Mbi 14.500 maturantë sot i nënshtrohen provimit zgjedhor të maturës shtetërore

Mbi 14.500 maturantë janë regjistruar për dhënien e provimit të maturës dhe sot do t’i nënshtrohen provimit të parë ekstern, i cili është zgjedhor për kandidatët. Provimi i detyrueshëm ekstern (gjuha amtare dhe letërsia) do të mbahet më 11, respektivisht më 12 qershor.
Në përputhje me ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Mesëm, këtë vit për herë të parë zhvillohen tri lloje të provimeve të maturës sipas drejtimit të arsimit: matura shtetërore, matura shtetërore profesionale dhe matura shtetërore artistike.
Nxënësit që do t’i nënshtrohen maturës shtetërore sot do të testohen në gjuhë të huaj (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht ose italisht) ose në matematikë. Për kandidatët e maturës profesionale zgjedhja është mes gjuhës angleze dhe matematikës, ndërsa kandidatët e maturës artistike do të japin provim në gjuhë angleze ose histori.
Sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore të Provimeve (QShP), e cila organizon dhe zbaton procesin e maturës, nga gjithsej 14.587 nxënës të regjistruar, 12.184 janë paraqitur për maturën shtetërore, 2.276 për maturën shtetërore profesionale dhe 127 për maturën shtetërore artistike.
Për secilin provim dhe për secilin lloj mature janë përgatitur programe të veçanta provimi, mbi bazën e të cilave janë hartuar pyetjet. Nga QShP theksojnë se këto programe bazohen në planprogramet mësimore që nxënësit kanë ndjekur gjatë katër viteve të arsimit të mesëm.
Nxënësit e gjimnazeve japin vetëm maturën shtetërore dhe janë regjistruar 5.713 kandidatë. Maturën shtetërore mund ta zgjedhin edhe nxënësit e shkollave profesionale dhe artistike, të cilët kanë mundësi të vendosin mes maturës shtetërore dhe asaj profesionale ose artistike.
Sipas të dhënave të QShP-së, nga 8.629 kandidatë të shkollave të mesme profesionale, 6.353 janë regjistruar për maturën shtetërore, ndërsa 2.276 për maturën shtetërore profesionale. Nga 245 kandidatë të shkollave artistike, 118 janë regjistruar për maturën shtetërore dhe 127 për maturën shtetërore artistike.
Provimi i lëndës zgjedhore ekstern fillon sot në orën 09:00. Kandidatët e maturës shtetërore do të testohen në gjuhë të huaj (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht ose italisht) ose matematikë. Kandidatët e maturës profesionale do të japin provim në anglisht ose matematikë, ndërsa për maturën artistike zgjedhja është mes gjuhës angleze dhe historisë.



