Tiranë, vazhdon protesta me moton “Shqipëria nuk është në shitje”

Në Shqipëri vazhdojnë protestat mbi çështjen e projektit turistik në zonën e Zvërnecit në Qarkun e Vlorës dhe kundër ndërtimeve në zona të mbrojtura.
Protesta me moton “Shqipëria nuk është në shitje”, e iniciuar nga aktivistë dhe e mbështetur nga qytetarët, është mbajtur sërish sot në Tiranë për të gjashtën ditë me radhë, duke mbledhur mijëra qytetarë, kryesisht të rinj.
Protesta ka filluar në Sheshin “Skënderbeu”, për të vijuar drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërkohë protestuesit kanë qëndruar edhe para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, duke kërkuar anulimin e projektit në Zvërnec dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në lidhje me këtë çështje, dje dhe sot protesta të ngjashme janë organizuar edh në qytete të tjera të vendit, ndërkohë janë paralajmëruar protesta në ditët në vazhdim edhe nga shqiptarët që jetojnë në disa vende të Evropës.
Gjatë kohës që zhvillohej protesta në Tiranë, kryeministri Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim me banorë të Zvërnecit.
Protesta filloi disa ditë më parë, ndërsa ajo e datës 3 qershor u shoqërua me tensione dhe përplasje mes policisë dhe protestuesve.
Gjatë një proteste më 30 maj në zonën e Zvërnecit u shënuan incidente, ku sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, disa roje të një kompanie private të sigurisë tërhoqën zvarrë një qytetar, duke shkaktuar reagime dhe fillimin e protestave në Tiranë.
Në ditët e fundit në vend ka pasur pretendime se projekti lidhet me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump.
Në lidhje me çështjen, kryeministri Rama ka deklaruar se projekti në Zvërnec po ndjek të gjitha procedurat ligjore dhe mjedisore, duke shtuar se deri më tani nuk ka pasur një projekt përfundimtar apo studim të plotë të ndikimit në mjedis, ndërkohë ai u ka bërë thirrje protestuesve për bashkëbisedim.
Gjithashtu në media është raportuar se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) ka filluar hetimet për çështjen e Zvërnecit, ndërkohë prokuroria ende nuk ka publikuar një njoftim zyrtar.



