Kosova nesër voton për zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Qytetarët e Republikës së Kosovës ditën e nesërme, më 7 qershor, do t’u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e nivelit nacional për të tretën herë me radhë brenda 16 muajve, raporton Anadolu.
Pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe pas zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit 2025, këto janë zgjedhjet e treta për Kuvendin e Kosovës brenda 16 muajve, të cilat erdhën pas mungesës së një konsensusi për të votuar presidentin e vendit.
Këto zgjedhje janë organizimi i 11-të i zgjedhjeve në nivel nacional nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), që nga periudha e pasluftës në Kosovë, ku nga 11 zgjedhje vetëm katër ishin zgjedhje të rregullta, ndërsa shtatë të parakohshme.
Numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është 2.092.174 votues, ndërsa kjo listë përmban 15.884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme për Kuved të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.
Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 qendra të votimit, me gjithsej 2.550 vendvotime, prej të cilave 911 qendra me 2.498 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.
Ndërkaq, procesi zgjedhor jashtë vendit, përveç votimit me postë, do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata, me gjithsej 47 vendvotime ku votimi fizik në këto përfaqësi do të zhvillohet më 6 qershor 2026.
Sipas të dhënave zyrtare, organzimi i këtyre zgjedhjeve i ka kushtuar buxhetit të Kosovës mbi 10,8 milionë euro.



