Kryediplomati sirian takon liderët libanezë në Bejrut për të forcuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin

Ministri i Punëve të Jashtme i Sirisë, Asaad al-Shaibani ka zhvilluar një seri takimesh të nivelit të lartë në Bejrut me zyrtarë të lartë libanezë, të përqendruara në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, respektimin e sovranitetit dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik, transmeton Anadolu.
Ministria e Punëve të Jashtme e Sirisë njoftoi se Al-Shaibani u takua me kryeministrin libanez, Nawaf Salam, ku të dyja palët diskutuan mënyrat për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje dhe theksuan rëndësinë e respektit të ndërsjellë për sovranitetin.
Gjatë takimit, të dyja palët gjithashtu nënshkruan një marrëveshje për krijimin e një komiteti të lartë siriano-libanez, me qëllim institucionalizimin e koordinimit dypalësh dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik.
Kryediplomati sirian gjithashtu u takua me kryeparlamentarin libanez, Nabih Berri, ku të dyja palët shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet rajonale dhe çështjet me interes të përbashkët.
Në një takim tjetër, Shaibani zhvilloi bisedime me myftiun e madh të Libanit, Abdel Latif Derian, ku të dyja palët theksuan rëndësinë e forcimit të lidhjeve fetare dhe vëllazërore si dhe promovimin e bashkëjetesës dhe pluralizmit.
Ai gjithashtu u takua me liderin veteran të komunitetit druz në Liban, Walid Jumblatt, ku diskutimet u përqendruan në ruajtjen e unitetit, sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë si dhe në perspektivat për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh.
Më herët gjatë ditës, Shaibani u takua me presidentin libanez, Joseph Aoun, ku të dyja palët diskutuan forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe fqinjësisë së mirë, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shqyrtimin e zhvillimeve rajonale dhe ndërkombëtare me interes të përbashkët.
Shaibani mbërriti në Bejrut sot më herët për një vizitë zyrtare, e cila vjen në një kohë kur Siria dhe Libani po kërkojnë të hapin një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit në dhjetor të vitit 2024.



