“Të gjithë jeni pasardhësit e Ademit, ndërsa Ademi është prej dheut.”

Shkruan: Abdusamed Zeqiri*
Besimtarë të dashur, duke qëndruar në këtë minber të Resulullahit, do të flasim sot për një dukuri që i ka shqetësuar edhe besimtarët tanë. Fjalën e kam për thirrjet që bëhen nga disa njerëz për ta braktisur Islamin, e që – për fat të keq – përveçse kanë gjetur mbështetje në media, kanë gjetur edhe disa ish hoxhallarë që u janë bashkuar. E gjëja e parë që dua t’jua kujtoj me këtë rast është që askush të mos shqetësohet, sepse edhe me statistika zyrtare, për çdo ditë që zbardh dielli, Islamin në botë e pranojnë shumë më tepër njerëz seç ishin ata të Deçanit të gjithë bashkë. Zoti e ka garantuar këtë fe, ashtu që edhe nëse të gjithë shqiptarët e braktisin Islamin, kjo nuk është kurrfarë humbje për Islamin, por është humbje për neve. Sepse, Zoti ka thënë se nëse ne nuk e mbajmë besëlidhjen me të, ai na zëvendëson me një popull më të mirë se ne.
Megjithatë, unë e di se për neve si besimtarë kur dëgjojmë këso thirrje, kjo na krijon shqetësim,madje edhe pezëm. Bile, më ka rënë këto ditë të lexoj e dëgjoj edhe reagime të pamatura dhe pa etikë kundrejt tyre dhe kundrejt atyre ish hoxhallarëve. Ne sikur po harrojmë se Allahu ynë në librin e tij të shenjtë,në Kuran, na ka thënë: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë! Me të vërtetë, Zoti yt i di më së miri ata që janë shmangur nga rruga e Tij, dhe i di më së miri ata, që janë në rrugë të drejtë.” (Nahl, 125). Ne nuk duhet të harrojmë se udhëzimi është në dorë të Zotit, ndërsa në dorën tonë është vetëm këshilla e bukur. Ne nuk jemi as policët e as gjykatësit e Zotit në tokë që t’i ndëshkojmë ata që nuk besojnë, ata që kundërshtojnë, ata që e shajnë Zotin, ata që shpifin për Kuranin dhe ata që e fyejnë Muhamedin a.s.Islamin e ka garantuar Allahu i Madh kur ka thënë se “Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, ne do të ruajmë atë” (Hixhër: 9). Zoti nuk ka nevojë për avokatinë tonë. Neve na mjafton ta respektojmë ajetin që na mëson se detyra jonë është të ftojmë në rrugën e Zotit tonë me urtësi dhe këshillë të bukur. Nëse nuk dimë të flasim fjalë të mirë, Pejgamberi a.s. na këshillon që më mirë të heshtim.
Besimtarë të dashur, në ajetin që e lexuam në fillim të kësaj hutbe, Allahu i Lartmadhëuar thotë: “O ju njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek All-llahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, All-llahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.” (Huxhurat:13) Ky është Islami ynë. Në fenë tonë nuk ka përparësi askush për shkak se i takon një race ose një kombi. Dallimi i vetëm është vetëm në përkushtimin që e ka njeriu ndaj Zotit, pra me moralin dhe përshpirtshmërinë ose takvallëkun e tij. Siç ka thënë edhe Muhamedi a.s.në hutben e tij të lamtumirës: “Nuk ka kurrfarë përparësie arabi ndaj joarabit, e as joarabi ndaj arabit, as i ziu ndaj të kuqit, e as i kuqi ndaj të ziut përveç me devotshmëri.Të gjithë jeni pasardhësit e Ademit, ndërsa Ademi është prej dheut.” Prandaj, sa ka hise në këtë besim një arab, po aq ka një shqiptar. Dhe, devotshmëria në këtë besim nuk matet me atë se sa i shërben kjo fe kauzës politike arabe, turke ose shqiptare, por vetëm sa është besimtari i përkushtuar ndaj Krijuesit të tij dhe cili është morali i atij besimtari. Sepse agjendat politike ndryshojnë varësisht nga rrethanat shoqërore, ndërsa mesazhi islam është i përtejshëm dhe i përjetshëm. Rrjedhimisht, një suedez mysliman i Stokholmit mund të jetë më i mirë se një arab i Mekës dhe një japonez mysliman i Tokios mund të jetë më i mirë se një turk i Stambollit ose se një shqiptar i Shkupit.
