Në Maqedoninë e Veriut 168 pacientë presin transplantim të veshkës, 37 të zemrës – miratohet zgjidhja e re ligjore për dhurimin e organeve

Aktualisht në Maqedoninë e Veriut janë 168 pacientë që presin transplantim të veshkës, 37 pacientë presin transplantim të zemrës, 12 të mëlçisë dhe 23 të kornesë. Pikërisht për këtë arsye është miratuar zgjidhja e re ligjore për dhurimin e organeve, e cila paraqet një hap të madh përpara për sistemin shëndetësor të vendit. Këtë e deklaroi sot ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në një konferencë për media kushtuar transplantimit.
Aliu tha se po përmbyllet një nga proceset më humane, më guximtare dhe më të suksesshme të zhvilluara në shëndetësi.
“Me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllime shërimi, shteti bëri një hap të rëndësishëm përpara. Nga një temë që për një kohë të gjatë jetoi nën hijen e frikës dhe për të cilën flitej vetëm në korridoret e spitaleve, arritëm ta kthejmë në një temë për të cilën flitet publikisht, me përgjegjësi dhe dinjitet. Dhurimi i organeve sot është temë besimi, vullneti personal, solidariteti dhe pjekurie shoqërore”, tha ai.
Ministri shtoi se ky proces nuk ka nisur në Kuvend dhe as nuk përfundon me miratimin e ligjit.
“Ky proces filloi me vendimin për t’u dalë përpara qytetarëve. Me fushatën ‘Dhurimi i organeve i jep kuptimin më të lartë njerëzores’, me video të mjekëve dhe ekipeve mjekësore, me tribuna, debate publike dhe mesazhe që shpjegonin dimensionin human të të qenit dhurues organesh. Nuk deshëm që qytetarët të dëgjonin vetëm për procedura, por të kuptonin se pas çdo transplantimi qëndrojnë jetë njerëzish, familje që presin dhe shpresa që nuk duhet të mbetet pa mbështetje institucionale”, tha Aliu.
Sipas tij, ndryshimet ligjore e vendosin në qendër vullnetin e qytetarit.
“Çdo qytetar madhor, gjatë vizitës te mjeku i tij amë, do të mund të deklarohet nëse dëshiron ose jo të jetë dhurues organesh pas vdekjes. Ky vullnet do të regjistrohet në sistem dhe qytetari do të mund ta ndryshojë në çdo kohë. Në këtë mënyrë shteti fiton një kornizë më të qartë, ndërsa qytetari sigurinë se vendimi i tij do të respektohet”, sqaroi ministri.
Para dhënies së deklaratës, mjeku amë do të ketë detyrimin ta informojë qytetarin për rëndësinë e vendimit, pasojat juridike dhe të drejtën për ta ndryshuar atë në çdo kohë.
Aliu theksoi se qasja në këto të dhëna do të jetë rreptësisht e kufizuar, e kontrolluar dhe e evidentuar, ndërsa çdo qytetar do të mund ta ndryshojë vendimin me një deklaratë të re, ku gjithmonë do të vlejë deklarata e fundit e regjistruar.
Sistemi i ri do të nisë të funksionojë nga 1 tetori 2026.
“Deri atëherë obligimi ynë është që gjithçka të jetë e sigurt dhe e përgatitur, si nga aspekti teknik dhe institucional, ashtu edhe ai komunikues. Dhurimi i organeve nuk guxon të mbetet në paqartësi, supozime apo frikë. Ai duhet të mbështetet në procedura të sakta dhe në një sistem të besueshëm”, theksoi Aliu.
Ministri falënderoi koordinatoren kombëtare për transplantim, prof. dr. Biljana Kuzmanovska, ekipet e transplantimit, mjekët, infermierët dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë fushatë, ndërsa mirënjohjen më të madhe ua shprehu familjeve të dhuruesve, të cilat, siç tha ai, në momentet më të vështira zgjodhën që dhimbja e tyre të bëhej shpresë për dikë tjetër.
“Ndërtuam besimin, vendosëm një sistem dhe krijuam një mekanizëm që do të sjellë mundësi të reja për jetë”, nënvizoi ministri.
Nga ana tjetër, koordinatorja kombëtare për transplantim, prof. dr. Biljana Kuzmanovska, tha se këto ndryshime nuk erdhën rastësisht apo brenda natës, por janë rezultat i një pune të përbashkët.
Ajo shpjegoi se sistemi kishte shumë donatorë potencialë të identifikuar, por një përqindje të ulët të pëlqimeve për dhurim, gjë që i detyroi institucionet të analizojnë shkaqet dhe të kërkojnë modele më të suksesshme.
“Arritëm në përfundimin se nevojiteshin ndryshime në ligjin për transplantim dhe në qendër të sistemit duhej të vendosej individi dhe vullneti i tij”, tha Kuzmanovska.
Ajo shtoi se ky model zbatohet në shumë vende me sisteme më të suksesshme transplantimi.
“Analizuam pse ato janë më të suksesshme se ne. Nuk është çështje ekspertize të mjekëve apo e sistemit shëndetësor. Variabla e vetme që nuk varet nga ministri, koordinatori apo mjekët është pëlqimi. Prandaj vendosëm individin në radhë të parë. Megjithatë, theksojmë se dhurimi i organeve është plotësisht vullnetar dhe çdo individ ka të drejtë ta ndryshojë vendimin e tij gjatë jetës, ndërsa ai vendim duhet të respektohet”, përfundoi Kuzmanovska.



