Memishi: BDI flet për Evropën, por hesht për kompaninë serbe

Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, në një konferencë për media ka ngritur një sërë pyetjesh lidhur me pretendimet e publikuara për biznesin e gardheve mbrojtëse, duke kërkuar nga institucionet kompetente që të hetojnë rastin.
Memishi tha se katër ditë pas publikimit të pretendimeve, sipas tij, opinioni ende nuk ka marrë përgjigje të qarta për çështjet kryesore.
“Me vite BDI na shiti përralla për Evropën. Tani dëgjojmë se një kompani evropiane është shtyrë anash, ndërsa rruga i është hapur një kompanie nga Serbia”, deklaroi Memishi.
Ai tha se nuk bëhet fjalë vetëm për kompani apo procedura, por për çështje që, sipas tij, lidhen me interesa të mëdha financiare dhe interes publik.
“Nuk po flasim vetëm për kompani e kontrata. Po flasim për biznes milionësh, paratë e qytetarëve, interesa nga jashtë dhe gardhe mbrojtëse që duhet të ruajnë jetë njerëzish”, tha ai.
Sipas Memishit, përgjigjet e deritanishme të drejtorit të Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, nuk adresojnë pyetjet kryesore të ngritura në opinion.
“A ka ushtruar presion ndaj kompanisë evropiane? A është hapur rruga për kompani serbe? A janë orientuar kompanitë prej ku t’i blejnë gardhet?”, pyeti Memishi.
Ai shtoi se mbetet e paqartë, sipas tij, pse reagimi i Rustemit erdhi vetëm pasi VLEN kërkoi veprim nga Prokuroria.
Në fund, Memishi kërkoi nga Prokuroria për krim të organizuar që të verifikojë të gjitha pretendimet e publikuara.
“Qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse interesi publik është sakrifikuar për interesa bizneso-partiake. Qytetarët meritojnë të vërtetën”, u shpreh Memishi.



