Shëmtia më e turpshme, Argjentina në finale

Shkruan: Ergys Mertiri
Ky është botërori më i korruptuar që ka qenë ndonjëherë. Në fakt futbolli në tërësi është nga veprimtaritë më të korruptuara në botë, çfarë tashmë është, jo vetëm e dukshme, por edhe një realitet që vetë drejtuesit e FIFA-s dhe UEFAS as nuk e çajnë më kokën ta fshehin.
Në mënyrë fare flagrante Argjentina u favorizua nga arbitrat, duke u kualifikuar në mënyrë të turpshme me Egjiptin dhe Zvicerën. E çuditshme është që ekipi më i favorizuar nga FIFA kishte edhe shortin më të lehtë, duke e pasur rrugën dishezë deri në gjysëm finale.
Në fund, kjo shëmti kulmoi në një shfaqje të turpshme në një finale ku Argjentina nuk bëri asnjë gjuajtje në portë apo edhe jashtë saj, deri në minutën e 120 ku ia doli të bëjë një goditje jashtë kuadratit. Ndërkohë goditi sa mundi me shkelma e bërryle, simuloi pa turp e u sherros sa deshi, dhe megjithëse u favorizua nga arbitri duke anulluar dy gola të Spanjës (një prej të cilëve krejt i rregullt), nuk mundi ta shtyjë ndeshjen drejt penalltive.
FIFA dhe UEFA nuk janë thjesht organizata sportive. Ato janë organizata ideo-politiko-ekonomike që formësojnë një sistem të ngritur në shërbim të përfitimeve nga më të ndryshmet. FIFA është një strukturë organizative që mban në këmbë një regjim, në funksion të interesave korruptive të aktorëve që e mbajnë dhe organizojnë. Mesi është ylli më vezullues i këtij sistemi, që legjitimon dhe shtyn përpara makinerinë e kontrollit. Ai është një nga investimet e mëdha të këtij regjimi dhe prandaj mbrohet me çdo kusht prej tij.
E megjithatë korruptimi i futbollit është shumë më tepër se kaq. Politizimi i turneut me praninë e pajustifikueshme të presidentit Trump, shndërrimi i ndeshjeve në spektakle tallavaje, apo edhe panaire reklamash me hapësira të dedikuara në mënyrë të detyruar për hidratim, e shndërrojnë futbollin në një instrument shumëpërdorimësh në duart e të pushtetshëmve.
Është e vërtetë që futbolli sot është më shumë se sport, dhe ky është problemi. Ai është përdorur paturpësisht për axhenda të ndryshme ideologjike e politike, për gjeopolitikë, për kompani bastesh, ndërkohë që, në emër të depolitizimit, lojtarëve shqiptarë iu është ndaluar të bëjnë shqiponjën si simbol kombëtar të vendit të tyre. Futbolli nuk ka qenë kurrë një “abasador i paqes”, apo një burim i “edukimit të rinisë” siç e glorifikojnë mitomanët, por një burim i madh, parash, pushteti, abuzimi, ndikimi, e korrupsioni.
Përtej kësaj futbolli është sot një pararojë e shoqërisë së spektaklit, kulturës së kosumit, trallisjes së turmave, shpërqendrimit të shoqërive nga nevojat e tyre reale, Futbolli madje është një kult, me të gjitha normat, parimet, “priftërinjtë” dhe mesianizmin e tij. Futbolli përpiqet të kultivojë shoqërinë e konsumit, kulturën e të mosmenduarit dhe tërheqjen e turmave, duke e shpërqendruar vëmendjen e shoqërive nga realiteti dhe problemet e vërteta. Futbolli është ushqimi social që mbush me lugë bosh shpirtrat e vrarë dhe të boshatisur nga kjo mënyrë jetese që dehumanizon qenien njerëzore.
Futbolli është sot “opium për popullin”.



