Mexhiti: Nisin punimet për rregullimin e Lumit të Thatë në Saraj, investim 6.2 milionë euro

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka njoftuar nisjen e punimeve për rregullimin e shtratit të Lumit të Thatë në Saraj, projekt që kap vlerën e 6.2 milionë eurove dhe që synon të zgjidhë një problem shumëvjeçar për banorët e kësaj zone.

Mexhiti bëri të ditur se, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski, ministrin Muhamet Hoxha dhe kryetarin e Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, kanë inspektuar fillimin e punimeve për një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në komunë.

“Një tjetër projekt madhor po hyn në zbatim. Një tjetër problem shumëvjeçar po merr zgjidhje”, deklaroi Mexhiti.

Sipas tij, projekti parasheh rregullimin e shtratit të lumit në gjatësi prej rreth 12 kilometrash, nga Bojana deri në Gllumovë, ndërsa punimet do të realizohen në faza deri në vitin 2029.

Mexhiti theksoi se rregullimi i Lumit të Thatë do të mbrojë qytetarët, shtëpitë, tokat bujqësore dhe infrastrukturën nga përmbytjet, duke i dhënë fund një problemi që, sipas tij, “për vite ka mbetur vetëm premtim”.

Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin mes pushtetit lokal dhe atij qendror, duke theksuar se Saraji po dëshmon se rezultatet arrihen kur institucionet punojnë së bashku.

“Ky është standardi i qeverisjes sonë: më shumë projekte, më shumë investime, më pak justifikime. Sepse qytetarët nuk kanë nevojë për premtime. Kanë nevojë për rezultate”, u shpreh Mexhiti.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button