Vëllezër besimtarë, ka dashur Zoti që ne këtu me shumicë të jemi shqiptarë dhe ne i themi Atij “elhamdulilah” për këtë. Nëse Zoti na ka bërë shqiptarë, ne këtë e kemi pranuar si caktim të tij dhe prandaj e respektojmë këtë identitet. Por, të mos harrojmë se identiteti shqiptar është shumë i ri,i shekullit XVIII, dhe ai është një konstrukt social i modernitetit. Njësoj siç është identiteti turk, francez, grek e arab. Para se të ishim shqiptarë ne ishim arbër, para asaj ishim ilirë e para asaj nuk di çka ishim, siç nuk e di as çka do të jemi pas 200 vjetësh me këto valë shpërnguljesh e përzierjesh të popullsive e gjuhëve. Megjithatë, para Zotit gjithmonë ishim dhe mbetemi njerëz. Kjo na mëson se ne duhet ta duam e ta respektojmë identitetin tonë kombëtar, gjuhën tonë shqipe, kulturën tonë kombëtare, figurat e historisë sonë të vjetër e të re,ama kjo nuk duhet të kalojë në idhujtari. Sepse të gjitha këto janë interpretime të një konteksti social. Kështu Ahmet Zogu në Shqipëri para 100 vjetëve ishte mbreti të cilit i këndonin këngë, por pas Luftës së Dytë Botërore e bënë tradhtar. Enver Hoxhës para 50 vjetëve i thoshin shpëtimtar i kombit, por më 1991 ia tërhoqën përmendoren zvarrë. Dhe, kjo ka ndodhur e ndodh në gjithë botën. Askush nuk është i shenjtë dhe i pagabueshëm, ndërsa historinë rëndom e shkruajnë fituesit. Prandaj, ta fyesh Muhamedin a.s. për ta ngritur cilindo shqiptar të historisë, ky është ofendim për disa miliona shqiptarë myslimanë dhe një miliardë e gjysmë myslimanët e tjerë të botës.
Por, ajo që duhet ta dimë e ta pohojmë zëshëm është se Islami, si doktrinë monoteiste, që i afirmon vlerat e përshpirtshme dhe moralin e lartë, kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kundër asnjë kombi e aq më pak kundër kombit shqiptar. Me qenë mysliman dhe me qenë shqiptar, ky është një kombinim për mrekulli. Madje, nëse doni ta dini e ta themi saktë e shqip, krejt historia jonë është e mbushur me hoxhallarë e me besimtarë myslimanë të devotshëm. Prandaj ne nuk pranojmë të na bëjë askush inferiorë në identitetin tonë. Sepse çka t’i bëjmë ne historisë sonë që Lidhja e Prizrenit fillon me emrin e një hoxhe, si Myderriz Ymer Prizreni? Çfarë t’i bëjmë ne Kongresit të Manastirit, ku mori pjesë Said Hoxha i Shkupit? Çfarë të themi ne që Haxhi Vehbi Dibra ishte njeriu i dytë në krah të Ismail Qemalit në shpallje të pavarësisë? Çfarë t’i bëjmë ne emrit të Hasan Prishtinës, Ferhat Dragës e Xhafer Devës, që ishin besimtarë myslimanë? Çfarë të themi ne për medresantin Azem Morana të NDSH-së, për Hfz. Isuf Azemin, për Ataullah Hoxhën, për Fetah Efendinë, për Shaban Efendinë, për Xhemal Efendinë e për Molla Idriz Gjilanin, që e luftuan komunizmin dhe çmimin e kësaj lufte e paguan me jetën e tyre? Çfarë të themi për Bacën Shaban Jashari me të birin e tij,Adem Jashari, të cilët sapo kishin hëngër syfyr dhe e prisnin ta falin namazin e sabahut kur ndodhi sulmi i 22 janarit të vitit 1998? Çfarë të bëjmë ne që edhe bijtë më të mirë të luftës së fundit te ne,si dëshmorët Harun Aliu e Shaban Zenuni, ishin hoxhallarë? A mos duan t’i shpallin fajtorë edhe ata pse ishin hoxhallarë, myslimanë e besimtarë të devotshëm?!
Vëllezër të dashur besimtarë, ne nuk do të lejojmë që për shkak të disa predikuesve të pamatur kundrejt historisë sonë kombëtare të na bëjnë inferiorë të gjithë neve në identitetin tonë. As nuk do të lejojmë që për shkak të disa ish hoxhallarëve të parealizuar në minber kjo të quhet e metë e Islamit tonë.Islami është diçka tjetër e myslimanët janë diçka tjetër. Ne jemi krenarë që jemi myslimanë dhe që Zoti na ka bërë shqiptarë, por ne as nuk i urrejmë besimtarët e feve të tjera e as pjesëtarët e kombeve të tjera. Siç thotë Naim Frashëri: “Të krishterë e myslimanë, të gjithë një Perëndi e kanë.”, sepse “Fetë e bashkojnë njerinë,ju pse e ndani perëndinë?”. Prandaj,ata që ftojnë për konvertime kolektive ose që i quajnë shqiptarët myslimanë “primitivë” dhe e quajnë Islamin “ideologji arabe”, më së paku janë përçarës.
Besimtarë të dashur, asnjëherë të mos harrojmë se ne jemi pasuesit e të dërguarit të cilin Allahu i Lartmadhëruar e quajti “mëshirë e botëve”, ndërsa ai vetë na këshilloi “mëshironi ata që janë në tokë që t’ju mëshirojë Ai që është në qiell!”. Duke qenë vetë ne sinonim i mëshirës, edhe në këto çaste kur pranohen lutjet, e lusim Allahun xh.sh., me emrat e tij të bukur Rrahman (Mëshirues) dhe Rrahim (Mëshirëplotë) që të na mëshirojë e të na falë të gjithë neve!
Amin! Ashtu qoftë!
*Ligjërues në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup
Shkup, 26.01.2024



