Donald Trump fitoi 1.4 miliardë dollarë nga të ardhurat në kriptovaluta në vitin 2025, duke rritur pasurinë e tij neto

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, fitoi miliona dollarë nga kriptovalutat dhe marrëveshjet me kompani mediatike gjatë vitit të kaluar, duke ngritur pikëpyetje për konflikte të mundshme interesi, tregojnë dokumentet e reja qeveritare.
Të martën, Zyra Amerikane e Etikës Qeveritare publikoi formularët vjetorë të deklarimit financiar për Trump dhe zëvendëspresidentin e tij, JD Vance.
Një dokument prej 927 faqesh rendit të gjitha asetet dhe të ardhurat e raportuara të Trump për vitin 2025. Midis tyre përfshihen më shumë se 1.4 miliardë dollarë nga sipërmarrjet e familjes së tij në kriptovaluta.
Trump ka marrë më shumë se 500 milionë dollarë nga World Liberty Financial, një sipërmarrje kripto e bashkëthemeluar nga ai dhe djemtë e tij. Presidenti raportoi gjithashtu edhe 635 milionë dollarë të tjera nga shitja e monedhave të tij meme, $TRUMP.
Raporti sugjeron se investimet në asetet digjitale tani gjenerojnë një nga burimet më të mëdha të të ardhurave të Trump, duke tejkaluar madje edhe perandorinë e pasurive të paluajtshme që ai trashëgoi nga babai i tij.
Ky zbulim pritet të intensifikojë shqyrtimin e politikave të Trump, pasi demokratët dhe kritikë të tjerë shpesh e akuzojnë presidentin amerikan për përdorimin e pozitës së tij për të pasuruar veten dhe familjen e tij. Sipas Forbes, pasuria neto e Trump pothuajse është trefishuar gjatë vitit të tij të parë pas rikthimit në detyrë, nga 2.4 miliardë në 6 miliardë dollarë. Fitimet nga kriptovalutat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të kësaj rritjeje.
Që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2025, Trump ka nisur një sërë politikash miqësore ndaj kriptovalutave, duke synuar ta bëjë SHBA-në “kryeqytetin botëror të kriptove”.
Në fillim të mandatit të tij të dytë, presidenti njoftoi se qeveria e tij do të krijonte një rezervë strategjike kombëtare të kriptovalutave për të ndihmuar në garantimin e stabilitetit të disa aseteve digjitale.
Ai gjithashtu organizoi samitin e parë të kriptovalutave në Shtëpinë e Bardhë.
Në këtë forum morën pjesë disa drejtues të teknologjisë që kishin qenë nën hetim gjatë administratës së paraardhësit të Trump, demokratit Joe Biden.
Megjithatë, Trump i ndryshoi këto qasje. Në shkurt 2025, Komisioni për Letrat me Vlerë dhe Shkëmbime (SEC) njoftoi se do të tërhiqte akuzat kundër Coinbase, platformës më të madhe të shkëmbimit të kriptovalutave në SHBA, e cila akuzohej se vepronte si ndërmjetës i paregjistruar.
Edhe kompani të tjera të monedhave digjitale u përballën me dyshime për transaksione mashtruese.
Trump e ka shoqëruar këtë largim nga mbikëqyrja qeveritare me përpjekje për të mbështetur legjislacion të ri, përfshirë Aktin GENIUS.
Ky ligj, i miratuar nga Kongresi në korrik të vitit 2025, krijoi një kornizë të përgjithshme rregullatore që kërkonte që stablecoins, një lloj kriptovalute, të mbështeteshin një për një me dollarin amerikan. Mbështetësit thanë se ligji do të ndihmonte në popullarizimin më të madh të kriptovalutave.
“I gjithë komuniteti i kriptove: për vite me radhë ju u tallët, u shpërfillët dhe u përjashtuat,” tha Trump gjatë ceremonisë së nënshkrimit të ligjit. “Ju konsideroheshit të përjashtuar deri para një viti e gjysmë, por ky nënshkrim është një vërtetim i madh.”
Megjithatë, lidhjet gjithnjë e më të afërta të Trump me industrinë e kriptovalutave kanë tërhequr kritika për mundësi korrupsioni.
Javën e kaluar, pesë senatorë demokratë, përfshirë Elizabeth Warren dhe Richard Blumenthal, u kërkuan kolegëve të tyre republikanë t’u bashkoheshin për të detyruar zyrtarët e administratës Trump të dëshmonin nën betim për marrëdhëniet e tyre me kriptovalutat.
Ata përmendën investimet nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) në World Liberty Financial, kompania që familja Trump bashkëzotëron me djemtë e të dërguarit qeveritar Steve Witkoff.
Sipas tyre, këto investime “ngrenë pyetje mbi atë që EBA mund të përfitojë më shumë – ose mund të ketë përfituar tashmë – në kurriz të sigurisë kombëtare të SHBA-së pas investimit në kompaninë kripto të familjes Trump”.
Pesë demokratët kërkuan zhvillimin e menjëhershëm të seancave dëgjimore për këtë çështje. /Al Jazeera/
