që pretendojnë se flasin në emër të tij. Është e vështirë të presësh që një opinion i ndërtuar mbi një bazë të tillë informacioni të jetë i drejtë dhe i argumentuar.
Për më tepër, shpjegimi i terrorizmit vetëm përmes referencave fetare, duke lënë mënjanë rrethanat politike, sociale dhe ekonomike që e ushqejnë atë, mund të përfundojë duke i bërë indirekt shërbim propagandës së vetë organizatave radikale.
Është një gabim serioz të gjykosh një fe të tërë mbi veprimet e grupeve periferike që pretendojnë se i përkasin asaj. Ashtu si një krim i kryer nga një individ, nuk mund t’i atribuohet një kombi të tërë, edhe veprimet e organizatave që përdorin dhunën si mjet nuk mund të përcaktojnë një fe që besohet nga afro dy miliardë njerëz.
Njohja sjell afërsi
Kur bashkohen mungesa e njohurive, pasiguria dhe frika, forcohen edhe paragjykimet. Me kalimin e kohës, ato mund të ushqejnë diskriminimin dhe polarizimin shoqëror.
Teoria e kërcënimit të integruar, tregon se njerëzit kanë më shumë gjasa të krijojnë paragjykime ndaj grupeve që nuk i njohin mirë kur i perceptojnë ato si një kërcënim real ose simbolik.
Në të njëjtën linjë, psikologu Gordon Allport argumenton se paragjykimet ushqehen shpesh nga padija, stereotipet dhe distanca sociale, ndërsa marrëdhëniet kuptimplotë dhe të barabarta mes grupeve të ndryshme ndihmojnë në dobësimin e tyre.
Paragjykimet bien ndjeshëm kur njerëzit kanë mundësi të komunikojnë drejtpërdrejt me persona të feve dhe kulturave të tjera. Një meta-analizë e realizuar nga Pettigrew dhe Tropp, e cila përfshiu 515 studime, tregoi se kontakti pozitiv mes grupeve të ndryshme redukton ndjeshëm paragjykimet.
Sa më shumë që njerëzit njihen me grupin që e perceptojnë si “tjetrin”, aq më shumë ulet ankthi, rritet empatia dhe dobësohen stereotipet.
Edhe studimet e kryera në Gjermani kanë treguar se njerëzit që kanë marrëdhënie të drejtpërdrejta ose të tërthorta me myslimanët shfaqin nivele më të ulëta të qëndrimeve negative ndaj Islamit.
Një studim në Britani, i kryer para dhe pas sulmeve të Londrës të vitit 2005, arriti në një përfundim të ngjashëm. Pavarësisht atmosferës negative të krijuar nga sulmet, paragjykimet ishin më të ulëta te njerëzit që kishin pasur kontakte personale me myslimanë.
Një vlerësim i drejtë dhe i informuar, mund të lindë vetëm nga njohja dhe mirëkuptimi. Për këtë arsye, mënyrat më efektive për të luftuar islamofobinë janë zgjerimi i hapësirave për dialog, mbështetja e kërkimit akademik, përdorimi i një gjuhe më të përgjegjshme nga mediat dhe krijimi nga vetë myslimanët i shembujve që e përfaqësojnë në mënyrë të saktë fenë e tyre.
Të jetosh në të njëjtën pallat me një fqinj musliman, të punosh me të, të ndjekësh të njëjtën shkollë apo të marrësh pjesë në një projekt të përbashkët mund të ketë një ndikim shumë më të madh sesa imazhet negative që mediat kanë kultivuar ndër vite.
Kur njerëzit njihen nga afër, ata pushojnë së perceptuari njëri-tjetrin si kërcënim dhe fillojnë të shohin tek tjetri një individ me të njëjtat nevoja, shqetësime dhe vlera njerëzore.
Në fund të fundit, islamofobia shpesh nuk është një frikë që buron nga vetë thelbi i Islamit, por një perceptim i krijuar nga mungesa e njohurive të mjaftueshme për këtë fe.
Kur padija zëvendësohet me informacion të saktë, edhe paragjykimet mund t’ia lënë vendin mirëkuptimit. Ndoshta ajo që bota ka më shumë nevojë sot nuk është të gjykojë tjetrin nga larg, por të bëjë përpjekjen për ta njohur nga afër.
Vetëm përmes njohjes, dialogut dhe kontaktit të drejtpërdrejtë, mund të kuptojmë se sa nga frikërat tona burojnë nga realiteti dhe sa prej tyre janë thjesht produkt i një historie që na është treguar për tjetrin. \tesheshi.com\



