Kryediplomati turk thekson tragjedinë e muslimanëve Rohingya gjatë vizitës në Bangladesh

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, ka theksuar gjendjen e rëndë humanitare të muslimanëve Rohingya që jetojnë në kampet e refugjatëve në Cox’s Bazar në Bangladesh.

“Fatkeqësisht, këtu po ndodh një tragjedi humanitare. Dora e ndihmës së Turqisë ka mbërritur këtu ashtu si kudo tjetër, por sigurisht do të doja që këto tragjedi të mos ekzistonin dhe të mos ishim në një situatë ku duhet të ofrojmë ndihmë”, tha Fidan për Anadolu gjatë vizitës së tij në kamp si pjesë e një vizite zyrtare dyditore në Bangladesh.

Duke theksuar rëndësinë e ofrimit të ndihmës jo vetëm në rajonet fqinje, por edhe në zona më të largëta që përballen me vështirësi, Fidan tha: “Ekziston një ndjeshmëri e madhe e treguar nga presidenti ynë (Recep Tayyip Erdogan), veçanërisht në lidhje me dërgimin e ndihmës për të shtypurit dhe ata në nevojë”.

Duke theksuar se më shumë se 1 milion muslimanë Rohingya jetojnë në kampe, Fidan tha: “Që nga dita e parë e krizës, organizatat turke të ndihmës dhe institucionet përkatëse kanë ofruar shërbime shëndetësore dhe të tjera. Këto përfshijnë si organizata shtetërore ashtu edhe të shoqërisë civile”.

Fidan, i cili gjithashtu vizitoi spitalin fushor të ngritur nga Turqia në rajon, tha: “Jemi këtu me mjekët dhe stafin tonë. Kolegët tanë po punojnë pa pushim në këto kushte mijëra kilometra larg. Nuk do të mjaftonin falënderime për këtë”.

– Kalimi drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme

Fidan theksoi nevojën për kalim nga kjo “zgjidhje e përkohshme në një zgjidhje më të qëndrueshme”, duke falënderuar qeverinë e Bangladeshit për mikpritjen.

“Ata po tregojnë mikpritje të madhe këtu. Kur vëllezërit dhe motrat tona në Siri u larguan nga lufta, ne hapëm krahët për miliona prej tyre. Edhe vëllezërit tanë bangladeshas po bëjnë të njëjtën gjë”, tha ai.

Duke iu referuar kushteve lokale, Fidan tha se pavarësisht se rrethanat nuk janë gjithmonë të favorshme, “morali i punonjësve tanë shëndetësorë dhe stafit tjetër këtu është shumë i lartë”.

“Ata po punojnë pa u lodhur. Zoti i shpërbleftë. Mos u shkoftë mundi kot”, shtoi ai.

Sipas UNHCR-së, më shumë se 1 milion muslimanë Rohingya jetojnë si refugjatë në kampet e mbipopulluara në rajonin Cox’s Bazar të Bangladeshit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button